E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referencat, mekanizëm korruptiv

Armand Bejkosala/përfaqësues i një biznesi tregtar

-Sistemi i referencave, i implementuar prej shumë kohësh në doganat tona, si nevojë ndoshta për të shmangur evazionin nga ana e subjekteve, ka gjeneruar dhe vazhdon të gjenerojë korrupsion, abuzim dhe diskriminim për subjektet deklaruese. Përpara zgjedhjeve të vitit 2005 çështja e referencave ka qenë problem shumë i debatuar dhe u bë një kalë beteje nga ana e PD-së, e cila premtoi se do të bënte një reformë rrënjësore për zgjidhjen e këtij problemi me ardhjen e saj në pushtet. Por në fakt, rezultoi se gjatë 8 vjetëve të mandatit të PD-së, jo vetëm nuk u krye asnjë reformë e tillë për t’i dhënë fund abuzimit dhe korrupsionit me referencat, por ai u thellua edhe më tej. Madje, sistemi i referencave u bë mjet për trajtim subjektiv të bizneseve që kishin bekimin e qeveritarëve, duke krijuar kështu një standard të dyfishtë, ku nga njëra anë qëndronte një apo dy kompani dhe nga ana tjetër, gjithë kompanitë e tjera, të cilave u mbahej “sëpata te koka”. Për ta bërë më konkret dhe më të qartë këtë problem na duhet të bëjmë prezent rastin më të fundit dhe më flagrant të para disa ditëve, kur doganierët e doganës së Fierit pasi u kishim paraqitur kontratën e lëvrimit të mallit që prej 2 muajsh, swiftet bankare të pagesës së faturave të mallit, si edhe të gjithë dokumentacionin e nevojshëm bashkangjitur praktikës doganore, refuzonin zhdoganimin me vlerë fature. Por arsyeja nuk ishte se u dhimbseshin paratë e shtetit, por u dhimbsej “gjoba” që duhej të jepnim për xhepat e tyre, e cila shkonte nga 30-40% e vlerës së shmangies nga referenca. Konkretisht bëhej fjalë për një produkt, për të cilin dogana ka vendosur një çmim reference 315$, mbi bazën e të cilit llogaritet vlera e doganës që duhet paguar dhe që këtë produkt kompania jonë e kishte blerë dhe paraqitur me faturë me çmimin 193.5$; e vërtetuar kjo me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm konform kodit doganor. Por pjesa më e shëmtuar dhe më ironike është se, pasi ne kishim një dëshmi të fortë, se i njëjti produkt ishte zhdoganuar nga një subjekt tjetër konkurent në doganën e Tiranës me çmimin 175$ ata përsëri refuzonin duke bllokuar praktikën doganore për dy ditë, me justifikimin se kishin frikë, se shmangia nga referenca ishte e madhe. Por në fakt gjatë dy ditëve ata nga ana tjetër bënin presion që ne t’u paguanim atyre “gjobën” për xhepat e tyre, ose përndryshe duhej të paguanim në bazë të çmimit të referencës prej 315$, që për ne do të thoshte humbje e sigurt. Por pasi u treguam këmbëngulës dhe i kërcënuam se do t’i denonconim u detyruan të çlironin mallin. Në fakt kjo kompani që dihet se, ka bekimin e ministrit 8-vjeçar të financave, ka pasur kurdoherë rrugë të lirë gjatë gjithë këtyre 8 viteve, ka vazhduar të zhdoganojë vetëm me transaksione. Megjithatë qëllimi këtu nuk është të gjykojmë kompaninë në fjalë, pasi është e drejta e saj të kërkojë zhdoganim me transaksion, por të bëjmë prezent këto lloj praktikash selektive dhe korruptive, që për të njëjtat kushte, të mund të zhdoganojnë të gjitha kompanitë. Qysh në vitin 2006, kemi hasur një fenomen të tillë. Bëhej fjalë për zhdoganimin e një produkti, të cilin ne e kishim blerë dhe faturuar me 26$ FOB (ku çmimi nuk përfshin transportin) dhe dogana e Durrësit në atë kohë kërkonte të aplikonte çmimin e referencës prej 80$. Duke qenë se nuk ishim dakord, sepse nuk mund të pranonim një diskriminim të tillë, kur kompania që ka bekimin e ministrit 8-vjeçar të financave, një produkt të tillë e shiste në dyqanet e saj për 35$. Pasi bëmë hulumtimet tona, zbuluam se të njëjtin produkt kjo kompani e kishte zhdoganuar me 18$ CIF (ku çmimi përfshin edhe transportin). Në këtë rast gjykimin dhe vlerësimin mund ta bëjë kushdo. Kuptohet që nuk mund të pranonim një gjë të tillë, sepse jo vetëm