Fier, kapen 2 të kërkuarit për trafikim lëndesh narkotike
Janë kapur këtë pasdite nga aksioni i policisë së Fierit të koduar me emrin "Zbërthimi", 2 persona të shpallur në kerkim.
Ata akuzohen për mbajtje dhe shitje të lëndëve narkotike. Por si pasojë e aksionit të fundit të policisë së Fierit i koduar 'Zbërthimi', është bërë e mundur arrestimi i Sabaudin Makës, 34 vjeç banues në fshatin Petovë të komunës Mbrostar të rrethit Fier dhe Fredi Grëmit, 43 vjeç banues në fshatin Daullas të komunës Qendër të Fierit.
Dy fierakët janë vënë në pranga këtë pasdite nën akuzën e mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike. Ata kanë qenë persona të shpallur në kërkim ditët e fundit nga Prokuroria, pasi në periudha të ndryshme kohore dyshohet të kenë përpunuar, shpërndarë e trafikuar rreth 2 kilogramë heroinë. Ka qenë një hetim tre mujor i Drejtorisë së Policisë së Fierit me të gjitha teknikat speciale të saj që ka zbuluar dy të dyshuarit si organizatorë të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Fier dhe si furnitorë të rretheve të tjera.
34-vjeçari Sabaudin Maka njihet edhe si i afërmi i të arrestuarit të disa ditëve më parë, Agim Boriçi,i akuzuar për dy vrasje dhe është nën hetim për tre vrasje të tjera. Sabaudin Maka është duke u hetuar edhe për dyshimet në pjesëmarrjet në vepra të rënda kriminale të kryera nga grupi i Boriçit