E Diel, 1 Nëntor 2026

Droga, prokurori i Antimafias së Leçes në Tiranë

Autori i Lajmit: Redaksia

Mbërrin në Tiranë prokurori i Antimafies së Leçes, Cataldo Motta, i cili pritet të kërkojë bashkëpunimin e prokurorisë shqiptare për luftën kundër drogës mes dy vendeve.
Motta do të takohet dhe me kryeprokuroren, Ina Rama dhe krerë të Policisë së Shtetit. Burime jo zyrtare pranë organit të akuzës bëjnë me dije se qëllimi i vizitës së Motës në Shqipëri është luftimi i rrjeteve të drogës që operojnë nga Shqipëria drejt Italisë. Nga sa mësohet në qendër të takimit do të jetë dhe bashkëpunimi më i fundit mes dy prokurorive asaj të Leçes dhe prokurorisë së krimeve të rënda, ku në 19 shkurt janë arrestuar 52 persona për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa operacioni vazhdon dhe të tjerë persona dyshohet të kenë lidhje me këtë trafik të narkotikëve. Kështu, gjatë qëndrimit në vendin tonë përveç takimeve me drejtues të policisë, prokurori i antimafies së Leçes mund të takojë edhe drejtues të prokurorisë apo edhe institucioneve të tjera të drejtësisë.
Droga nga Lazarati
Mota vjen në Shqipëri në kohën kur Policia e Shtetit ka intensifikuar luftën kundër drogës në fshatin më të njohur në vend për prodhimin e kanabisit, Lazaratin. Në operacionin famshëm mes "sun rise" në Itali u hetua dhe konfirmua se kanabisi që tentonte Italinë prodhohej kryesisht në Lazarat. Kështu, forca të shumta të policisë së Gjirokastrës dhe efektivë të mbërritur nga repartet e forcave speciale nga Tirana, prej dy ditësh janë vendosur në disa zona në afërsi të fshatit Lazarat. Burime të pakonfirmuara të policisë thonë se disa efektiva të rendit kanë arritur të hyjnë në fshat, megjithatë kjo ende nuk është verifikuar zyrtarisht.
Intensifikimi i forcave
Policia e shtetit bën të ditur se forca të rendit janë vendosur prej dy ditësh në të gjitha hyrje-daljet e fshatit Lazarat me qëllim kontrollimin e personave dhe automjeteve që hyjnë apo dalin nga fshati. Deri tani nuk ka pasur incidente apo persona të arrestuar. Nga burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, njoftohet se aksioni do të vazhdojë për disa javë me qëllim parandalimin e trafikut të lëndëve narkotike.

Ky lajm është publikuar: 22/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›