E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqet e mbretit Zog për “borxhet”

Mbreti nuk ka dëshirë të paguaje asgjë dhe për çdo gjë që detyrohet ta verë dorën në xhep ndien një dhimbje fizike. Edhe kur pagesa vendosej në parim, gjithnjë jepej me vonesë të madhe me gjithë kujtesat që i bënim Mbretit. Gjithmonë shuma që ishte për t’u dërguar duhej të kontrollohej personalisht prej Mbretit. Mbreti nuk merrte vesh nga llogaritë, pastaj duhej kërkuar leje dhe pastaj duhej kaluar për një kohë të gjatë që Mbreti të gjente kohën për të nxjerrë paratë nga kasat, një veprim ky që e mërziste pa masë. Vetëm shumë vonë Mbreti e kuptoi nevojën për një bankë. Deri atëherë paratë ishin në ar dhe duhej ndërruar vetëm në Bankën e Anglisë, sepse banka që i bënte dërgimet nuk kishte të drejtë ta bënte. Për këtë punë Mbreti kishte besim vetëm tek anëtarët e familjes së tij, të cilët s’kishin asnjë haber nga veprimet bankare dhe i ngatërronin veprimet midis ndërrimit të arit dhe pagimit të parave në Bankë aq sa kalonte një kohë e gjatë pa u bërë veprimet, sepse Mbreti kënaqej nga ana tjetër t’i mbante paratë në xhep. Edhe sikur të kishte vendosur që pagesat do t’i shlyente një ditë, priste gjithnjë me shpresë se mos e nesërmja sillte ndonjë të re që të ndalonte dërgimin e parave. Ndërkaq telefonat e legatave dhe sidomos asaj të Stambollit binin si breshër dramatik. Kështu që një veprim që duhej të ishte automatik ngatërrohej e zgjatej me javë të tëra. Banka çuditej pse kërkonim që paratë të dërgoheshin telegrafisht.

Po të merren parasysh sa thashë, kujtoj se do të pranohet se ata që u morën me këtë punë të mërzitshme për Mbretin dhe për ta, u duhej të merrnin një kredi. Që të kuptohet sa i shfrenuar ishte Mbreti me punën e shpenzimeve, po përmend vetëm dy shembuj. Nga korriku i vitit 1940-të dhe deri në korrik të vitit 1941, nuk kishim as penë e bojë për të shkruar, sepse s’ishte e mundur të vendosej shpenzimi prej 15 lira për blerjen e tyre. Deri në shkurt 1942 s’ka qenë e mundur të merrnim abonimin në një agjenci që dërgonte kopjet e gazetave ku përmendej Shqipëria, sepse harxhimi ishte 16 shelinga për çdo 50 copë. Që të autorizohem që të bëj këtë shpenzim, vetëm unë e di sa durim dhe këmbëngulje më është dashur. Çuditëm edhe vetë sesi e kam pasë atë durim. Më së fundi nga dhjetori i 1944 e premë shërbimin që të ekonomizojmë këto shelinga të shkreta. Që të mbaroj me tregimin e mërzitur po të nevojshëm të mizerieve tona, më duhet të them dy fjalë mbi gjyqet e Mbretit që filluan në atë kohë. Nuk kanë rëndësi politike, por tregojnë mirë rrethanat në të cilat punonim, dhe kanë pasur influencë mbi opinionin që u formua për Mbretin në qarqet prej nga prisnim simpati dhe ndihmë. Me rastin e tyre na u dha gjithashtu mundësia të kemi prova se qeveria angleze e quante mbretin si privat të thjeshtë, kjo na ndihmonte të gjykojmë pozitën tonë juridiko-politike dhe të politikës angleze pas pushtimit të Shqipërisë. Gjyqet rrodhën të gjithë, sepse Mbreti nuk kishte qejf të paguante.

Incidenti në Francë

Duke treguar një histori tonën në Francë, do përmend gjyqin e Horrowitz-it, i cili kërkonte pagesën për disa manto (shën. red. raft rrobash), që motrat e Mbretit kishin blerë nga dega e tij e Vjenës. Mbreti thoshte se kishte paguar, por nuk e kishte dëftesën (faturën). Horrowitz-i pretendonte që s’ishin paguar dhe kërkonte disa mijë lira. Me këtë punë u mora tri javë dhe arrita të bëj një ujdi. Mbreti pagoi këto para pas tre viteve. Natyrisht kjo punë ishte një punë private dhe s’ishte punë për mua. Por kush është ai që nuk do të mundohet të ujdisë një punë të këtillë të Mbretit të vet në mërgim, me qëllim që të evitoja gjyqet dhe publicitetin që lidhet me ta. Kush ishte ai, i cili duke mos ditur mentalitetin e Mbretit, do të vinte në dyshim fjalën e tij para fjalës së një tregtari të huaj? Horrowitz-i është dhe personazhi “dallavere” që përmend z. Zavalani në gazetën “Liria” të asaj kohe në mbrojtje të Mbretit.

