Një betejë kundër racizmit
Nadine Gordimer, sot shkrimtare e njohur, fituese e çmimit “Nobel” për letërsi më 1991 dhe e çmimit “Grinzane Cavour”, ishte ende një çupëlinë kur njohu racizmin. E lindur më 20 nëntor të vitit 1923 nga dy prindër emigrantë hebrenj, i ati u transferua nga Letonia në Afrikën e Jugut, ndërsa e ëma nga Londra. Gjatë rinisë merr edukim katolik, por e shtyn që në vogëli të lexojë e të mësojë për botën që e rrethon. Regjistrohet në Universitetin Witwatersrand ku ndjek kurset e vitit të parë, por i ndërpret studimet pa u diplomuar. Këtu sheh për së pari nga afër barrierat mes studentëve të bardhë dhe atyre të zinj. Janë po këto vite kur ajo bëhet pjesë e lëvizjes kundër diskriminimit racial dhe sot e njohur edhe për betejën antiaparteid. Nuk është e rastit që në shumë vepra të saj ngrihen pikëpyetje morale dhe psikologjike për ekzistencën e racizmit në atdheun e saj. E bërë e njohur përmes veprave letrare, Gordimer nuk lë rast pa folur për Afrikën e Jugut, për të bardhët e për të zinjtë, për diferencat racore dhe seksuale, për politikën dhe për demokracinë. A është letërsia një shenjë guximi për të? “Shkruaj, por jo se kam frikë. Unë nuk i kam kaluar 27 vjet në burgun e Robben Island...Letërsia është padyshim një armë për mua. Duhet për të grushtuar dhe për të mbajtur gjallë kuriozitetin mbi misterin e jetës e të vdekjes”, thotë ajo. Në fakt, për të, të shkruarit nuk është një akt i pashpjegueshëm. “Më mjafton që unë e kam një histori në mendje. Tregimi është si një vezë: është i kompletuar, ka lëvozhgën, pastaj të bardhën dhe të verdhën e ku formohet embrioni. Ka jetë brenda. Kur nis të shkruaj, e di fillimin dhe fundin e historisë e madje di edhe si të arrij atje. I di limitet e materies që përmban tregimi. Sido që të jetë, e rëndësishme për mua është të di fillimin dhe fundin, pastaj më takon mua të gjej zhvillimin e historisë. Gjithsesi qendra e vëmendjes së Gordimer, apo ndoshta edhe vëmendja e atyre që e takojnë, mbetet Afrika e Jugut. Shkrimtares i takon të flasë, të përshkruajë një realitet por edhe të mbajë qëndrim. A mund të ketë demokraci në Afrikën e Jugut. “Duhet të na jepni kohë”, thotë ajo, duke krijuar një histori reale për atë që ka ndodhur në atë tokë. “Para së gjithash duhet të kini parasysh se kemi pasur vetëm 14 vite, pra as kohën e një gjenerate që shkon diku te 25 vite. Europa dhe Amerika kanë pasur shekuj liri dhe sërish nuk mund të thuhet se kemi arritur një demokraci perfekte apo kemi mundur varfërinë. Atëherë çfarë pritet nga ne vetëm me 14 vjet? Pas nesh nuk është vetëm Aparteidi. Në vitin 1652, kur Jan van Riebeeck mbërriti në Capo, e para gjë që bëri ishte rrethimi i pronës për të lënë jashtë indigjenët. Të mbajturit e të zinjve nën skllavëri është një histori e gjatë. Kur nazistët u mundën, Afrika e Jugut trashëgoi shumë nga ligjet e tyre: epërsinë e të bardhëve, ndalimin e martesave të përziera, ndalimin e marrëdhënieve seksuale me persona të racave të tjera, diferencimin në shkolla...Kemi bërë shumë ndryshime dhe pa Nelson Mandelën do të kishim precipituar në luftë civile. është mrekulli që edhe pse ka pasur incidente, nuk ka pasur luftë, por një tranzicion në paqe. Pastaj kemi trashëguar edhe shumë probleme nga epoka e mëparshme. Si mund t’u japim një shtëpi atyre që janë të mitur? Si mund të çojmë ujë dhe drita për ata që s’kanë, si mund të ndërtojmë shkolla në çdo fshat? E keqja është se gjithnjë ka para për armatime për t’u mbrojtur (nga cilët do të mbrohemi?), të cilat mund të përdoreshin për të zgjidhur probleme sociale. Kush do ta kishte menduar peshën e rëndë të AIDS që është armik në Afrikën e Jugut? Janë probleme që nuk i kishim menduar. Më pëlqen ta mendoj veten optimiste realiste: kemi pasuri natyrore, kemi kapacitete dhe vullnet për t’i zgjidhur problemet, por duhet kohë”. Vetëm pak ditë më parë, në boom-in e madh të teknologjisë, Gordimer foli për librin. Foli për letërsinë si një mënyrë komunikimi e përjetshme dhe foli për biblioteka në fshatrat e largët të Afrikës së Jugut për të mbushur ditët e fëmijëve.
#