Gjyqësori, Mujës: Mos u përziej në punët e Gjykatës

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha, nuk i ka komentuar deklaratat e kryetarit të Komunës, Ramadan Muja, të drejtuara kundër kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore, Sylë Hoxha, por ka ftuar të gjithë zyrtarët institucionalë dhe pjesëtarët e shoqërisë që të kenë besim në pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Gjatë një konference për shtyp, Hoxha ka bërë thirrje që të gjithë aktorët të lejojnë që institucionet ta kryejnë detyrën në mënyrë të lirë dhe të pavarur.
"Mua nuk më takon që ta komentoj deklaratën e kryetarit të Komunës. Mirëpo edhe unë, edhe kryetari i Komunës, edhe ju gazetarët dhe qytetarët, të gjithë duhet të mësohemi dhe të krijojmë një besim te institucionet tona, t'i lejojmë institucionet që në mënyrë të lirë dhe të pavarur ta kryejnë punën e vet", ka thënë ai.
Kreu i kësaj gjykate ka përkujtuar se në rastin e kryetarit dhe të pesë bashkëpunëtorëve të tij, Prokuroria e ka kryer detyrën e vet dhe se tani çështja do të administrohet nga gjyqësori, shkruan "Koha Ditore"
Ai ka shtuar se pavarësisht nga aktakuza, duhet respektuar parimin e presumimit të pafajësisë, që nënkupton se këta persona janë të pafajshëm përderisa gjykata të vendosë ndryshe.
Numri një i gjyqësorit në rajonin e Prizrenit ka përkujtuar se Kodi i Ri Penal i Kosovës parasheh që afati i përcaktimit të lëndës pa paraburgim është 30 ditë, periudhë kjo gjatë së cilës duhet të mbahet seanca e parë fillestare, që sipas tij do të thirret nga gjyqtari përkatës i EULEX-it, i cili ka marrë përsipër gjykimin e rastit në bazë të kërkesës së Prokurorisë të misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë.
Ditë më parë, kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, pati hedhur poshtë akuzat e Prokurorisë së EULEX-it për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ka dalë në mbrojtje të të gjitha vendimeve të marra gjatë dy mandateve të qeverisjes së tij. Ai ka vlerësuar se këto vendime përmbajnë vizionin e ri për zhvillimin e qytetit të Prizrenit dhe se procedurat juridike kundër tij janë politike, që janë përgatitur nga eksponentët e degës së LDK-së.
"Për herë të parë dua të flas në lidhje me hartuesit e padive, shpifjeve dhe akuzave që janë ngritur ditë më parë nga opozita. Këto procedura janë iniciuar nga Ridvan Hoxha, i cili i mbështetur dhe përcjell nga Sylë Hoxha, kryeprokuror i Gjykatës (Prokurorisë v.j.) Themelore të qytetit dhe (ish) bashkëpartiak i Ridvan Hoxhës, që nga fillimi dhe në të gjitha fazat e mëvonshme deri tani. Kjo çështje është politike, është gatuar dhe e servuar politikisht nga kuzhinat e LDK-së", ka theksuar ai.
Ridvan Hoxha, kuvendar i LDK-së, ka theksuar se nuk merret me akuzat e Mujës, pasi që me të dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të merren organet e drejtësisë.
E, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, vazhdimisht ka theksuar se nuk merret me komentimet e zyrtarëve të Komunës, ngase angazhimi i Prokurorisë është i bazuar në ligj. Ndërkaq edhe bartja e rastit nga vendorët tek EULEX-i, sipas tij, "është bërë me qëllim të eliminimit të të gjitha dilemave të mundshme" në këtë drejtim.
Në anën tjetër, Muja është betuar publikisht se nuk ka shpërdorur detyrën zyrtare./Indeksonline/