Gjyqi me Çatin Paskal Saraçin për qentë e Mbretit

Po këtë kohë filloi gjyqi i famshëm me Çatin Saraçin, i cili vazhdoi me vite dhe i kushtoi Mbretit më shumë sesa do t’i kushtonte pagimi i pretendimeve të zotit Saraçi. Zotëria e tij kërkonte 250 lira për çdo qen që kishte blerë për Mbretin në kohën që e kishte zakon t’i bënte çdo lloj shërbimi Mbretit. Mbreti thoshte se ia kishte paguar qentë. Shumë më vonë mësova se qentë (shën. red. një nga pasionet e mbretit ishin dhe dy qen të mëdhenj, që ai i mbante si pjesëtarë të familjes) ishin paguar nga fondi i Ministrisë së Brendshme, gjë mjaft e zakonshme në Shqipërinë e mbretit Zog, ku rronin Saraçët.

Por sërish, kush është ai i cili atëherë ose sot do të hezitojë të zgjedhe midis fjalës së Mbretit dhe të zotit Saraçi? Me gjithë këtë, për t’i shmangur gjyqet, e këshillova Mbretin të paguante edhe një herë. Gjithë shqiptarët e Londrës, pa përjashtim, ndërmjetësuan për këtë punë midis Mbretit dhe Saraçit. Unë vetë nuk e takova kurrë zotërinë e tij në Londër, por e kam takuar në Paris. Por Mbreti nuk donte të paguante dhe zoti Saraçi bëri padinë në gjyq. Nga qarku i Mbretit isha i vetmi që dija diçka nga ligji, dhe mund të flisja me avokatët. Nuk kisha si t’ia refuzoja Mbretit këtë shërbim. Natyrisht kur e mora punën përsipër bëra të pamundurën që të fitohej gjyqi. Jo vetëm se nuk jam i bindur që zoti Saraçi kishte qenë i paguar me një mënyrë ose me një tjetër, por pse mendoj se dinjiteti i Mbretit në atë kohe ishte dinjiteti i shtetit.

Fatkeqësisht, atë që unë desha t’a evitoj duke këshilluar Mbretin t’i hapë rrugë zotit Saraçi, nuk u evitua. Gjyqi anglez, si gjyqi francez më parë, u deklarua kompetent që të gjykojë çështjen. Këtë vendim gjyqi e mori duke u bazuar mbi një letër të Foreign Office-it.

Sipas letrës, do të thotë se në sytë e qeverisë angleze Mbreti ishte një njeri privat dhe se Anglia e kishte njohur pushtimin e Shqipërisë nga Italia, dhe se teoria jonë mbi legalitetin ishte asgjë, në sytë e Anglisë të paktën. Një vërtetim të tillë zyrtar, një sqarim të këtillë të gjendjes sonë, kisha dashur ta evitoj kur e këshillova në Paris S. Stavri të evitonte gjyqet, dhe kur e këshillova po për këtë qëndrim Mbretin në Londër. Por asnjëri as tjetri, për arsyet e tyre personale dhe për arsye të ndryshme, nuk e pranuan këshillën time.

Nuk kam nevojë të bisedoj arsyet e tyre, por kujtoj se vazhdimi i konfuzionit mbi punën e legalitetit ishte i domosdoshëm për vazhdimin e luftës sonë. Kur lufton njeriu për kombin e tij s’ka gjë pse kapet pas një druri të kalbur. Ata që deshën të presin vetë këtë dru nuk i kuptoj. Por çuditëm që as kundërshtarët e huaj e as kundërshtarët e Mbretit nuk e përdorën këtë armë të fortë për të provuar dobësinë juridike të Shqipërisë dhe Mbretit. A thua nuk e kuptuan rëndësinë e argumentit? Bomba e rënë prej letrës së Foreign Office-it ishte një bombë e pritur prej meje, por një bombë shkatërruese për punën tonë kombëtare. Natyrisht nuk ishte detyra e një shqiptari të dalë mbi çati për të përhapur këtë lajm të keq, për hatrin e së vërtetës absolute. Mundet që zotërinjtë Saraçi, Zavalani, Çekrezi dhe Duma nuk e përdorën këtë armë, sepse e kuptuan rrezikun që i sillte Shqipërisë. Fundi i fundit vendimi i gjyqit të Londrës ishte i vlefshëm vetëm për Anglinë, dhe nuk ndërronte pozitën ndërkombëtare të Mbretit. Mosnjohja nga një ose nga dy shtete nuk shkatërron zhdukjen e një shteti ose një qeverie në fushën ndërkombëtare. Për këtë duhej veprimi i shumicës së paktë të shteteve. Fakti që disa qeveri vazhdonin të njoftonin Mbretin, kujtoj se më detyronte mua të vazhdoja të mbroja teorinë e legalitetit, megjithëse e dija dobësinë e saj. Sa për tani, mbarova me mizeriet tona të vogla ose të mëdha. Kujtoj se pikturova qartazi gjendjen e çështjes shqiptare nga çdo pikëpamje gjatë periudhës së parë në Angli, e cila vazhdon deri më 28 tetor 1940.

Vijon nesër

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›