Durrës/Hajdari: Rritet forca zbuluese e goditëse ndaj krimit të organizuar
Analiza e punës njëvjeçare e uniformave blu në Drejtorinë e Policisë Durrës ka nxjerrë në pah rritjen e forcës goditëse dhe zbuluese të të gjitha strukturave policore gjatë këtij viti. Më datë 18.12.2009 në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës u zhvillua analiza vjetore e aktivitetit të institucionit për vitin 2009. Në këtë analizë merrnin pjesë edhe zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë për Rendin e Sigurinë Publike, Hamdi Fiora. Aleks Hajdari, drejtori i ri i Drejtorisë së Policisë së Qarkut u shpreh në fjalën e tij: “Gjatë vitit 2009, strukturat policore të drejtorisë sonë kanë qenë të angazhuara totalisht në luftën ndaj krimit ordiner, financiar, të organizuar dhe të gjitha llojeve të tij, objektivi nga ana e strukturave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut gjatë kësaj periudhe si prioritete të punës kanë qenë identifikimi e vlerësimi i situatës ekzistuese”. Sipas tij: “Thellimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, përmirësimi i cilësisë së shërbimit dhe ndërtimi i besimit publik, rritja e sigurisë rrugore, forcimi i bashkëpunimit me organet e pushtetit vendor për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, vazhdimi i punës për identifikimin, zbulimin dhe goditjen e grupeve të organizuara kriminale që ushtrojnë aktivitete në qarkun e Durrësit, kryesisht atyre që veprojnë në fushën e trafikut e shpërndarjes së drogës, trafikut të mjeteve motorike, trafikut të qenieve njerëzore, evazionit fiskal dhe të ekonomie informale kanë qenë prioritet i punës së policisë”. Gjate kësaj periudhe, në territorin e Drejtorisë së Policisë të qarkut Durrës janë evidentuar gjithsej 1552 vepra penale dhe janë zbuluar 1201 ose 77% e tyre. Në kryerjen e veprave penale janë përfshirë 1273 autorë, është marrë masa e arrestit në flagrancë për 437 autorë, ndaluar 23, janë ndjekur në gjendje të lirë 734 autorë veprash penale, janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe shpallur në kërkim 79 autorë. Duke i krahasuar me veprat penale të ndodhura me ato të ndodhura dhe zbuluara gjatë vitit 2008 rezulton se numri i veprave penale ka pësuar një rritje në masën 209 vepra të tilla, por është rritur forca goditëse dhe zbuluese.