E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtar nuk të emëron makina

Një ish-zyrtar i lartë i Prokurorisë së Përgjithshme pak kohë më parë, sapo ishte emëruar, shkoi në punë me biçikletë, e mbështeti atë te dera dhe i tha rojës: “Unë jam në këtë detyrë që nga dita e sotme”, duke e njoftuar se tashmë ai duhet të kalonte bashkë me mjetin e tij rregullisht në postbllokun e godinës. Dhe me gjithë detyrën e vështirë she ngjarjet e rënda që ka kaluar nëpër duar, me sa e njoh unë, është nga të rrallët që kishte pak “bezdi” të mbante makinë dhe shofer e kjo, jo sepse e urrente infrastrukturën. Kjo m’u kujtua duke mësuar për debatin në Gjykatën Kushtetuese për ligjin e makinave të gjyqtarëve që thotë:

“Për kategorinë e dytë të zyrtarëve bonusi është 35 mijë lekë dhe këtu përfshihen zëvendësministrat, këshilltarët e Presidentit, Parlamentit, Kryeministrit, drejtuesve të enteve rregullatore, komandantët e Forcave të Armatosura, zëvendësdrejtorët e Policisë dhe Shërbimit Informativ, kryetari i Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Akademisë së Shkencave, rektorët e universiteteve, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, drejtuesit e Prokurorisë dhe të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të shkallës së parë dhe të Apelit”.

Ky është privilegji i shkurtuar që ka sjellë debatin më të fundit të gjatë dhe jo fort të shëndetshëm në Gjykatën Kushtetuese, ku ankesa vjen vetëm nga gjyqësori që është mërzitur për makinat që do të hiqen dhe shoferët që s’do të jenë. Dhe për të kthyer në vend rehatinë e infrastrukturës që më shumë ka të bëjë me madhështinë se paratë, ankesa ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese ku një pjesë e ligjit ka konflikt interesi me shqyrtuesit e interpretuesit kushtetues të pjesës së ligjit të ankimuar nga Unioni një shoqatë gjyqtarësh që mbron gjyqtarët nga gjyqtarët.

Nuk besoj se gjyqtarët që ankohen, kanë frikë se largimi i shoferit dhe makinës i ekspozon ata përballë rrezikut fizik apo emocional që u sjell kryerja e detyrës, së paku kur ata kanë bërë pikë për pikë atë që thotë ligji. Por gjyqësori shikohet përsëritshëm se ka një ndjeshmëri të lartë për episode ku herët nuk janë të pakta të konsumit politik me të e kur sistemi sillet me fanatizëm me privilegjin në një masë që pa e tepruar mund të çmohet edhe si rezistencë kundrejt prishjes së rehatisë së trashëguar. Në Gjykatën Kushtetuese po harxhohen orë të gjata dimërore me debat të nxehtë në shqyrtimin e kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë që pretendojnë për antikushtetutshmërinë e disa neneve të ligjit që rregullon transportin e funksionarëve publikë dhe shtetërorë e konkretisht për nenet që u heq makinat gjyqtarëve që flasin për cenim të sistemit me këtë nen të ligjit të votuar në Kuvend.

Tani të flasim hapur pa e kompromentuar veten me asnjë lloj interesi. Parimisht, gjyqtarët e gjykatave të çdo lloj niveli nuk janë krejt të painformuar se si funksionon kjo procedurë në vendet e shumta të Perëndimit, që kanë një metodë me ekonomike të funksionimit të lëvizjes fizike që koston e ka gjithnjë jashtë xhepit individual. Për ta çuar ndoshta edhe pak rreshta tej ekspertizës ligjore, do të doja të merrja një përgjigje edhe për dy a tri pyetje të tjera që thuajse të gjithë qytetarët i bëjnë në këtë debat aspak periferik.

