E Diel, 1 Nëntor 2026

"Qytetarët dhe bizneset paguajnë taksa dy-tri herë më të larta"

18/05/2010 Pone akuza ndaj Ramës

Mungesa e transparencës nga ana e Bashkisë së Tiranës po ndikon negativisht mbi subjektet e biznesit dhe qytetarët, të cilët detyrohen të paguajnë taksa disa herë më të larta se ato të derdhura në bashkitë e tjera të vendit. Akuza e radhës është ngritur gjatë ditës së djeshme nga kreu i këshilltarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak Ferdinand Pone. Sipas tij, qëndrimi aktual i kreut të bashkisë nuk mund të justifikohet, pasi të gjitha rëndesat po bien mbi qytetarët dhe bizneset, kategori të cilat aktualisht paguajnë dy deri në tri herë më shumë taksa se në bashkitë e tjera të vendit. Pone ka ngritur akuza të forta mbi kryebashkiakun Rama për mungesë transparence dhe për rrënim të taksapaguesve në kushtet kur qeveritë e vendeve evropiane po aplikojnë paketa lehtësuese për biznesin për të mos u prekur nga kriza ekonomike. "Ky kryetar, që flet për transparencë, duhej t’i jepte këshillit nivelin dhe bazën e çdo takse. Unë e them dhe botërisht që ne duhet t’i tatojmë më pak qytetarët, që ne t’i ngarkojmë ata më pak për shpenzimet ekstravagante që bashkia do të bëjë, sepse ne jemi në shërbim të qytetareve dhe bashkia duhet të jetë në shërbim të qytetarëve. Ka më se dy muaj që kjo listë taksash, në vend që të bëhet buxhet i shëndetshëm, nuk ka ardhur. Bashkia e Tiranës ka taksa tri herë më të larta se një bashki tjetër ngjitur më të, ka taksa fare të pamotivuara për reklamat, apo çuditërisht mbrohen grupe monopoliste dhe nuk mbrohen qytetarët e zakonshëm", - është shprehur Pone. Ndonëse tashmë kanë kaluar prej muajsh të gjitha afatet ligjore, kryeqyteti ende nuk ka të miratuar planin e ri financiar të 2010-s, mbi të cilin janë përfshirë për t’u realizuar një sërë projektesh. Shkak për këtë mungesë mbetet mosgjetja e gjuhës së përbashkët ndërmjet palëve për diskutimin dhe miratimin e këtij buxheti në mbledhjet e këshillit bashkiak, të cilat për arsye nga më të ndryshmet nuk janë zhvilluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›