Agolli nuk premton asgjë: Dua të jem, por Karabaku…
Kuzhe po vuan shumë që të bindë lojtarët bazë të përfaqësueses kuqezi që të mos i bëjnë bisht miqësores me Argjentinën. Por ka edhe nga ata që duan të jenë në fushën e lojës, ndonëse jo gjithçka është ën dorën e tyre. I tillë është rasti i Ansi Agollit. Mesfushori kuqezi që militon në kampionatin azerbajxhanas në radhët e FC Karabakut dëshiron të jetë përballë Mesit me shokë, mbase për të shklyer disi edhe atë paraqitje aspak mbresëlënëse kundër Bosnjes, por skuadra e tij ka vënë veton, duke e ndalur atë, madje edhe Admir Telin, që t’i bashkohen fushatës argjentinase. “Dua të jem, por deri tani nuk kam mundur që të bind drejtuesit e Karabakut që të më japin leje, pasi ndeshja kundër Argjentinës nuk zhvillohet në një ditë të lirë të FIFA-s. Në situatën time është edhe Teli, i cili po ashtu do që të jetë kundër Argjentinës,” konfirmon Ansi Agolli. Ndryshe nga Cana, Bogdani apo edhe Curri, që për arsye të ndryshme e kanë refuzuar ftesën për këtë sfidë, Agolli është në listën e atyre që duan të jenë, por që fatkeqësisht rregulli i FIFA-s nuk mund ta imponojë Karabakun që ta lerë të lirë, si atë, ashtu edhe Telin.
Cana konfirmon: Jam më pranë Lacios
Lorik Cana dëshiron të shkojë te Lacio, por duhet të presë vendimin e Muslerës, që mund të transferohet te Gallatasaraji gjatë këtyre ditëve. Ja si e komenton situatën lojtari shqiptar që militon në klubin turk. “Transferimi nuk mund të zyrtarizohet ende – shpjegon 27-vjeçari i kombëtares shqiptare – por Lacio është rregullisht në kontakt me Gallatasarajin. Ka edhe skuadra të tjera që më duan, por bardhekaltërit janë në avantazh. Nuk bëhet fjalë për çështje ekonomike, por ambicie: do të largohem nga Turqia sepse këtë vit gjërat nuk shkuan mirë. Lacio është një klub i madh që do të më lejonte të rikthehesha protagonist në Europë”. Cana ka vendosur që të heqë dorë nga 700-800 mijë euro në vit: Në Stamboll fitonte 2.5 milionë euro në vit ndërsa në Romë do të fusë në xhep 1.7-1.8 milionë euro. Gjatë javëve të fundit kontaktat mes klubeve janë bërë më të shpeshta. Një takim është zhvilluar edhe në Zenicë në prezencë të trajnerit Reja, ku Cana dhe Tare kanë diskutuar për detajet ekonomike.