E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Sigurimit, mbetet i ndarë

Përfaqësues të shteteve perëndimore në Këshillin e Sigurimit kërkuan nga Prishtina dhe Beogradi që të bisedojnë për zgjidhjen e çështjeve praktike, ndërkaq theksuan se sovraniteti dhe kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm.

Ndërkaq, shtete që nuk e kanë njohur Kosovën u shprehën në favor të bisedimeve për arritjen e një kompromisi për statusin brenda Rezolutës 1244.

Në seancën e djeshme në New York, Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni foli gjerësisht për arriturat në Kosovë gjatë muajve të fundit, për njohjet e reja dhe përpjekjet në rrugën drejt integrimit në BE, dhe paralajmëroi njohje të reja për shtetin e ri.

Edhe në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, ai foli për pengesat që vijnë nga Serbia për shtetin e ri. “Pa dëshirë, më duhet megjithatë të përsëris se Republika e Serbisë përmes ndërhyrjeve destabilizuese dhe jashtëzakonisht penguese, ka vazhduar të jetë e padobishme. Inkurajimi dhe përkrahja e strukturave ilegale në Veri ka vazhduar dhe shpallja për mbajtjen e të ashtuquajturave zgjedhje të organizuara nga Republika e Serbisë në veri të Kosovës, janë edhe një ndërhyrje tjetër e papërgjegjshme dhe e papranueshme’, ka thënë ai.

“Normaliteti, përmes vendosjes së ligjit dhe rendit në tërë vendin tim, është më se i kërkuar nga të gjithë kosovarët, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre etnike ose religjioze, dhe ne jemi aty që t’ua ofrojmë këtë”, ka thënë ministri Hyseni.

Ai përsëriti gatishmërinë e Prishtinës për bisedime për çështje praktike.
“Qeveria ime është e gatshme të angazhohet në bisedime me Serbinë për çështje të shumta të interesit të përbashkët si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Dialogu do të ndihmonte zbutjen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona”.

Ministri Hyseni foli edhe për çështjen e personave të pagjetur.

“Është e padenjë që edhe pas njëmbëdhjetë vitesh pas lufte, ende nuk dihet vendndodhja e 1.862 personave. Ne i ftojmë të gjitha palët e përfshira të bëjnë të pamundurën që përfundimisht ta zgjidhin çështjen e personave të zhdukur”, ka thënë ai.

Gjatë një ndërhyrjeje në përfundim të seancës, ministri Hyseni reagoi duke i quajtur të pavërteta pohimet e Ministrit serb Jeremic se janë rreth 250 mijë serbë të zhvendosur nga Kosova në Serbi.

Shefi i UNMIK’ut, Lamberto Zannier tha se mungesa e pajtimit mes komuniteteve si dhe vështirësitë ekonomike vazhdojnë të paraqesin rrezik për trazira sociale. Ai theksoi se UNMIK’u vazhdon të jetë i përkushtuar lidhur me marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve. Zannier bëri të ditur se misioni i tij vazhdon të ndihmojë dialogun për personat e pagjetur, por “fatkeqësisht, dialogu për bashkëpunim praktik nuk është zgjeruar”.

Ai theksoi se situata në Kosovës mbetet stabile, megjithëse potenciali për jostabilitet, veçanërisht në Veri, mbetet prezentë.

Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremic tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës e ka ndarë botën dhe nuk i ka kontribuar stabilitetit e as bashkëpunimit rajonal. Ai përsëriti se Serbia kurrë nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe do të vazhdojë ta luftojë atë me mjete diplomatike.

Jeremic u ankua se disa zyrtarë serbë në mënyrë të paligjshme janë përzënë nga Kosova gjatë vizitave të tyre.

Strategjia për Veriun, tha ai, ka për qëllimi zbatimin e Planit të Ahtisaarit.
Zyrtari serb tha se GJND’ja është pothuajse duke përfunduar punën dhe nuk duhet të ketë presion politik mbi këtë gjykatë me anë të njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Ai shprehu keqardhje për njohjet e reja për Kosovën.
Sipas tij, pas GJND’së është e mundshme arritja e një” kompromis strategjik mes serbëve dhe shqiptarëve”. Jeremic kërkoi zgjidhje për statusin e Kosovës përmes dialogut. “Serbia është e gatshme të angazhohet në mënyrë fleksibile

Jeremic përmendi edhe ndërhyrjen e EULEX’it në Ministrinë e Transportit. Ai shtoi se prokurori i EULEX’it ka deklaruar se hetimet ndaj ministrit Fatmir Limaj përfshijnë akuza “pastrim parash, krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim”. Sipas përfaqësuesit serb, Kryeministri Hashim Thaçi ka dekurajuar punën e prokurorit të EULEX’it.

Ministri serb foli edhe për arrestimin e ish-pjesëtarit të UÇK’së, Sabit Geci, për të cilin tha se dyshohet për krime lufte dhe tregti me organe të civilëve serbë në të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë”.

Përfaqësuesja amerikane ritheksoi qëndrimin e SHBA’së lidhur me statusin e Kosovës. “Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Ndarja nuk është e pranueshme. Statusi dhe kufijtë e Kosovës janë definuar. SHBA janë bashkë me Kosovën dhe Serbinë dhe shtetet e tjera të Ballkanit gjersa ecin drejt rrugës për integrim në BE”, tha ajo.

Diplomatja amerikane tha se SHBA’ja mirëpret përparimin në përmirësimin e kapaciteteve institucionale në Kosovë si dhe përshëndeti rolin e liderëve serbë në komunat e reja të krijuara në zgjedhjet lokale. “Edhe serbët në Veri meritojnë qeverisje lokale të përgjegjshme”, tha ajo.

