Gjykim i njëjtë për fletët e votimit dhe materialet zgjedhore
Konstitucionalistët: Komisioni i Venecias, mendim për të gjitha dokumentet
Ndarja e materialeve zgjedhore nga fletët e votimit dhe gjykimi i tyre në mënyra të ndryshme nuk është ligjore. Kështu shprehen konstitucionalistët lidhur me propozimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, sipas të cilit, duhet të hapen kutitë e materialeve zgjedhore, ndërkohë që për kutitë e fletëve të votimit ti merret mendim Komisionit të Venecias. Konstitucionalistët shprehen se fletët e votimit janë pjesë e paketës së materialeve zgjedhore dhe si të tilla nuk mund të gjykohet ndryshe për to dhe ndryshe për materialet e tjera zgjedhore. Prandaj, sipas tyre, nëse kërkohet hapja e kutive të votimit, atëherë duhet të merret mendimi i Komisionit të Venecias në çdo rast dhe këtë gjë mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese.
Zgjidhja e ngërçit
Partisë Socialiste i mbetet vetëm një alternativë, ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe më pas ajo të kërkojë mendim nga Komisioni i Venecias, nëse duhet të hapen apo jo kutitë e votimit, si të materialeve zgjedhore, por dhe të fletëve të votimit. Ky përfundim arrihet në bazë të shpjegimit ligjor të dhënë nga konstitucionalistët. Konstitucionalisti Rustem Gjata pohon për standard se të dyja këto lloj dokumentesh, si lista e votuesve dhe procesverbalet, që futen në atë që quhet kutia e materialeve zgjedhore, por edhe fletët e votimit që futen në një tjetër kuti, janë pjesë e një procesi dhe si të tilla janë pjesë e një pakete dokumentesh, prandaj nuk mund të bësh gjykime të ndryshme për to. Nuk mund të ketë ndarje të materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit. Fletët e votimit janë pjesë e materialeve zgjedhore dhe nëse merret mendimi nga Komisioni i Venecias, atëherë ky mendim duhet të jetë për të gjitha materialet, - pohon ai. Gjata shton gjithashtu se e vetmja mundësi që të merret mendimi i kësaj strukture ndërkombëtare, e cila për çdo rast nuk është detyruese, është nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese. Pra, një subjekt politik i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë. Fillimisht, gjykata diskuton nëse e pranon ose jo kërkesën, sepse mund të ndodhë edhe rrëzimi i saj, nëse nuk ka fakte të mjaftueshme. Më pas, Kushtetuesja vendos ti drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë një mendim. Gjata shton madje se nëse subjekti politik, në këtë rast Partia Socialiste, vendos ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ajo gjithashtu duhet të ndërpresë grevën e urisë, e cila nuk është gjë tjetër, veçse presion ndaj gjykatës. Duhet të respektohet ndarja e pushteteve dhe të mos bëhet presion mbi gjykatat. Nëse kërkohet gjykim nga Gjykata Kushtetuese, duhet të ndërpritet greva e urisë, - shpjegoi Rustem Gjata. Edhe një nga themeluesit e Kushtetutës, Sabri Godo, ka sugjeruar që zgjidhja e ngërçit politik të vijë nga Komisioni i Venecias. Pak ditë më parë, kreu i socialistëve propozoi hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, ndërsa për kutitë e fletëve të votimit ti kërkohej mendim Komisionit të Venecias. Ky propozim nuk u pranua nga demokratët. Astriti Patozi, dy ditë më parë, në një përgjigje zyrtare ndaj propozimit të Ramës, pohoi se është antikushtetuese kjo zgjidhje. Sipas tij, shkelet Kodi Zgjedhor, por dhe dy vendime të Gjykatës Kushtetuese.
Omari: Zgjidhja, nga Venecia, PS-së i duhet ndihma e mazhorancës
Socialistët, të vetëm nuk mund të vënë në lëvizje Komisionin e Venecias. Këtë gjë mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese, nëse ajo e ka një çështje në gjykim. Kështu shpjegon konstitucionalisti Luan Omari, i cili ka qenë përfaqësuesi shqiptar në këtë komision për 8 vite me radhë. Sipas tij, përveç Kushtetueses, PS nuk ka asnjë formë tjetër për të vepruar në këtë komision. As deputetë dhe as parti politike nuk kanë mundësi ti drejtohen Komisionit të Venecias, vetëm institucionet kryesore kushtetuese të vendit mund ta bëjnë këtë, - thotë Omari. Ai shton se Komisioni i Venecias mund të vihet në lëvizje edhe nga Presidenti i Republikës, Këshilli i Ministrave, Kryeministri ose nga ministrat, zakonisht ai i Drejtësisë, me autorizim të Kryeministrit si dhe nga kryetari i Parlamentit dhe nga Gjykata Kushtetuese. Pra, që PS ti drejtohet Venecias, sipas konstitucionalistit Omari, nevojitet vullneti i mazhorancës.
I