E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra e kongresmenit të SHBA, PS: Berisha të dëgjojë partnertët ndërkombëtarë

Një ditë pas letrës së një kongresmeni amerikan drejtuar kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha ku flitej për hapjen e kutive të kontestuara të 28 qershorit, Sekretarja për Mardhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, tha se shefi i qeverisë duhet të dëgjojë ndërkombëtarët.
"Bindja e Delahunt se kriza do të zgjidhet duke bërë transparencën e plotë të procesit elektoral përfshirë hapjen e kutive nga komisioni hetimor parlamentar është në përputhje me atë që opozita e ka kthyer në kauzën e saj, dhe që është mbështetur nga faktorë të rëndësishëm të institucioneve euro-atlantike ku Shqipëria është anëtare apo aspiron për t'u anëtarësuar", tha deputetja Arta Dade sot në një deklaratë.
Sipas saj, transparenca e zgjedhjeve është e domosdoshme edhe për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit zgjedhor, i cili nuk mund të bëhet pa bërë vlerësimin e saktë të asaj që ka ndodhur në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Një ditë më parë kongresmeni amerikan Delahunt, bëri publike një letër drejtuar kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha në të cilën shprehej se duhej shqyrtuar mundësia e hapjes së kutive të konstetuara nga zgjedhjet e kaluara.
Ndërkohë po dje, Asambleja PArlamentare e Këshillit të Europës, disa orë para deklaratës së Kongresmenit Amerikan, pati kërkuar që opozita ti adresohet Gjykatës Kushtetuese e më pas Komisionit të Venecias në lidhje me çështjen e kutive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›