Gjirokastër, shtohen sportelet në ndihmë të emigrantëve
Kakavijë, pala shqiptare, kontakte me palën greke për të shmangur radhët e emigrantëve. Rritet fluksi i hyrjeve në 24 orët e fundit; policia, plan masash për përballimin e fluksit të emigrantëve
Shtohen sportelet në ndihmë të emigrantëve shqiptarë që vijnë për festat e fundvitit në Shqipëri, nga 3 bëhen 10 sportele për të shmangur radhët e gjata. Madje, pala shqiptare ka marrë kontakte me palën greke që të merren të gjitha masat për të shmangur radhët e gjata edhe nga ana greke, ndaj dhe me rastin e festave të fundvitit, ashtu si dhe çdo vit, Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër kanë hartuar një plan të përbashkët, i cili konsiston kryesisht në marrjen e masave për të përballuar fluksin e emigrantëve që do të vijnë për festat e fundvitit, rritjen e sigurisë në rrugë, parandalimin e aksidenteve, rritjen e masave në drejtim të goditjes së trafiqeve të paligjshme që mund të zhvillohen në pikat e kalimit apo në kufirin e gjelbër, duke përfituar nga fluksi i emigrantëve, marrjen e masave për mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të zhvillohen për festimin e këtyre festave etj. Sipas burimeve zyrtare policore, në këtë kuadër, Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore emigrantëve dhe shmangien e radhëve të gjata dhe përpunimin në kohë reale, ka shtuar sportelet e përpunimit të dokumenteve të shtetasve dhe të automjeteve, nga 3 që ishin në hyrje, janë bërë 10, si dhe nga 3 në dalje janë bërë 5, ku në rast se fluksi do të jetë i papërballueshëm me këto kapacitete, do të ketë të tjera shtesa në sportele dhe efektiva. Njëkohësisht, në funksion të këtyre masave nga Drejtoria Rajonale e Kufirit është marrë takim me palën greke që edhe ata të marrin masa që të ketë lëvizje të njëtrajtshme, duke bërë të mundur eliminimin e radhëve të gjata, ku si rezultat i këtyre takimeve është premtuar nga pala greke se do të ketë të njëjtin angazhim për ketë qëllim. Gjithashtu, një sërë masash janë marrë edhe nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Masat
Për të rritur sigurinë në rrugë, parandalimin e aksidenteve dhe ardhjen në ndihmë të gjithë përdoruesve të rrugës, të cilët mund të kenë nevojë, janë shtuar patrullat e qarkullimit rrugor në të gjitha akset rrugore, si dhe do të ketë shërbim 24 orë në akset që mbulon Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Të njëjtat masa, për sa i përket qarkullimit, janë marrë edhe në rrugët dytësore si dhe në qytetet në juridiksion të qarkut Gjirokastër. Policia e Gjirokastrës ka njoftuar se për mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që do të zhvillohen për festimin e këtyre festave, qoftë në kultet fetare apo në sheshe dhe lokale, janë marrë masa të plota që këto aktivitete të kalojnë pa probleme. Për natën e ndërrimit të viteve në bashkëpunim me bashkitë e rretheve Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet janë caktuar sheshet ku do të kryhen festime si dhe janë marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të zhvillohen. Për sigurimin e rendit dhe qetësisë në qendrat e banuara është rritur prania e uniformave blu, si dhe e shërbimeve të parandalimit të krimit. Masa janë marrë edhe në drejtim të parandalimit të ndonjë abuzimi të mundshëm me detyrën të punonjësve të policisë, ku në të gjitha pikat e kalimit kufitar janë vendosur në të gjitha kabinat e përpunimit të dokumenteve dhe automjeteve numrat e celularit të drejtorit të Policisë së Qarkut, të drejtorit rajonal të Kufirit, si dhe të shefit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Fluksi
Dita-ditës në pikat tona kufitare shtohet numri i emigrantëve që hyjnë në Shqipëri për festat e fundvitit. Sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga policia e Gjirokastrës, vetëm gjatë ditës së djeshme në këtë pikë kufitare kanë hyrë 3950 shtetas, si dhe 875 automjete, ndërkohë që dhe kanë dalë 950 shtetas dhe 260 automjete. Sipas burimeve, nga pala shqiptare në hyrje punohet me 5 sportele dhe kjo do të varet nga fluksi, ku në rast shtimi të tij do të shtohen edhe sportelet si dhe në dalje me 3 sportele. Nga pala greke punohet me 2 sportele në dalje dhe 2 në hyrje, pasi pala greke gjatë hyrjes së emigrantëve për në Shqipëri nuk aplikon procedura kontrolli të njëjta, si ato që aplikon gjatë hyrjes së emigrantëve për në shtetin grek. Si rezultat i masave të marra, nuk janë shfaqur radhë në Kakavijë dhe fluksi vazhdon me ritëm normal.
