E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi, Elsa Lila 15 minuta sy më sy me vrasësin e nënës së saj

 

Dje avokati mbrojtës i Albenc Agos, i dënuar me 20 vjet për vrasjen e Eva Vishajt, kërkoi rivendosjen e çështjes në afat për gjykim në Apel

TIRANË- Gjatë seancës së djeshme gjyqësore të mbajtur në sallën nr.1 të katit të parë të Gjykatës së Tiranës, këngëtarja Elsa Lila u përball rreth 15 minuta me "vrasësin" e nënës së saj, të pandehurin Albenc Ago i dënuar për këtë vrasje në mungesë këtu e tre vite më parë me 20 vjet heqje lirie. Por pasekstradimitnga shteti italian, ku u arrestua nga Interpoli si i kërkuar ndërkombëtar, i pandehuri Ago me ndihmën e avokatit mbrojtës ka depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë kërkesën penale të rivendosjes së çështjes së tij në afat për gjykim pranë Gjykatës së Apelit.Kjo pasi, afati i ankimimit të vendimit pranë kësaj gjykate ka përfunduar 6 muaj pas dhënies së këtij vendimi. Mbrojtësi kërkoi nga togat e zeza të Gjykatës së Shkallës së Pari t'i japin të drejtë të pandehurit të rivendosë në afat çështjen për t'u gjykuar pranë Gjykatës së Apelit. Kështu, gjatë seancës së djeshme gjyqësore, gjyqtari i vetëm i çështjes pas solemnitetit të hapjes së procesit i dha fjalën mbrojtësit ligjor të të pandehurit Albenc Ago avokatit Ilia Pano, i cili gjatë leximit të kërkesës së firmosur nga i pandehuri kërkoi nga gjykata që t'i jap të drejtën për ta rivendosurnë afat çështjen e tij për gjykim në Gjykatën e Apelit. Sipas mbrojtësit, me pranimin e shqyrtimit të dosjes në Gjykatën e Apelit, do të kërkohet rikthimi i dosjes edhe njëherë për gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, meqenëse gjykimi dhe dënimi ndaj tij është dhënë në mungesë. Sipas mbrojtësit Pano, me dhënien e të drejtës për gjykim në Gjykatën e Apelit, vendimi i Shkallës së Parë do të kërkohet të prishet pasi vetë i pandehuri ka prova të reja në lidhje me vrasjen e shtetases Eva Vishaj, për të cilën është dënuar në mungesë me 20 vjet burg. Gjatë seancës së djeshme, pas fillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe leximit të kërkesës së mbrojtësit të të pandehurit Ago, gjyqtari vendosi të ndërpresë seancën gjyqësore me kërkesë të avokatit që të administrohet si provë në këtë gjykim i gjithë fashikulli i gjykimit të çështjes së Albenc Agos, ku u dënua me 20 vjet burg. Ndërkohë, të vetmet fjalë që nxori nga goja "vrasësi" i nënës së Elsa Lilës në seancën e djeshme ishte se pranon të mbrohet me avokatin e zgjedhur prej pjesëtarëve të familjes, Ilia Pano, fjalë këto të thëna pa i hequr sytë nga gjyqtari që ishte ulur në poltronën e lartë të sallës së gjyqit. Ndërkaq, në momentin që i pandehuri Ago hyri në sallën e gjyqit ai shkëmbeu shikimin me vajzën e viktimës së tij, e cila ishte ulur në një qoshe të sallës bashkë me dajën e tij, avokatin Sajmir Visha. Me një ton të ulët të avokatit mbrojtës dhe gjyqtarit të çështjes përfundoi seanca gjyqësore, për të vazhduar javën tjetër me administrimin e provave të sjella nga mbrojtësi ligjor. Pas përfundimit të seancës gjyqësore, këngëtarja Elsa Lila nuk pranoi të prononcohet, duke u larguar nga oborri i gjykatës nën shoqërimin e të afërmëve të saj. I pandehuri Albenc Ago u dënua rreth tre vite më parë me 20 vjet heqje lirie, për veprën penale të "vrasjes me dashje" të shtetases Eva Vishajt, në maj të vitit 1997 ku trupi i saj u gjet i goditur me plumb në kokë në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në kilometrin 29. Arrestimi i tij u krye në gusht të vitit 2006 nga ku u ekstradua vetëm muajt e parë të kij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›