Gjyqi për 257 ha tokë, rrëzohet kërkesa e palës rivale
Gjykata e Tiranës nisi shqyrtimin e padisë së trashëgimtarëve të familjes Toptani. Ata i kërkuan gjykatës dosjen e pronësisë, por përfaqësuesi i AKKP tha se ajo ndodhej në duart e hetuesve
Gjykata e Tiranës nis procesin gjyqësor për pronësinë e 257 hektarëve tokë në Gjirin e Lalzit, për të cilën familjarët e Skerdilajd Konomit shprehën shqetësimin përmes një letre të hapur për presidentin Bamir Topi dhe krerët e tjerë të drejtësisë. Prona në zonën e lakmuar të bregdetit pretendohet nga familja Toptani dhe të afërmit e gjyqtarit të vrarë. Në seancën e dytë gjyqësore, që u zhvillua dje në Gjykatën e Tiranës, gjyqtari rrëzoi një nga kërkesat e palës paditëse, si dhe pranoi të administrojë provat të cilat do t’i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor. Që në nisje të seancës gjyqësore, përfaqësuesi i palës paditëse (përfaqësues i nëntë trashëgimtarëve të familjes Toptani) kërkoi nga gjykata që Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave t’i vërë në dispozicion dosjen e dokumenteve, me të cilën është shprehur për njohjen e të drejtës së pronësisë palës kundërshtare. Dosja e pronësisë rezulton të jetë përdorur nga përfituesit e pronës, përfshi edhe familjen e gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi, për t’iu drejtuar më pas Gjykatës së Durrësit, duke ndjekur procesin gjyqësor në të tria shkallët e gjykimit. Pas pretendimeve të përfaqësuesit të AKKP-së në këtë proces gjyqësor, gjykatësi Arjan Aliaj vendosi të rrëzojë kërkesën e përfaqësuesit të palës paditëse. Sipas juristit të AKKP-së, Ergian Dollani, dosja me nr.241, e cila flet mbi praktikën juridike që Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës ka ndjekur lidhur me kompensimin e sipërfaqes së tokës prej 275 ha, nuk ndodhet në zyrat e këtij institucioni. Juristi tha se kjo dosje është sekuestruar pak ditë më parë nga Prokuroria, në kuadër të një hetimi të nisur për këtë çështje. Për këtë arsye, gjykata rrëzoi kërkesën e familjes Toptani për të patur në dispozicion një kopje të kësaj dosjeje, duke iu dhënë atyre të drejtën të bënin parashtrimet hyrëse, duke u përqendruar tek objekti i padisë. Lidhur me këtë padi, pala pretenduese ka depozituar një tjetër kërkesë në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar bllokimin e kryerjes së veprimeve juridike mbi këtë sipërfaqe toke. Kjo kërkesë është pranuar nga Gjykata e Tiranës më 13 gusht të këtij viti (periudhë pushimesh për gjykatën), duke bllokuar hipotekimin e kësaj toke të fituar në Gjykatë të Lartë nga familjarët e Konomit, deri në zgjidhjen e çështjes në themel. L.Bakillari