E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi i Mubarak perleshje jashte salles se gjyqit

Hosni Mubarak rikthehet me barrelë në sallën e gjyqit. Ish-  presidenti i Egjiptit, 83- vjeçar e me probleme kardiake, është transportuar me helikopter në akademinë ushtarake të Kajros. I veshur me një komplet sportiv blu ai hyri sërish në barelë në sallën e gjyqit.  Nëse shpallet fajtor Mubarak, përballet me dënimin me vdekje për urdhërin e vrasjes së protestuesve në kryengritjet e këtij viti.

Në  bankën e të akuzuarve janë dhe djemtë e tij Alaa dhe Gamal. Ata mohojnë akuzat për korrupsion. Ashtu si në seancën e parë, gjyqtarit iu desh të lufton për të rivendosur qetësinë në sallën e gjyqit, duke iu referuar dhe faktit se paneli i avokatëve tejkalon 100 persona.

Qindra policë qëndronin jashtë akademisë së policisë pa mundur të evitonin megjithatë përleshjet. Një numër përkrahësish të  Mubarak hodhën parulla: "Ai është egjiptian deri në vdekje" dhe "Hosni Mubarak nuk është Sadam". Përleshjet shpërthyen në intervale të rregullta me protestuesit anti-Mubarak. 

Trashëgimia Mubarak prek çdo pjesë të Egjiptit dhe përballja me të, do ti japë formë shoqërisë së re, thonë analistët. Megjithatë egjiptianët janë të ndarë në lidhje me të kaluarën dhe për atë që vjen më pas.

Seanca e së hënës u dominua nga argumentat ligjore. Ndërsa  familjet e viktimave kërkojnë qasje më të madhe tek të dhënat dhe provat në lidhje me urdhërat e dhënë nga presidenti Mubarak, avokatët mbrojtës kanë kërkuar që  Marshalli Mohamed Hussein Tantawi, i cili kryeson Këshillin Ushtarak që ka marrë frerët e pushtetit në Egjipt  të dalë në bankën e dëshmitarit, ku në fakt  pritet të  ngjiten 1600 vetë sipas listës së paraqitur nga avokatët mbrojtës.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›