Së pari, a janë në gjendje ekonomike gjyqtarët shqiptarë që të kenë një makinë të tyren private ose sa prej tyre nuk e kanë një të tillë kur niveli i mirëqenies së tyre flet për ngjarje shumë herë më marramendëse ekonomikisht? Besimi im është se në gjithë trupën gjyqësore në Shqipëri është gati e pamundur të gjesh një gjyqtar apo pjesë të këtij sistemi që ende udhëton me autobus për të mbërritur në punë, ku do të shërbejë për drejtësinë, gjë që e ka zgjedhur me dashjen e pasionit!

Së dyti, që të kenë në dispozicion makinën e institucionit natyrisht që pranë tyre shërben dhe drejtuesi i mjetit, që është njëherësh dhe i përzgjedhuri i tyre, thua vetëm për të drejtuar makinën apo dhe qokat e konsiderueshme që ata konsumojnë rregullisht gjatë dhe pas detyrës në orë zyrtare?
Së treti, a u mjaftojnë paratë e vëna në dispozicion si bonus, si kompensim, për kilometrat që duhet të bëjnë në muaj për të mos harxhuar nga paga që marrin për shkak të detyrës e që u zbritet përfitimi ekonomik ashtu si pretendohet?

Sëra e lartë e drejtësisë që preket nga ky vendim, besoj se është dhe ajo që ka përgatitur ankesën për të shpresuar në një kundërshti e mosvënie në përdorim të ligjit, sepse kategoria e dytë e parashikuar në “braktisje” makinash është pikërisht paria e drejtësisë. Mirë do të ishte që të përshëndetej kjo masë dhe nismë edhe nga nënkryetari i KLD-së, që mund ta kishte bërë pjesë të Librit të Bardhë këtë vendim që nuk nxin fort buxhetin, e të ndiqej nga Unioni i Gjyqtarëve që ka ofruar raste ngjarjesh se shpesh bart mërzitë më tepër të eprorëve sesa të vetat. Mundet dhe Presidenti si kryetar i qeverisë së drejtësisë, të kishte thënë diçka se ky ligj nuk cenon shumë rehatinë individuale, por as pavarësinë e bërjes së drejtësisë. Nuk kanë qenë makinat e munguara ato që kanë sjellë në raportet e ndërkombëtarëve rezultate korrupsioni të gjyqësorit të rënduara vit pas viti. Ky do të ishte ankimimi më i pritshëm nga Unioni i Gjyqësorit dhe i gjithë gjyqtarëve. Madje, kjo masë është një nga hallkat nga korrupsioni kalon më shpesh për t’u konsumuar dhe më pas produkti i tij të përfundonte në xhepat e vendimmarrësve të padrejtë, sepse ata janë të panjohurit publikë që shkojnë në çdo adresë më larg syve dhe vëmendjes për të bitisur marrëveshje mes palëve dhe besnikë të pafund të shefave të tyre. Ky është kodi i sigurisë së deritanishme të atyre që me një fjalë i kanë rënë shkurt në qindra raste se “po të çoj shoferin me makinën time dhe...”

Unioni parashtroi para Gjykatës Kushtetuese pretendimin se ligji binte ndesh me parimet që garantojnë dhe rregullojnë shtetin e së drejtës si ato të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe se nenet e kundërshtuara binin në kundërshtim me nenin 138 të Kushtetutës që sanksionin se “…paga dhe përfitimet e tjera nuk mund të ulen”. Ka dy momente në këtë alibi që duhen parë më me pak hije. Shteti i së drejtës dhe pavarësia e pushteteve nuk cenohen aspak nga një makinë, as nga një shofer, pasi gjyqtari ka si bibël zotërinj Kodin Penal, Civil, atë të Procedurës, Kodin që përcakton bërjen e detyrës, sipas çështjes, që ai ka marrë përsipër të ushtrojë. Pra, me dy fjalë, të zbatojë ligjin, të mundohet të japë drejtësi sa më tepër. Dhe së dyti, pretendimi se paga dhe përfitimet e tjera nuk mund të ulen… Sigurisht që nëse çmohet se janë të tepërta, mund të ulen. Sigurisht që nëse çmohet se janë të padobishme dhe me shërbime të kursyera nuk cenohet cilësia ashtu si mendojnë përfaqësitë e Unionit, mund të ulen. Në tentativën e tyre bindëse para Kushtetueses sillet argument se transporti ishte një nga përfitimet e tjera që siguron jo vetëm cilësinë, por dhe pavarësinë dhe sigurinë e pushtetit gjyqësor. Pak vend ka për ta marrë të besueshme dhe serioze këtë alternativë se nuk është konsultuar me grupet e interesit. Ka një konsultë të pazëvendësueshme që është konsulta me ligjin, më e patjetërsueshmja, se me cilindo grup tjetër, interesi i të cilëve nuk mundet kurrsesi të kapërcejë interesin që prodhon ligji për shoqërinë, shërbyes të së cilës duhet ta konsiderojnë veten edhe gjyqtarët pretendues për makina e shoferë.

