KFOR përgënjeshtron mediat serbe, aksioni i djeshëm nuk pati të plagosur
Mitrovicë- KFOR ka përgënjeshtruar lajmet e bëra publike në mediat serbe sipas të cilave dy serbë janë plagosur gjatë aksionit të djeshëm në Bërnjak.
Në një komunikatë KFOR-i konfirmon se trupat e tij kanë shtënë tre (3) plumba gome direkt në ajër, vetëm si paralajmërim, për të mos i lënë protestuesit të hipin në automjetin e KFOR-it tek Termohi. Ky incident ka ndodhur menjëherë pasi KFOR-i me sukses përfundoi një operacion duke mbyllur fizikisht rrugën alternative të Portës 16 në afërsi të Bërnjakut, kur demonstruesit kanë arritur për të protestuar kundër këtij aksioni. Si rezultat, asnjëri nga protestuesit nuk ka marrë lëndime.
Ndërkaq në komunikatë thuhet se vetëm një grua është prekur lehtë nga e gjithë situata dhe është ligështuar, por jo nga të shtënat.
Ushtarët e KFOR-it i kanë ndihmuar asaj duke e dërguar nën hije dhe duke i dhënë për të pirë lëngje. Pas kësaj, ajo e mori veten sërish, vijon komunikata.
Raportimi në disa media Serbe për dy persona të lënduar në kontekstin e protestës kundër mbylljes së rrugës alternative të Portës 16, nuk është i saktë, thuhet në fund të komunikatës së KFOR-it.
Mediat serbe publikuan dje lajmet per dy të plagosur gjatë aksionit të KFOR për mbylljen e vendkalimit të paligjshëm në Bërnjak.Madje ato edhe kanë akzuar KFOR si nxitëse të tensioneve në veri të Kosovës.
Ndërkohë mbreme rreth orës 2 pas mesnate, ushtarët e KFOR-it kanë hequr një barrikadë të re të serbëve, në rrugën që çon në fshatin Rudarë të Zveçanit.
Qytetarët nuk kanë shfaqur rezistencë dhe operacioni ka kaluar në mënyrë të qetë, raportojnë mediat serbe.