Liberalizimi i tregut i heq 50 milionë euro CEZ-it
Një projektligj i ri për energjinë, i cili në themel ka liberalizimin e tregut të energjisë, pritet t’i heqë Operatorit të Shpërndarjes CEZ një xhiro vjetore rreth 50 milionë eurosh, e cila pritet të shpërndahet në operatorët e tjerë të tregut. Ministria e Ekonomisë njoftoi dje në mënyrë zyrtare se projektligji i ri për hapjen e tregut të energjisë është gati. Me këtë projektligj energjia e prodhuar nga HEC-et ekzistuese me kosto të ulur dhe kapital 100 për qind shtetëror do të shkojë për furnizimin e konsumatorit familjar dhe bizneseve të vogla dhe të mesme. Ministria e Ekonomisë kërkon që këto ndryshime duhen bërë shpejt, në mënyrë që të gjithë operatorët e tregut të jenë të përgatitur për të operuar normalisht në vitin 2012 dhe ERE të ketë mundësi të marrë në konsideratë këto ndryshime, në përcaktimin e çmimeve dhe tarifave për sektorin e energjisë elektrike për vitin 2012. Me këtë ligj disa industri të rënda dhe konsumatorë të tjerë të mëdhenj të energjisë mund të blenë në mënyrë të pavarur energjinë nga KESh ose Operatori i Transmetimit, duke shmangur CEZ-in. Në fakt, premtimin për të liberalizuar tregun e energjisë elektrike e pat dhënë Ilir Meta në kohën kur drejtoi Ministrinë e Ekonomisë. Edhe ata pak klientë të kualifikuar, të cilët vepronin në treg përpara një viti, janë kthyer në klientë tariforë, që furnizohen nga ÇEZ Shpërndarje sh.a. me energjinë elektrike të prodhuar apo të siguruar nga KESh sh.a. Kalimi i Klientëve të Kualifikuar, në Klientë Tarifor është vërejtur edhe te konsumatorët shumë të mëdhenj të energjisë elektrike, ose të lidhur në tension të lartë, kryesisht të industrisë minerare dhe asaj të prodhimit të çimentos. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, ky fenomen shoqërohet edhe me transferimin e marrëdhënieve të tyre tregtare, kështu që ata po furnizohen direkt nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes/CEZ Shpërndarje sh.a. me energjinë elektrike, që KESh sh.a. i furnizon kësaj shoqërie për plotësimin e nevojave të klientëve tariforë me tarifat përkatëse të rregulluara. Por, nga ana tjetër, kjo ka sjellë një rritje shumë të madhe të kërkesës për energji elektrike, e cila u vërejt gjatë vitit 2011 dhe parashikohet të jetë akoma më e lartë për vitin 2012. Kërkesa e ÇEZ Shpërndarje sh.a. për energji elektrike për këtë vit, për këtë kategori konsumatorësh, parashikohet të jetë rreth 800 000 000 kwh ose rreth 15% e kërkesës vjetore të kërkuar nga KESh sh.a., pra një rritje mjaft e konsiderueshme. Por kjo shifër nuk përfshin kërkesat e reja për trajtimin si klientë tariforë të konsumatorëve të tjerë industrialë gjatë vitit 2012. Për të riparuar fenomenet prezente në tregun e energjisë, shoqëria KESh sh.a. propozon të ndërhyhet në ligjin 9072, datë 22.5.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”, ku të përcaktohet që konsumatorët e energjisë elektrike, të lidhur me rrjetin 110 kV e lart të transmetimit të energjisë, si dhe ata, që pavarësisht se nuk janë të lidhur në këtë rrjet, por që konsumojnë mbi 50 000 000 kwh (pesëdhjetë milionë) energji elektrike në vit, të konsiderohen automatikisht Klientë të Kualifikuar dhe të furnizohen me energji elektrike në treg të lirë nga Furnizuesit e Kualifikuar. Rritja e kësaj kërkese çon, dhe do të çojë edhe më shumë në të ardhmen, në rritjen e kostove, të cilat do të duhet të përballohen nga KESh sh.a., i cili, për të mbuluar këtë kërkesë, do të jetë i detyruar në shumë raste dhe veçanërisht në ato të mungesës së reshjeve, pra të uljes së rezervës energjetike, të importojë me çmime tregu, që janë më të larta se kostot e prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentralet e KESh-it. Pra, KESh vihet përballë dy detyrimeve. Të sigurojë energji elektrike për të gjithë kërkesën e shoqërisë ÇEZ Shpërndarje sh.a, që është shumë më e lartë se prodhimi i hidrocentraleve të KESh-it dhe të përballojë një kosto më të lartë për sigurimin e saj.
Me këtë projektligj energjia e prodhuar nga HEC-et ekzistuese me kosto të ulur dhe kapital 100 për qind shtetëror do të shkojë për furnizimin e konsumatorit familjar dhe bizneseve të vogla dhe të mesme.
Energjia, 1 milionë kontraktorë
Sistemi shqiptar i elektricitetit bazohet tashmë kryesisht në prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet me një kapacitet të instaluar prej pothuajse 1,450 MW dhe një mesatare vjetore prodhuese prej rreth 4,200 GWh nga tre lumenjtë më të mëdhenj të veriut të Shqipërisë. Hidrocentralet më të rëndësishëm janë vendosur pranë kaskadave të lumit Drin dhe të gjithë së bashku ata prodhojnë 1,350 MW. Korporata Energjetike Shqiptare (KESh sh.a), një korporatë me pronësi 100% shtetërore, është pronarja dhe përdoruesja e vetme e këtyre hidrocentraleve. Një termocentral është në funksionim që prej nëntorit të vitit 2009 dhe ka një kapacitet të instaluar prej 97 MW. Ky termocentral që gjendet në Vlorë, në jug të Shqipërisë, është gjithashtu në pronësi të TEC Vlora sh.a, pjesë e KESh sh.a. Në Shqipëri ka rreth 1 000 000 përdorues të energjisë elektrike, të cilët konsumojnë 500 – 1 400 MW gjatë periudhës së dimrit dhe 300 – 1 000 MW gjatë periudhës së verës. Kjo fuqi nuk është e mjaftueshme për plotësimin e të gjitha kërkesave të tregut dhe, në varësi të kushteve të motit (reshjeve), diferenca e krijuar është kompensuar nëpërmjet importit të energjisë. Duke iu referuar materialeve në faqen e internetit të ERE, aktorët kryesorë të tregut elektro-energjetik në Shqipëri janë si vijon: KESh ka në pronësi tre hidrocentrale në Shqipëri dhe aktualisht prodhon 99% të energjisë. Korporata i shet Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) të gjithë energjinë, që është e barasvlershme me humbjet e transmetimit dhe, gjithashtu, i siguron të gjitha shërbimet ndihmëse OST-së. Mbi të gjitha, Korporata i shet CEZ Shpërndarje sh.a. të gjithë energjinë elektrike që u faturohet konsumatorëve. Në rastet kur ka tepri në prodhim, atëherë energjia shitet në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare. CEZ Shpërndarje është furnizuesi me energji elektrike i të gjithë konsumatorëve, përkundrejt çmimeve të vendosura nga ERE.