Gjyqi i Haradinajt, priten raportet permbyllese te paleve
Javen e ardhshme pritet te mbyllet ne Hage gjykimi ndaj ish-kryeministrit te Kosoves, Ramush Haradinaj, me raportet perfundimtare te mbrojtjes dhe prokurorise. Sic eshte mesuar, kjo pritet te ndodhe nga 21-23 janar. Prokuroret e Hages kerkuan para disa ditesh nga 25 vite burg per Haradinajn, ish-komandant i UCK-se per Zonen e Dukagjinit, si dhe bashkeluftetaret e tij, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj. Deri tani mbrojtja nuk ka dale me ndonje reagim te vecante, por opinioni i gjere ne Kosove pohon se Haradinaj eshte i pafajshem.
Para disa muajsh, mbrojtja e Haradinajt u shpreh se prokuroria nuk ka deshmuar ne asnje pike akuzat dhe nuk e pa te arsyeshme te sjelle deshmitare ne gjyq, duke besuar se pafajesia eshte siguruar nga vete deshmitaret e pales kundershtare. Vendimi i mbrojtjes qe mos te paraqitet me deshmitaret e saj, e shkurtoi procesin gjyqesor. Ne gjyqin ndaj Haradinajt jane zhvilluar rreth 120 dite seanca, gjate se cilave akuza perfundoi me deshmite duke sjelle ne gjyq rreth 80 deshmitare.
Haradinaj u dorezua vullnetarisht ne Gjykaten e Hages me 9 mars 2005, pasi nje dite me pare kishte dhene doreheqjen nga funksioni i kryeministrit te Kosoves, menjehere pasi u njoftua per ngritjen e aktakuzes. Me 9 qershor 2005, me vendim te Gjykates se Hages, Haradinaj u lirua nga paraburgimi deri para fillimit te gjykimit, ndersa me 26 shkurt 2007 shkoi perseri ne Hage, per te qene i pranishem ne procesin gjyqesor. Festat e fundvitit dhe Vitin e Ri 2008, Haradinaj i kaloi ne familjen e tij, ne Kosove, i liruar perkohesisht nga gjykata. Ai u rikthye ne Hage me 4 janar.
Aleanca per Ardhmerine e Kosoves (AAK), partia e kryesuar nga Haradinaj, eshte shprehur disa here publikisht se beson ne pafajesine e kryetarit te saj dhe pret kthimin e tij te shpejte ne Kosove. Per sot pasdite, Keshilli Drejtues i AAK-se ka paralajmeruar nje mbledhje me dyer te mbyllura.