E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykojini të tjerët vetëm nëse keni dije sa ata

Ervin Shkulaku 

-Historian Analisti Fatos Lubonja para 2 ditësh ka hedhur baltë mbi figurën e Ramush Haradinajt. Për të mos folur më shumë rreth figurës së tij, sepse sot është kryetar i një partie politike në Kosovë, dëshiroj vetëm të jap mendimin tim rreth akuzës së Fatos Lubonjës. Fillimisht ai duke hedhur baltë mbi të në mënyrë tërthorazi ka hedhur baltë edhe ndaj Gjykatës së Hagës. Sipas tij kjo gjykatë ndërkombëtare me të padrejtë e ka liruar Ramush Haradinajn nga burgu, sepse janë zhdukur dëshmitarët. Pra, Ramushi qenka kaq i fuqishëm sa duke qenë në burg ka mundur të zhdukë dëshmitarët. Atëherë nëse kjo është e mundur pse familjarët e dëshmitarëve nuk po e akuzojnë personin në fjalë? Ahh po, nuk e akuzojnë sepse Gjykata e Hagës qenka e padrejtë, kur ishte kjo gjykatë që gjykoi diktatorin Sllobodan Millosheviç për masakrat e kryera në Kosovë. Atëherë sipas mendimit të zotit Lubonja kjo gjykatë në mënyrë të padrejtë ka dënuar diktatorin në fjalë dhe shumë diktatorë të tjerë. Kjo gjykatë qenka e paaftë!!! Një thënie popullore thotë: “Gjykojini të tjerët vetëm nëse keni dije sa ata”. Prandaj një analist nuk mund të gjykojë veprimet e një gjykate ndërkombëtare. Lind pyetja, kur ka qenë lufta e Kosovës, çfarë ka bërë z. Lubonja që të ndihmojë vëllezërit kosovarë? Meqenëse është analist, a ka dhënë reportazhe gjatë kohës së luftës në ndihmë të çështjes kosovare? Nëse i ka bërë këto atëherë unë e falënderoj me gjithë zemër, sepse kjo është puna që duhet të bëjë një analist. Njëkohësisht akuzon qeveritarët shqiptarë sepse i dolën në mbrojtje një vëllai kosovar. Miku i vërtetë duket në kohë të vështira dhe shqiptarët e kanë treguar këtë miqësi dhe vëllazëri për Kosovën, pikërisht në kohë të vështira. Është e vërtetë që sot shqiptarët kanë shumë probleme, por këto nuk zgjidhen duke i akuzuar shqiptarët si nacionalistë në revista të huaja, veçanërisht ato europiane. Ligjet, sipas kohës ndryshojnë, prandaj edhe në kohë lufte veprojnë ligje që i përshtaten kohës në fjalë. Po marr si shembull vitet 1914 - '20 kur Turqia ka qenë në luftë. Gjatë kësaj kohe u krijuan nga Mustafa Qemal Ataturku “Gjykatat popullore”. Këto gjykata arrestonin, edhe dënonin, deri me vdekje, çdo shtetas turk që dezertonte nga ushtria turke. Kështu fillmisht duhet të dimë ligjet që ka patur UÇK gjatë kohës së luftës dhe në këtë mënyrë mund ta analizojmë; dhe kjo analizë duhet të bëhet vetëm në mediat shqiptare.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›