E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtari i takimit Bullgari-Shqiperi, Eriksson, ditëlindje në fushë

Dritan Ikonomi
Gjyqtari Jonas Erikson, i cilësuar si një nga më premtuesit në arenën ndërkombëtare, do të ketë një arsye më tepër për të shkëlqyer në stadiumin "Vasil Levski" të Sofjes, ku do të gjykojë ndeshjen midis Bullgarisë dhe Shqipërisë. Suedezi nesër do të festojë 33-vjetorin e lindjes, larg familjes e miqve, megjithatë në një takim që mund të rezultojë tepër i rëndësishëm për fatin e skuadrave të Grupit G në kualifikueset e kampionatit evropian. Shqipëria është "djegur" disa herë nga gabimet në gjykim, përfshirë edhe dy ndeshjet e fundit, kundër Holandës e Sllovenisë, por për ndeshjen e nesërme mund të jetë disi më e qetë. Suedezi është vlerësuar në maksimum nga UEFA, pas finaleve të kampionatit evropian U-19, zhvilluar në korrik të vitit të kaluar në Poloni. Ai bën pjesë në grupin e gjyqtarëve të elitës të UEFA-s, që është niveli i dytë më i lartë i gjyqtarëve, pas nivelit premium. Në një artikull për të, botuar në sitin zyrtar të UEFA-s në internet, thuhet se Eriksson po ecën në drejtimin e duhur, ndërkohë që edhe vetë gjyqtari ka vlerësuar si fantastike eksperiencën në finalet e Euro u-19. Përvoja negative Vetë Eriksson ka vlerësuar si thelbësor përqendrimin në minutat e fundit të ndeshjes. "Njerëzit rrallë diskutojnë për ndonjë goditje të lirë gjatë pjesës së parë. Minuta e 85-të e më tutje është koha në të cilën merren vendimet përcaktuese. Është një sfidë e madhe", thotë gjyqtari. Ironikisht, në një fragment kohor të tillë Eriksson ka bërë një gabim përcaktues në ndeshjen Ceki-Uells, për kualifikueset e Euro 2008, më 2 shtator 2006. Cekët fituan në minutën e fundit me një goditje të lirë, të cilën e ekzekutuan ndërsa topi ishte ende në lëvizje. Eriksson nuk arriti ta shihte një veprim të tillë dhe trajneri i Uellsit, Xhon Toshak, akuzoi qendrën e zërit të vendasve, e cila u bënte thirrje tifozëve për përkrahje në ato momente, gjë që nuk lejohet. I shpërqendruar nga zhurma, Eriksson nuk e pa ekzekutimin e parregullt të goditjes së lirë, cka solli fitoren e vendasve. Skeda Jonas Eriksson (Suedi) Ditëlindja: 28 mars 1974 Profesioni: Drejtor shitjesh Gjyqtar që më: 1988 Në Kategorinë I që më: 2000 Gjyqtar i FIFA-s: 2002 Preferencat: udhëtime, muzikë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›