Përfaqësuesit e mazhorancës që ka bërë këtë ligj, kanë mbrojtur para Kushtetueses ligjin, duke shpjeguar qëllimin e tij, atë që ai synon rregullimin e transportit të gjyqtarëve me ligj, për sa kohë atyre do t’u jepet një bonus në lekë që do ta përdorin për transportin si dhe ndërprerjen e abuzimit që bëhej për këtë shpenzim. Abuzim që kushtonte një faturë të madhe financiare për buxhetin e shtetit.

Pa dashur të bëjmë interpretime të shumta, nuk mund të jemi indiferentë dhe të mos bëjmë një llogari të thjeshtë që nuk ka të bëjë me qenien ekonomist apo financier. Kjo, për t’iu përgjigjur më te thjeshtës pyetje se a u mjaftojnë paratë e vëna në dispozicion si bonus, si kompensim, për kilometrat që duhet të bëjnë në muaj për të mos harxhuar nga paga që marrin për shkak të detyrës e që u zbritet përfitimi ekonomik ashtu si pretendohet gjyqtarëve. A mjaftojnë 35 mijë lekë për zëvendëskryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, drejtuesit e Prokurorisë dhe të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të shkallës së parë dhe të Apelit, sepse duket që në emër të tyre është synuar ankesa???

Me 35 mijë lekë në muaj sa parashikon ligji, duke marrë parasysh luhatjet e vogla të çmimit të karburantit, gjithnjë duke pranuar se funksionarët e mësipërm kanë dhe makinat e tyre private, ata mund të blejnë rreth 300 litra karburant, naftë ose benzinë. Me 26 ditë punë bie që të bëjnë me aq litra diku te 3500 kilometra për të mbaruar tërë karburantin. Nëse do të harxhohej tërë shuma për karburant, atëherë gjyqtarët do të duhej të bënin 130 kilometra në ditë për të shkuar në punë, kthyer e lëvizje të tjera në institucione, ku duhet të shërbejnë për shkak të detyrës. Duke ditur që afria e banesës së tyre me punën në më shumë se 90 për qind të rasteve nuk i kalon 10 kilometrat, del se as gjysma e bonusit nuk konsumohet karburant. E po ta kalosh diferencën në shërbime te tjera, merret vesh se halli nuk janë paratë që i mungojnë rrogës, shpërblimit, mirëmbajtjes së mjetit, por mirëmbajtjes së privilegjit. Këtu arsyet sa ligjore e jo ligjore gjenden gjatë për të thënë është edhe ndryshe. Por nëse pretenduesit duan ekstra-shërbime luksi, le të mendojnë për punë që i përmbushin ato, sepse investigimet jo të pakta kanë nxjerrë shumë e shumë raste që korrupsioni i përfolur është konsumuar nga trupa e gjyqësorit në masën më të madhe dhe thjesht janë përkthyer në makina, banesa, lokale, hotele, llogari bankare jashtë vendit... Me një fillim të vogël dalin gjithmonë lajme të mëdha, mjafton t’u shkosh pas deri ku mbarojnë, për të mësuar se kush fiton dhe kush humbet. Shpresoj se nuk do të ndodhë hataja, sepse vartësit në punë prapë “shef” do t’ju thonë, këtë të drejtë zyrash nuk ta heq ligji i heqjes së makinave dhe shoferëve.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›