ishte një humbje dhe disavantazh për ne, krijuar me suportin e zyrtarëve me kostum të ri, por me zakone të vjetra, por ishte edhe një çështje principi që kishte të bënte me mospranimin e një standardi të dyfishtë. Pasi ishte e pamundur që të jepnim zgjidhje me drejtorin e doganës së Durrësit, Arben Ibro që nuk tregoi aspak gatishmëri për të zgjidhur këtë padrejtësi në rrugën e institucionit të tij, edhe pse na jepte të drejtë duke parë faktet dhe argumentet që ai vetë i shikonte në dritën e diellit, ngulte këmbë se duhet të zhdoganonim me referencë. Pasi e pamë se ishte e kotë iu drejtuam Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, në atë kohë Përparim Dervishi, duke iu drejtuar nëpërmjet protokollit për problemin që kishim. Por, pasi na la gjithë ditën duke pritur pas dere, dërgon bodigardin e tij dhe na komunikon se nuk na pret. Të ndodhur në këto rrethana i drejtohemi Zyrës së Antikorrupsionit, drejtor i së cilës në atë kohë ishte Enkelejd Alibeaj. Edhe aty nuk mundëm të zgjidhnim gjë, sepse nga një komunikim nëpërmjet telefonit me të, kuptuam se ai thjesht ishte një kukull që merrte rrogën në atë post. Pasi ezauruam edhe këtë hallkë, e cila ishte hallka e fundit e piramidës shtetërore që mund t’i jepte fund kësaj padrejtësie, iu drejtuam deputetëve të asaj kohe të qytetit tonë, të Vlorës, konkretisht Bujar Leskajt, të cilin përfitoj nga rasti ta falënderoj, pasi pati kurajën dhe e bëri prezent tek kryeministri. Çështja tek kryeministri nuk u shtrua thjesht se po bëhej një padrejtësi ndaj tre militantëve dhe mbështetësve të PD-së që e kishin mbështetur PD-në në kohët më të vështira edhe financiarisht, por si çështje parimore pasi bëhej fjalë për një standard të dyfishtë. Kemi ngelur thellësisht të zhgënjyer kur morëm vesh përgjigjen e thatë të kryeministrit: “Kam informacion”, duke e mbyllur me kaq këtë argument. Ishte zhgënjim, sepse kishim besim të paktën tek integriteti moral i Sali Berishës, për të cilin, për hir të së vërtetës, kishim sakrifikuar dhe ne, si qindra- mijëra mbështetës dhe militantë të PD-së, kur në 2001-n e ngritëm Sali Berishën në krahë në Urën e Mifolit, kur i duhej të hynte për herë të parë në Vlorë pas katastrofës së 1997-ës. Por ndoshta për Sali Berishën e 2006-ës pesha jonë specifike, për pushtetin e tij tashmë mund të ishte e papërfillshme, krahasuar me kompaninë së cilës ai dhe ministri i tij i Financave i kishin dhënë bekimin. Vetëm pasi u detyruam ta bëjmë prezent në media problemin, pikërisht në “Top Chanel” në vitin 2006, kasta e burokratëve me kostume të reja dhe zakone të vjetra, drejtorët e doganës, vendosën të na thërrisnin duke na thënë se kishim të drejtë dhe për këtë padrejtësi kishin menduar të ulnin referencat nga 80$ në 40$. Përgjigjja jonë ishte: “Pse mos të zhdoganojmë me vlerën e faturës 26$(FOB) ashtu si edhe konkurrenti jonë edhe pse ai ka zhdoganuar me çmim më të ulët 18$(CIF)”. Përgjigjja e tyre ishte: “Shikoni punët tuaja nuk keni punë me të tjerët”. Duke lexuar gjithë sa kemi përmendur më lart, për të shmangur subjektivizmin në raste të tilla do të ngrinim një pyetje: A mund të quhet standard një sjellje dhe qëndrim i tillë? Por nga e gjithë kjo odise, kuptuam se nuk mund të vazhdonim të përballeshim me një arrogancë të tillë, u detyruam të pranonim atë që na ofrohej: të keqen më të vogël. Sot kur e shikojmë të gjithë këtë nga optika e zgjedhjeve të 23 qershorit me zemër i mirëkuptojmë dhe u japim të drejtë të gjithë mbështetësve dhe militantëve të PD-së, që ashtu si edhe ne, janë të zhgënjyer dhe të irrituar nga shurdhëria, kapadaillëku, arroganca, makutëria, harbutllëku, mospërfillja e qeveritarëve. U dhamë pushtet me votën dhe sakrificat tona dhe pasi erdhën në pushtet, me duar të pastra veshën dorashka për të zhvatur sa të mundnin, që pastaj t’i heqin përsëri ato, duke pretenduar se i kanë duart e pastra.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›