E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet një Skela!

Dritan Ikonomi
Shqipërisë i duhet një Ervin Skela! Loja e zbehtë e pa fantazi, "e ndihmuar" me shumë bujari edhe nga terreni i rënduar në "Loro Borici", më tepër se gjithcka nxori në dukje mungesën e fantazistit që i mungon kombëtares për shkak të sëmundjes që kaloi në fillim të këtij viti. Kundër Sllovenisë, kuqezinjtë u paraqitën me një 4-4-2 klasik, me Klodian Duron e Devi Mukën të avancuar para Altin Lalës e Lorik Canës, vecse të spostuar dukshëm në krahë, edhe pse jo gjithmonë në linjë. Pas dyshes sulmuese, të formuar nga Bogdani e Kapllani, mungoi një mesfushor i aftë për të dhënë pasimin e fundit. Ky ishte edhe shkaku që shumë herë u pa Bogdani të tërhiqej pas, në zonën e 30 metrave larg portës kundërshtare, për të kryer rolin e rifinitorit. Një gjë e tillë la shumë herë të vetmuar brenda zonës Kapllanin e më pas Bushin, ndërkohë që, nga ana tjetër, kuqezinjve u munguan depërtimet deri në fundore dhe pasimet që aty, një nga elementët kryesorë të rreshtimit klasik me katër mesfushorë e dy sulmues të fuqishëm në ajër. Prandaj, më shumë se gjithcka Shqipërisë tani i duhet të shpresojë për një rikthim të shpejtë të Skelës në formën e tij, nëse nuk do të arrijë, në rastin më të mirë, të gjejë një pasues të denjë të tij e të Bledar Kolës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›