“Konomi”, zbardhet dokumenti që vërteton falsifikimin në Gjirin e Lalzit
Hetimet për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi kanë nxjerrë në dritë një skandal që lidhet me falsifikimin e pronësisë së 257 hektarëve tokë në Hamallaj të Durrësit. Konflikti për këtë pronë nis që prej vitit 2009, kur një i afërm i Skerdilajd Konomit kishte kallëzuar në Prokurorinë e Durrësit dyshimet për falsifikim, ndërsa hetimet zbuluan se dokumenti bazë i pronësisë ishte i falsifikuar, por i tërhequr me procedurë të rregullt nga Arkivi i Shtetit. MAPO disponon vendimin e Prokurorisë së Durrësit të datës 2 dhjetor 2009, ku edhe pse konfirmohej falsifikimi i pronës, procedimi penal u konsiderua i mbyllur. Si argument për mosfillimin e procedimit penal, Prokuroria ka përdorur pamundësinë për të vërtetuar kohën e falsifikimit të pronësisë së kësaj sipërfaqeje të lakmuar toke në bregdet. Ky hetim nisi në kohën kur të afërmit e Skerdilajd Konomit kishin fituar në Gjykatën e Durrësit pronësinë për më shumë se 2 mijë hektarë, brenda së cilës ndodhej edhe sipërfaqja që tashmë pretendohej nga trashëgimtarë të familjes Toptani. I afërmi i gjyqtarit Konomi më 9 nëntor të vitit 2009 kishte kallëzuar dyshimet për falsifikim, duke i kërkuar Prokurorisë së Durrësit të verifikonte një dokument “Notë transkriptimi”, të paraqitur nga avokati Qamil Grill Mullaj, i cili ishte përfaqësues ligjor i pasardhësve të trashëgimtarëve të familjes Toptani. Përplasja për këtë sipërfaqe toke lindi pasi vendimi i Gjykatës së Durrësit ishte ankimuar nga AKKP-ja lokale, vetëm pasi kishte administruar si provë në dosje këtë “notë transkriptimi” të paraqitur nga avokati Mullaj. Pas këtij ankimimi, pasardhësit e Miltiadh Shallvarit kanë pretenduar se Nota e Transkriptimit ka qenë një dokument i falsifikuar, edhe pse ai është tërhequr me procedurë të rregullt nga Arkivi i Shtetit. “Duke qenë se nga data e këtij dokumenti, më 18.12. 1942, deri në kallëzimin më 09.11.2009 kanë kaluar rreth 59 vjet, rrjedh se ushtrimi i ndjekjes penale për faktet e kallëzuara sipas nenit 66 të Kodit Penal në fuqi është parshkruar”, - agumentonte Prokuroria e Durrësit në vendimin e saj për pushimin e procedimit penal. Nota e transkriptimit, e paraqitur nga avokati Mullaj në AKKP është siguruar në mënyrë ligjore në Arkivin e Shtetit dhe tërthorazi vërteton se dokumentet pronësorë dhe dosjet pronësore në Arkivin e Shtetit janë “mbushur” me materiale të falsifikuara. Pasardhësit e Miltiadh Shallvarit dhe të afërmit e gjykatësit Konomi, në padinë e bërë në Prokurorinë e Durrësit, kanë pretenduar se “nota e transkriptimit” ishte e falsifikuar në përmbajtjen e saj, pasi datonte nga viti 1942 dhe i referohej zbardhjes dhe transkriptimit të një “akti njoftunie” të gjyqit të paqit të vitit 1933. Ky akt njoftunie i siguruar në Arkivin e Shtetit përcaktonte të tjerë pronarë të sipërfaqes prej 275 hektarësh. Pas vendimit të pushimit të hetimit nga Prokuroria e Durrësit, palët pretenduese kanë vazhduar betejën ligjore për 257 hektarët, që konsiderohen si toka më e vlefshme e trashëgimtarëve Shallvari. Këta të fundit i janë drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim të dytë penal, ndërsa trashëgimtarët Toptani Prokurorisë së Durrësit, duke kërkuar sërish zbardhjen e falsifikimit të këtij dokumenti. Dy vjet më pas, asnjë nga hetimet nuk ka ende konkluzion përfundimtar, ndërkohë që vrasja mafioze e gjyqtarit Konomi i ka përqendruar hetuesit mbi këtë sipërfaqe toke, konflikti i së cilës ende nuk është zgjidhur.