Gjykimi Mujës, sot dëgjohen dëshmitarët

Seanca gjyqësore ndaj kryetarit të Prizrenit ,Ramadan Mujës dhe pesë drejtorëve të tij, do të vazhdojë sot me dëgjimin e dëshmitarëve. Ruzhdi Berisha, avokat mbrojtës i Mujës tha se në këtë seancë do të dëgjohen dëshmitarët e Prokurorisë, numri i të cilëve është gjithësej 30. Seanca gjyqësore edhe sot fillon në ora 10.
Në seancën e djeshme Prokuroria ka prezantuar disa dokumente si prova kundër Mujës dhe të tjerëve, e në bazë të cilave ajo pretendon se zyrtarët komunalë kanë tejkaluar kompetencat e tyre. Avokati Berisha tha se bëhet fjalë për disa dokumente të marra nga organet komunale. “Janë dokumente të cilat janë marrë nga organet komunale që janë përpiluar gjatë kohës së rregullimit të çështjes, ose të transferit të pasurisë ose lidhjes së kontratave të njërës apo tjetrës kompani me organet e komunës”, ka thënë tha Berisha.
Kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, i rëndon një aktakuzë 21 faqesh, me të cilën ai dhe Sadik Paçarizi – drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademaj – ish-u.d. së drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrës, Kadri Ukimeri – ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, Abdullah Tejeci – drejtor aktual i Gjeodezisë dhe Kadastrës dhe Minir Krasniqi – drejtor i Administratës, akuzohen për shpërdorim të pozitës zyrtare në dhënien e disa pronave shoqërore në shfrytëzim për disa kompani, me qëllim të përfitimit personal.Gjyqtari i procedurës paraprake, Vladimir Nikula, kohë më parë ka aprovuar kërkesën e Prokurores që po udhëheq ndjekjen penale, Natasha Vikeri për konfiskimin e dokumenteve të udhëtimit të të pandehurve./PrizrenPress/Indeksonline/