E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi me “General Electrics”, qeveria 50 milionë për avokatët

Autori i Lajmit: Redaksia
Qeveria shqiptare ka akorduar 50 milionë lekë për një studio ligjore italiane, që do të mbrojë palën shqiptare në gjyqin ndaj “General Electrics”. Kjo e fundit e ka hedhur në gjyq qeverinë shqiptare për prishejn e njëanshme të kontratës për ndërtimin e një treni elektrik në vendin tonë.
Fondi shtesë është miratuar dje me vendim qeverie dhe i kalon Ministrisë së Transporteve. Fondi do të përdoret për të paguar avokatët të cilët do të mbrojnë palën shqiptare në gjyqin e Apelit në Romë me kompanisë “General Electrics”.
Vendosi
Këshilli i Ministrave vendosi dje që Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, zëri “Shpenzime operative”, ti shtohet fondi prej 5 083 755, për detyrimin ndaj studios ligjore “Grimaldi & Associatti”, për përfaqësimin e mbrojtjen në Gjykatën e Apelit, Romë, në çështjen gjyqësore ndërmjet General Electrics, Athena S.P.A, vs, kundër Republikës së Shqipërisë. Në pikën e dytë të vendimit, thuhet se fondi të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Qeveria ngarkon Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit e Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi i cili hyn në fuqi menjëherë.
Beteja me General Elektric
Kompania amerikane General Elektric fitoi betejën ligjore në arbitrazh kundër Shqipërisë, duke arritur të marrë një dëmshpërblim prej 20 milionë euro, e cila është vendosur në formë gjobe si ndëshkim ndaj Shqipërisë për prishjen e njëanshme të kontratës nga Ministria e Transporteve në Tiranë. Fatura e kripur financiare do të duhet të paguhet nga shteti shqiptar në zbatim të vendimit të gjykatave ndërkombëtare, të cilat dënuan Shqipërinë për kontratën e prishur me General Electric, e cila ishte miratuar nga qeveria e drejtuar nga Kryeministri Fatos Nano, në vitin 2003. Një gjykatë amerikane konfirmoi dënimin e dhënë më parë nga Gjykata ndërkombëtare e arbitrazhit me qendër në Paris. Kontrata me General Electric u prish në vitin 2005, pasi qeveria shqiptare i dha rrugë një projekti për një tjetër linjë hekurudhore mes Tiranës dhe Kavajës. Pas dënimit me 20 milionë euro gjobë në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris, qeveria shqiptare e apeloi vendimin, ku sërish dënimi është lënë në fuqi ndërkohë që procedura gjyqësore ndërkombëtare po vazhdon.

Ky lajm është publikuar: 22/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›