E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqësia në Maqedoni, dorë e zgjatur e ekzekutivit

Shkup, 11 gusht- Reformimi i sistemit gjyqësor në Maqedoni është vazhdimisht në shënjestër të kritikave negative nga Bashkimi Evropian (BE). Sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian (KE) për ecurinë e Maqedonisë në vitin e kaluar, përparim i vogël është arritur në sferën e gjyqësisë. Edhe pothuajse pas një viti, problemet në gjyqësi mbeten të njëjta: ndikimi politik ndaj gjykatësve, mungesa e efikasitetit në azhurnimin e lëndëve të stërmbushura, buxhet i kufizuar dhe mjete të pamjaftueshme.
“Edhe pse gjatë kohë reformat në lëminë e jurisprudencës zhvillohen në mënyrë të shpejtuar, mungojnë rezultatet në praktikë. Plagë e vjetër mbetet ndikimi i politikës në gjyqësor, gjegjësisht i pushtetit ekzekutiv në gjykata. Problem tjetër mbetet dhe mungesa e efikasitetit në azhurnimin e lëndëve gjyqësore dhe si rezultat i kësaj prolongohet mundësimi i shërbimeve efikase gjyqësore me këtë dhe pengohet e drejta e qytetarëve”, thotë eksperti për çështje juridike, Naser Zyberi.
Me rekomandim të KE-së, në Akademinë për gjykatës disa vite me radhë zhvillohet trajnimi i gjykatësve dhe prokurorëve të rinj me qëllim që të ritet efikasiteti në reformat e gjyqësorit. Për Zyberin, edhe pse gjykatësit e trajnohen dhe rekrutohen në bazë të sistemit nga ky institucion, sërish ndikimi politik mbetet problemi numër një në jurispodencë.
Ekspertja juridike Neda Korunovska ka qëndruar në linjë të njëjtë mendimi duke theksuar se sistemi juridik ballafaqohet me shumë probleme.
”Kryesisht problemi qëndron tek trysnia politike mbi sistemin gjyqësor. Komisioni Evropian ka shprehur brengosje edhe për zvarritjen e azhurnimit të lëndëve gjyqësore si pasojë dhe vonesa në miratimin e vendimeve gjyqësore. Mund ta dalloj dhe problemin e Gjykatës Administrative e cila në praktikë ende nuk tregon rezultate”, tha Korunovska. Për të, formimi dhe puna e Akademisë për gjykatës dhe prokurorë deri më tani paraqet gjë pozitive në procesin e zhvillimit të reformave juridike.
Për zgjidhjen e problemit të ndikimit politik në sistemin gjyqësor eksperti për çështje juridike Naser Ziberi propozon që Ministri i Drejtësisë, Mihajllo Manevski të mos jetë anëtar i Këshillit Gjyqësor Republikan, gjykatat financiarisht të mos varen nga ekzekutivi por të kenë buxhetin e tyre individual si dhe materialisht të ndahen më shumë mjete për reformat kadrovike dhe reforma tjera në gjyqësor.

Iniciativë të ngjashme në pranverë u ndërmor nga liderët e partive politike më të mëdha në vend për ndryshime të Kushtetutës në pjesën e gjyqësisë, por një gjë e tillë nuk u realizua. Për shkak të mospërputhjes së qëndrimeve mes liderëve mbetën vetëm në letër  propozimet që të rritet numri i anëtarëve të Këshillit gjyqësor të zgjedhur nga radhët e gjykatësve me votim anonim, Ministri drejtësisë të mos jetë anëtar i këshillit, dhe  zvogëlim i mandatit të anëtarëve të këshillit që tani është gjashtë vite.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›