Përfaqësuesja e SHBA’së u shpreh kundër zgjedhjeve lokale serbe në veri të Mitrovicës të cilat janë paralajmëruar nga Beogradi.

“Përmirësimi i qeverisjes dhe sundimit të ligjit në veri të Kosovës është me rëndësi themelore. SHBA’ja përkrah zbatimin e Strategjisë gjithëpërfshirëse në veri si dhe planet e BE’së dhe shtimin e pranisë së EULEX’it në pjesën veriore”, ka thënë ajo.

Zyrtarja amerikane u bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës për gjetjen e zgjidhjeve praktike që mund të përmirësojnë jetën e banorëve në Veri. Ajo kërkoi zgjidhje për gjykatat, doganat dhe personat e zhvendosur dhe të pagjetur.

“Ne pajtohemi se në përgjithësi situata ka mbetur e relativisht e qetë, por e brishtë.

Sulmi i 20 prillit ndaj familjeve serbe në komunën e Istogut është e papranueshme. Ne e përshëndesim përgjigjen e menjëhershme të Kryeministrit Thaçi për të ofruar ndihmë teknike dhe ofrimin e patrullimit të policisë”, ka thënë diplomatja amerikane.

Ajo dënoni dhunën kundër operatorëve të telefonisë mobile në veri.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se shteti i tij i jep mbështetje të palëkundur sovranitetit të Kosovës. “Nga mbledhja jonë e fundit janë katër shtete që e kanë njohur Kosovën duke e shtuar numrin e shteteve në 68. Progresi ka vazhduar në Kosovë për këta muaj, duke pasuar edhe zgjedhjet komunale, ku janë themeluar gjashtë komuna të reja me shumicë serbe, ashtu siç është paraparë me Planin e Ahitssarit”, ka thënë ai.

Diplomati britanik tha se nuk ka pasur incidente të shtuara me motive etnike. “Ka pasur zvogëlim të incidenteve në këtë aspekt”, tha ai.

Qeveria britanike inkurajon bashkëpunim më të fuqishëm për çështje praktike mes Prishtinës dhe Beogradit. “Ftojmë Beogradin për pragmatizëm dhe fleksibilitet në gjetjen e zgjidhjeve. Kjo do të jetë e dobishme për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Është e rëndësishme për të gjitha palët që të ndreqin gabimet e së kaluarës për të promovuar pajtimin dhe për të përmirësuar marrëdhëniet rajonale”, u shpreh përfaqësuesi i Britanisë së Madhe.

Ambasadori i Francës, në fillim të fjalës së tij të shkurtër theksoi se statusi i Kosovës është negociuar një kohë të gjatë, pavarësia ka qenë shprehje e vullnetit të popullit dhe është proces i pakthyeshëm. Ai theksoi se pavarësia e Kosovës ka forcuar stabilitetin e rajonit. Diplomati francez tha se Kosova duhet të vazhdojë progresin për qeverisje të mirë, të punojë edhe më shumë me pakicat dhe agjendën e saj drejt BE’së. Franca shprehu gatishmërinë për të mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori rus deklaroi se Rusia mbështet integritetin territorial të Serbisë, ndërkaq Rezoluta 1244, sipas tij, duhet të respektohet nga të gjithë. Ai tha se kosovarët janë duke injoruar rolin e UNMIK’ut, përkundër parimeve që përmban rezoluta. Diplomati rus tërhoqi vërejtjen se çdo hap i njëanshëm drejt zbatimit të Strategjisë për Veriun mund të minojë sigurinë në këtë pjesë të vendit. Sipas tij, në Kosovë nuk ka tregues se po rritet toleranca ndëretnike. Ai tha se mbështet plotësisht fjalimin e Jeremicit, ndërkaq ministri Hyseni “edhe kësaj here mbajti fjalim duke mos respektuar parimet e rezolutës 1244”.

Ai shprehu gatishmërinë e Rusisë për gjetjen e një zgjidhjeje brenda kornizës së rezolutës së OKB’së për Kosovën.

Ambasadori i Kinës përsëriti qëndrimin se Kina respekton integritetin territorial të Serbisë duke kërkuar zgjidhje të pranueshme për statusin e Kosovës që do të ishte e pranueshme për të dyja palët. Diplomati kinez kërkoi rol ndërmjetësues të UNMIK’ut në bashkëpunimin mes komuniteteve në Kosovë si dhe mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Edhe pse situata në Kosovë nganjëherë ka pasur incidente, situata e përgjithshme ka mbetur stabile”, tha ai.

Ambasadori i Bosnjës dhe Hercegovinës foli kryesisht për rolin e Misionit të OKB’së në Kosovë. Ai shprehu përkrahje për aktivitetin e UNMIK’ut për inkurajimin e pajtimit ndëretnik. Ai theksoi se ndërtimi i raporteve të mira mes shteteve në rajon është shumë e rëndësishme për Bosnjën. Diplomati boshnjak nuk paraqiti qëndrim lidhur me statusin e Kosovës.

Ambasadori i Turqisë tha se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm që do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe stabilitetit të rajonit.

Përfaqësuesi i Gabonit deklaroi se vendimi i GJND’së duhet të mbështetet në të drejtën e popujve për vetëvendosje.

Ambasadori i Meksikës tha se korniza e Rezolutës 1244 është hapësira brenda të cilës duhet kërkuar zgjidhja për Kosovën. Ai vlerësoi se siguria në Kosovë nuk është përmirësuar gjatë muajve të fundit, veçanërisht në veri. Ai kërkoi ndërhyrje më të madhe të UNMIK’ut dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që janë neutrale ndaj shtetit të ri.

Diplomati meksikan theksoi se derisa GJND’ja të japë vendimin, shtetet duhet të respektojnë parimin e neutralitetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›