Analiza
Drejtoria e Migracionit, menaxhim të integruar të kufijve
Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit Tiranë zhvilloi dje analizën 11-mujore të veprimtarisë së punës së saj për vitin 2009. Në këtë analizë morën pjesë drejtues të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Një nga një janë renditur nga drejtuesit e kësaj drejtorie rezultatet e arritura përgjatë këtij viti, si dhe prioritetet për vitin 2010. Disa nga rezultatet e kësaj drejtorie mund të renditen: Strategjia e Menaxhimit të Integruar të kufijve; Strategjia Kombëtare e Migracionit; Plani Vjetor i punës të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit; Plani Vjetor i Punës te Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Tiranë; Përmirësimi i mjediseve të pritjes në DRKM dhe në komisariatin e Policisë Kufitare, aeroporti Rinas; Vendosja e kamerave të sigurisë në ambientet e brendshme dhe të jashtme të komisariatit të Policisë Kufitare, aeroporti Rinas; Plotësimi në masën 100% i detyrime të Strategjisë 1-vjeçare të DRKM Tiranë, parakushte këto për t’u plotësuar nga vendi ynë për anëtarësimin në BE dhe liberalizimin e vizave. Gjithashtu, janë prapësuar në kufi 131 shtetas të huaj për mangësi në dokumentacion ose dokumente të falsifikuara; janë kryer 97 kontrolle në territor ku nga këto 21 janë kryer nga stacioni i Elbasanit dhe 76 nga sektori i Migracionit Tiranë; janë bllokuar 80 pasaporta të pavlefshme të shtetasve shqiptarë dhe 2 pasaporta të shtetasve të huaj. Po ashtu, sipas analizës së djeshme, një punë e mirë është kryer për kontrollin e shtetasve të huaj si dhe të afateve të qëndrimit të Republikës së Shqipërisë. Për shtetasit që kanë rezultuar me shkelje, janë gjobitur në 54 raste edhe disa agjenci ajrore me vlerë 15.883.000 lekë për mosrespektim të ligjit për të huajt. Nga gjobat e vendosura shtetasve të huaj dhe shoqërive ajrore janë arkëtuar 16940 euro,750 dollarë dhe 15.776.046 lekë të reja, ndërkohë që janë larguar me urdhër largimi 22 shtetas të huaj. Gjithashtu, janë përgatitur materiale informuese për shtetasit shqiptarë dhe të huajt në disa gjuhë të ndryshme. Nga ana e strukturave të hetimit të krimit pranë komisariatit të policisë Rinas janë referuar për këtë periudhe 11-mujore, 151 vepra penale, ndërkohë që te Prokuroria e Rrethit Tiranë janë deleguar 98 dosje penale. Janë përfunduar dhe gjykuar në gjykatë 104 dosje sipas neneve 189/1, 186/1, 179/a dhe 297 të Kodit Penal ku në lidhje me këtë shifër është vendosur dhe ekzekutuar masë administrative gjobë në masën nga 200.000 - 400.000 lekë. Janë verifikuar 3271 shtetas të riatdhesuar dhe janë daktiloskopuar 3301 shtetas.