E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK-ja në Suharekë akuzon Komunën për keqqeverisje

PDK-ja e Suharekës është ndërlidhur me mënyrën e implementimit të kontratës për shfrytëzim të hapësirës publike për vendosjen e tabelave dhe pankartave reklamuese në Suharekë, për të hedhur akuza drejt pushtetit lokal të kësaj komune që udhëhiqet nga AAK-ja. “Kompania fituese ka nisur t’i vendosë tabelat reklamuese pa leje përkatëse nga Urbanizmi dhe duke shkelur kontratën sa i përket rrugës në të cilën parashihet të vendosen tabelat, hapësirës dhe numrit të madh të tabelave”, thekson Florim Kryeziu, anëtar i PDK-së në KK të Suharekës. Ai bazuar në konstatimin e përmendur rreth kësaj kontrate, drejtuesit e pushtetit të Suharekës i ka quajtur frikacakë e të paaftë. “PDK-ja shpreh shqetësimin e saj lidhur me keqqeverisjen e Komunës nga njerëz frikacakë dhe të paaftë që e drejtojnë pushtetin aktual”, ka thënë Kryeziu.

Drejtori i Urbanizmit i Suharekës, Kurtesh Fondaj, i ka thënë KD-së se kompania fituese për vendosje të pankartave reklamuese në rrugën “Brigada 123” ka bërë disa lëshime. “Ka pasur disa shkelje të kontratës në rrugën “Brigada 123” dhe kompanisë ia kemi tërhequr vërejtjen për këta dhe sipas informatave ajo i ka evituar lëshimet”, ka thënë Fondaj. Nga ana tjetër shefi i anëtarëve të LDK-së në KK të Suharekës, Shefket Kolgeci, nuk ka parë ndonjë shkelje nga kompania fituese. “I kam numëruar panot reklamuese përgjatë rrugës ‘Brigada 123’ dhe nuk kam vënë re ndonjë shkelje”, ka thënë ai. Ndërkaq drejtori i kompanisë fituese për vendosje reklamash në Suharekë, “DHEED”, Ramadan Limaj, ka thënë se i është

përmbajtur marrëveshjes sipas tenderit të fituar. “Nuk kam

shkelur asnjë procedurë. I kam të paraparë për vendosje 128, pankarta në

shtylla metalike elektrike të ndriçimit publik të dimensionit 60 X 50

cm. dhe i kam vendosur vetëm 50 deri tashti dhe do të vendos 15 pano “city light” në tokë të dimensionit 120 X 90 cm, ndërsa i kam vendosur vetëm 8 sosh deri tashti”, ka njoftuar ai. Ndërsa ka sqaruar. “Fillimisht i kam hedhur disa pika vetë gabimisht, për mosdije dhe i kemi përmirësuar bashkë me Urbanizmin”.

Sipas ofertës publike numër 04/12 të miratuar nga Urbanizmi, të cilën e ka ofruar Limaj kësaj kompanie i lejohet vendosja e pankartave reklamuese veç në rrugën “Brigada 123” edhe në rrugët: ”Xhavit Syla”, “Zekë Bajraktari, “Besim Ndreca”, “Hajdin Berisha”, “Mulla Nura”, “Xhavit Bajraktari”, “Skënderbeu”, V.Qerçilli”, e “Endrit Kavaja”. Kompania “DHEED” e kishte marrë mbështetjen shumicë të këshilltarëve komunalë për vendosje pankartash reklamuese në dhjetor të vitit të kaluar ndonëse e ka pasur çmimin për rreth 20 euro më të lirë sesa një kompani tjetër. E KDI-ja me këtë rast i kishte akuzuar anëtarët e KK të Suharekës se nuk e kishin mbrojtur interesin publik. Drejtori i “DHEED” i ka thënë KD-së me gjithë dallimin e vogël në çmim me kompaninë tjetër, se ajo e ka merituar fitoren. “Mendoj se e kam pasur ofertën më të mirë dhe falënderoj këshilltarët komunalë që më kanë votuar, sidomos ata të PDK-së që ma kanë dhënë mbështetjen”, ka thënë Limaj.

Ai duke e ndërlidhur këtë falënderim, siç ka thënë, për faktin se është votues i PDK-së dhe kryeministrit Thaçi që nga viti 2007, ka thënë se nuk e di pse akuzohet tashti nga PDK-ja./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›