E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjyqi në Hagë- Dëshmia e Clark: Gabimet e të tjerëve s’duhet t’i atribuohen Thaçit

Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën, gjenerali amerikan Wesley Clark, ka nisur dëshminë e tij si dëshmitar i mbrojtjes në Gjykatën Speciale në Hagë, në gjyqin ndaj Hashim Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së.

Dëshmia e Clark u fokusua në strukturën e UÇK-së, mungesën e kontrollit në terren pas luftës dhe rolin e Thaçit në atë periudhë.

Thaçi ishte figurë politike, jo komandant

Një nga pikat kryesore të dëshmisë së Clark ishte se udhëheqja e UÇK-së, përfshirë Thaçin, nuk kishte kontroll të qartë mbi aktet sporadike të dhunës pas hyrjes së NATO-s në 1999.

Clark kujtoi takimet me Thaçin në Rambuje, duke theksuar se ai ishte “më i riu, më bindësi, i veshur më mirë,” por “nuk ishte komandanti ushtarak”.

Sipas Clark, UÇK-ja nuk kishte strukturë të mirëkoordinuar komande dhe kontrolli. Ai shpjegoi: “Nuk ishte se funksiononte një gjë e tillë që ti jepje urdhër dhe pastaj prisje që njerëzit ta zbatonin këtë urdhër. Ishte më tepër një rezistencë.”

Gjenerali amerikan beson se akte dhune pas luftës, të cilat i atribuoi urrejtjes, hakmarrjes dhe bandave kriminale, janë kryer nga “individë të caktuar”, dhe jo me urdhër të udhëheqjes. “Unë nuk mendoj që Thaçi ka pasur kontroll mbi njerëzit që kanë bërë akte të tilla.”

Clark përmbylli argumentin e kësaj pike duke theksuar se është “e padrejtë t’i atribuohen gabimet e të tjerëve Thaçit”.

Kthimi në Kosovë dhe masakra e Reçakut

Clark u ndal edhe te situata kritike pas luftës, kur synimi i NATO-s ishte vendosja e paqes dhe parandalimi i spastrimit etnik.

Ai kujtoi vizitën e tij me Javier Solanën në Prishtinë, ku qytetarët i pritën me mirënjohje të thellë për largimin e shtypjes serbe, por theksoi se emocionet ishin aq të forta sa aktet sporadike të dhunës ishin “pothuajse të pashmangshme” në mungesë të një force policore lokale të trajnuar.

Lidhur me Masakrën e Reçakut, Clark shpjegoi se vendimi i ndërkombëtarëve për të mos lejuar hetimet nga njerëzit e Sllobodan Millosheviqit erdhi nga frika e dezinformimit dhe manipulimit të provave, një praktikë që Millosheviqi e kishte përdorur më parë.

Paralajmërimi i “krishtlindjeve” 1992

Gjenerali dëshmoi edhe për “paralajmërimin e krishtlindjeve” të vitit 1992, kur Presidenti George H. Bush i kërkoi Millosheviqit të ndalonte dhunën ndaj shqiptarëve të Kosovës, ose SHBA do të kundërpërgjigjej. Ai theksoi se ky ishte një paralajmërim i qartë për të parandaluar represionin në Kosovë, për të cilin Millosheviqi refuzoi të fliste.

Clark do të vazhdojë dëshminë e tij gjatë ditës së nesërme, ku pritet të flasë edhe për Rezolutën 1244 dhe procesin e transformimit të UÇK-së.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›