Gënjeshtra si mekanizëm i mbijetesës Nga Mero Baze, "Faktori Plus"Po lexoja sot një shkrim plot gënjeshtra të Blendi Fevziut. Besoj se e ka lexuar edhe Sali Berisha. Gazetari shkruante se ishte njoftuar nga Tirana për një takim mes Fatos Nanos dhe Sa
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Gënjeshtra si mekanizëm i mbijetesës Nga Mero Baze, "Faktori Plus"Po lexoja sot një shkrim plot gënjeshtra të Blendi Fevziut. Besoj se e ka lexuar edhe Sali Berisha. Gazetari shkruante se ishte njoftuar nga Tirana për një takim mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës në Hotel Grand në Vjenë dhe kur kishte zbritur nuk i kishte parë se ku ishin. Në të vërtetë ka disa dëshmitarë në hollin e Hotel Grandit që provojnë se kronikani në fjalë, ka qenë së bashku me Berishën kur aty ka ardhur edhe Fatos Nano. Ky detaj nuk do t’ia vlente të komentohej, nëse nuk kishte të bënte me një kryeministër dhe një ish-kryeministër. Një gazetar që tenton të bëjë kronikën e kësaj ngjarjeje, gënjen pa pikë turpi dhe të dy kryeministrat ia pranojnë. Ky fenomen i të mësuarit me të lexuar një gënjeshtër gati-gati pa shkak, është një dimension i turpshëm i kësaj klase politike.
Së pari, dua të sqaroj se gënjeshtra e gazetarit Blendi Fevziu është krejt e panevojshme dhe krejt e padëmshme. Askush nuk është shumë i interesuar nëse ishte aty Blendi Fevziu apo jo, nëse e organizoi ai takimin apo jo dhe nëse e mori vesh nga Tirana apo e pa me sytë e tij. Ngjarja është krejt e parëndësishme. E rëndësishme, madje e frikshme këtu është që një gazetar gënjen për një gjë krejt të parëndësishme dhe përdor këtu dy kryeministra dhe kjo duket normale. Unë dhe kolegë të mi, që e njohim gjatë Fevziun, jemi mësuar me gënjeshtrat e tij pa shkak dhe nuk na bën shumë përshtypje gënjeshtra e radhës. Por kryeministrat tanë, ai që ka qeverisur dje dhe ky që qeveris sot, duhet të kenë së paku një raport moral me të vërtetën. Dhe kur ata tolerojnë gënjeshtra të tilla pa shkak, vetëm që të provohet se një gazetar ishte në sedilien e pasme të tyre, po jo aq afër me ta, do të thotë se ata janë të gatshëm të gënjejnë për çdo gjë tjetër. Pas kësaj, unë e kuptoj se sa lehtë Sali Berisha ka deklaruar publikisht se miku i djalit të tij Selmanllari nuk ka biznese me Delijorgjin, ndërkohë që i ka pritur ne zyrën e tij dhe u ka dhënë mbështetje politike. Pas kësaj unë e kuptoj se një kryeministër për të justifikuar dështimin e tij në menaxhimin e kaskadës së Drinit i gënjente shkodranët në janar duke u thënë se kjo gjë përsëritet një herë në 100 vjet, por në fakt po përsëritet çdo muaj. Pas kësaj e kuptoj se si ai tund letra false në dorë në Kuvend për qendra votimi që nuk kanë dalë me zero dhe në faqen zyrtare të KQZ ka dhjetra të tilla. Pas këtij detaji të vogël diskretitues, kur ata tolerojnë një gënjeshtër për një kafe të zakonshme pune mes dy ish-kryeministrash, vetëm për ta bërë të ndjehet i vetëkënaqur një kronikan i tyre, e kupton fare qartë se ata nuk kanë asnjë mekanizëm tjetër për të mbijetuar në politikë përveç gënjeshtrës.