Aksidenti i djalit të Moisiut, prokuroria duhet të kthejë 75 mln lekë
Paratë e paguara si dëmshpërblim nga Byroja e Sigurimeve tani duhet të jepen nga Prokuroria
TIRANË- Anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Admir Thanza, njëkohësisht gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, pas 16 seancash gjyqësore vendosi dje pranimin e kërkesë-padisë së Byrosë Shqiptare të Sigurimit, duke urdhëruar Prokurorinë e Përgjithshme t'i kthejë palës paditëse shumën prej rreth 7.5 milionë lekë të reja. Shumë kjo e paguar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit familjes së ish-Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, pas vdekjes së djalit të tij të vetëm Admirit në aksidentin rrugor të ndodhur këtu e 50 muaj më parë, si dhe për lekët e kurimit të shtetasit Rrahman Jata që mbeti i lënduar nga ky aksident tragjik. Kështu, sipas diapozitivit të vendimit të lexuar dje nga gjyqtari Thanza, ndër të tjera thuhet se "Gjykata vendosi pranimin e kërkesë-padisë së palës paditëse, Byrosë Shqiptare të Sigurimit, si e bazuar në prova dhe në ligj. Detyrimin e palës së paditur, Prokuroria e Përgjithshme, t'i kthejë palës paditëse (Byrosë Shqiptare të Sigurimit) shumën prej 7.505.215 lekë, shumë e cila është paguar nga kjo e fundit për vdekjen e të ndjerit Admir Moisiu dhe dëmtimet e shëndetit të shtetasit Rrahman Jata si dhe shpenzimet gjyqësore". Sipas vendimit të togave të zeza, shkaku që Prokuroria e Përgjithshme duhet t'i paguajë vetë lekët e dëmshpërblimit ndaj djalit të ish-Presidentit Alfred Moisiu, Admirit, dhe lekët e shërimit të financierit të këtij institucioni Rrahman Jata është se makina me të cilën po udhëtonin tre pasagjerët ishte e pasiguruar në asnjë kompani sigurimesh private apo shtetërore. Kështu me vendimin e djeshëm, çështja me numër 1291 e regjistruar pranë kësaj gjykate me datë20 shtator të vitit 2007 deklarohet e shqyrtuar dhe e pranuar pjesërisht, pasi gjykata vendosi të mos pranojë shumën e kërkuar nga Byroja Shqiptare e Sigurimeve me vlerë rreth 9.5 milionë lekë të reja të paguara nga sigurimet ndaj familjes Moisiu dhe Jata. Ndërkaq, sipas kërkesë-padisë dorëzuar në shtator të vitit të kaluara, Byroja Shqiptare e Sigurimeve kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme, kthimin e shumës prej 9.421.390 lekë, e cila është paguar nga pala paditëse për vdekjen e të ndjerit Admir Moisiu dhe shërimin e dëmtimeve të shëndetit të shtetasit Rrahman Jati si dhe të gjitha shpenzimet gjyqësore. Por, pas 16 seancave gjyqësore, gjyqtari Thanza vendosi duke mos pranuar kërkesëpadinë plotësisht, pasi në vendimin e gjykatës thuhet se shuma që organi qendror i akuzës duhet të paguajë ndaj Byrosë Shqiptare të Sigurimeve është 7.505.215 lekë të reja. Sipas kërkesëpadisë, ka qenë ora 10:00 e paradites së datës 10 mars të vitit 2004, kur shtetasit Admir Moisiu, Rrahman Jata dhe shoferi i tyre, Artan Shkreli, ishin nisur për në Gjirokastër për një inspektim në prokurorinë e këtij rrethi. Me të mbërritur në afërsi të vendit të quajtur Uji i Ftohtë, në një ndër kthesat më të vështira ka ndodhur edhe ngjarja tragjike.Makina e tipit "Mitsubishi Pajero" me targë 387 E 659, me të cilën udhëtonte djali i presidentit Admir Moisiu, drejtuesi i automjetit Artan Shijaku dhe financieri Rrahman Jata, ka dalë nga rruga nacionale dhe ka përfunduar në lumin Drinos. Pas nxjerrjes së trupave dhe kryerjes së riteve fetare, Byroja Shqiptare e Sigurimeve i pagoi familjes së Alfred Moisiut shumën prej rreth 9.5 milionë lekë të reja, ku përfshiheshin edhe shpenzimet e shërimit të financierit Rrahman Jata. Kjo shumë u pagua nga Byroja Shqiptare e Sigurimeve në bazë të ligjit "Për sigurimin e detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorike, për përgjegjësinë ndaj personave të tretë". Por, pas kryerjes së akt-ekspertimit të makinës dhe ikjes së ish-Presidentit Moisiu nga detyra e kreut të shtetit, Byroja Shqiptare e Sigurimeve paditi në Gjykatë Prokurorinë e Përgjithshme duke i kërkuar lekët e paguara familjes Moisiu për humbjen e djalit të vetëm të tyre. Pasi makina me të cilën po udhëtonin ishte e pasiguruar. Sipas pretendimeve të përfaqësuesit ligjor të kësaj byroje, "në bazë të ligjit, familja e viktimës në rast aksidenti duhet dëmshpërblyer, pavarësisht dokumentacionit të makinës, sigurimit të saj apo jo, dhe kur është pasagjer. Kur bëhet fjalë për drejtuesin, ka të tjera procedura. Në rastin konkret, Byroja pretendon se makina në pronësi të organit qendror të akuzës nuk ishte e siguruar dhe si pasojë, nuk i takon asaj të paguajë për vdekjen e të ndjerit Admir Moisiu, i cili ishte pasagjer, në bazë të ekspertizës, por për këtë duhet të paguajë institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme.