E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mish në hell

Arkitekturë / Nga kioskëzim ndërtimet buzë rrugës dhe autostradës. Tri faza nëpër të cilat kaloi zhvillimi i pakontrolluar urban në Shqipëri në njëzet vjet. A ka shanse për korrigjime?


Me rastin e mbylljes së Institutit të Urbanistikës, dua të marr në analizë fazat dhe karakteristikat kryesore të ndryshimeve urbane në këtë periudhë.

Në rastin e zhvillimeve të pakontrolluara, mund të analizohen lehtë faktorët psiko-socialë që bëhen shkak të këtyre ndryshimeve. Si në asnjë vend tjetër, ne patëm disa dukuri të veçanta specifike përgjatë 20 viteve të tranzicionit.


Mendoj se janë të qarta 3 faza të cilat edhe ishin të ndara por edhe janë të mbivendosura.


1. Shtesat e banesave ekzistuese dhe kioskat.
2. Pushtimet e territoreve të tëra dhe ndërtimet pa leje që tani quhen zona informale.
3. Ndryshimi i strukturës urbane dhe krijimi i një indi të ri anës autostradave apo rrugëve kombëtare.


Mbas një ndrydhjeje dhe izolimi 50-vjeçar ideja e parë që u konceptua ishte IKJA jashtë vendit, kurse për ata që mbetën, zgjerimi i banimit.


Dhe filloi një ethe e vërtetë kush e kush të zërë ballkonin, të mbyllë lozhën, të zvogëlojë ose të zmadhojë dritaren apo portën, të ndërtojë mbi tarracë apo të kthejë dhomën në katin përdhe në dyqan.


Pra, në fillim u zbatua tjetërsimi i sipërfaqes së banimit ku ishte pronar. Pastaj filluan ndërtimet në hapësirat midis pallateve. Nuk merrej leje për asgjë. Kjo ishte koha kur lindën dhe u shtuan KIOSKAT.


Pasi u vendos pa leje kioska e parë, filluan të mbijnë si puçrra në gjithë Tiranën. Prej këtej, sëmundja u përhap në gjithë Shqipërinë.


Pas kioskave, nëpër trotuare filluan ndërtimet e rënda në Parkun Rinia dhe përgjatë Lanës.


Në 11 Shtator 1994 botoj në Gazetën Drita kryeartikullin "Imazhi i qytetit barakë" ku marr në analizë këtë fenomen urban në Tiranë dhe bëj thirrje për ta ndaluar.


Shpërfytyrimi ngjau në pesëvjeçarin 1992-1997. Ky ishte pesëvjeçari i kioskave që vazhdoi deri në vitin 2000 kur kryetari i ri i Bashkisë Edi Rama mori aksionin legjendar të prishjes së tyre. Shumica janë prishur por gjurma e thellë që kanë lënë në subkoshiencën e popullit vazhdon akoma.


Filozofia e kioskëzimit që është simbol i rrëmbimit, shëmtisë, investimit të përkohshëm me humbje, krijimit të mbetjeve të patretshme nga natyra, mosrespektimi e ligjit, shfaqet në qindra e qindra objekte pa leje.


Ajo do të vazhdojë të rishfaqet edhe më vonë. Këto ndërtime abuzive janë dokumenti më i saktë i një historie te pashkruar ende. Vetëmburrja, vetëgjyqësia, grabitja, pushtimi i territoreve, janë mendësi orientale.


Europa gjatë mesjetës dhe Rilindjes vuri në bazë të zhvillimit të saj respektimin e ligjit dhe konceptin e shenjtërisë së PRONËS PUBLIKE. Kjo nuk njihej në Orientin ku ne vegjetuam për 500 vjet.


Pasojat u ndjenë menjëherë mbas lëshimit nga shtrëngesa komuniste.
Krahas me zgjerimet dhe kioskëzimin filloi pushtimi i objekteve publike (konvikte, fabrika, depo, çerdhe, etj.) Menjëherë shpërtheu një pushtim territoresh i paparë në asnjë vend në kohët moderne.


Farkë - Sauk - Dajt - Babru - Paskuqan - Kamzë - Valias, në këtë territor gjigant u krijua një patkua që e rrethoi kryeqytetin. Janë afro 200.000 ndërtime pa leje.
Në Durrës ato u shtrinë në zonën e plazhit dhe në kënetë.


Të tilla zona informale janë krijuar në çdo qytet sidomos në Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Berat, Sarandë, Pogradec. Më pak të dëmtuara janë Korça, Erseka, Përmeti. Ky aks është më pak i dëmtuari si nga ana urbane po ashtu edhe ekologjike sepse nuk pati dyndje.

Në dhjetëvjeçarin e fundit 2000-2010 ndodhi një fenomen shumë i rëndë dhe kjo është shtrirja e ndërtimeve përgjatë akseve kryesore rrugore. Ajo që për mijëvjeçarë kishte qënë një banim strategjik (ndërtimi i veçuar larg e larg nëpër male, që siguronte një autonomi fisnore) u përmbys kokëposhtë.


Të gjithë ndërtojnë buzë rrugës, qofshin këto autostrada (aq më mirë) apo rrugë nacionale. Shtëpi, dyqane, depo, magazina, ofiçina, punishte, kafene, kantiere inertesh dhe parafabrikatesh, varreza, vila, paliate, fusha për stivosje druri, varreza makinash, hotele, rezidenca, stalla, fusha sportive, restorante, kioska, benzinata... çdo gjë e ke anësh rrugës.


Dhe nuk respektojnë as distancat minimale të largësisë nga rruga.
Janë mbi 130 ndërprerje të paligjshme të rrjetit hekurudhor. Kjo ka sjellë tjetërsimin e tërë indit të banimit. Nuk kemi më fshatra, komuna, dhe qytete por vetëm një qytetofshat të zgjatuar.


Shikoni:


Shkodër - Lezhë - Laç - Fushë-Krujë - Kamzë. Pastaj: Fushë Labinot - Elbasan - Peqin - Rrogozhinë - Kavajë - Golem - Durrës - Vorre - Tiranë. Pastaj: Pogradec - Plloçë - Sovjan - Maliq - Korçë. Pastaj: Lushnje - Berat. Pastaj: Vlorë - Orikum. Pastaj: Sarandë - Ksamil, etj., etj..


Tërë Shqipëria është në rrugë. Kjo është katastrofa më e madhe urbane dhe ekologjike. Janë shpenzime të pallogaritshme dhe humbje në energjinë elektrike, ujësjellësa, kabllot telefonike dhe internetin, kanalizimet e ujërave te zeza.


Ky është shkaku i çarjeve dhe rrëshqitjeve të qindra banesave gjatë dimrit. Vështirësohet funksionimi normal i shërbimit mjekësor, civil, postar, i zjarrfikëseve, i ruajtjes së rendit, etj., etj.


Ajo që është ndër më kryesoret: të gjitha këto ndërtime janë bërë mbi tokat e bukës, mbi parcelat më pjellore. Janë me qindra mijë hektarë të humbur kur ne jemi një vend me pak tokë buke.


Në gjithë botën jetesa afër autostradave apo rrugëve konsiderohet e dëmshme dhe e padëshirueshme. Bile janë caktuar norma edhe masa për të eliminuar ose pakësuar efektet negative të zhurmave (kjo arrihet me ndërtimin e mureve mbrojtës me panele gjatë gjithë autostradave).


Jemi i vetmi vend në Europë që bëmë (vazhdojmë pa asnjë ndalim) këtë gabim të rëndë urban. Kjo është e pakorrigjueshme për disa qindra vjet.


Në rrugën Elbasan - Librazhd pashë të shkruar me sprej mbi një tabelë rrugore që tregonte kthesë: "MISH NË HELL". E vërtetë. Gjatë rrugës janë disa lokale që kanë mish të pjekur në hell. Ata të ofrojnë vetëm këtë. Se nuk dinë gjë tjetër.


Para një jave ndala dhe hëngra. Ishte vërtet i shijshëm. Por kjo është mënyra më e hershme e gatimit të kafshëve të egra dhe më vonë të buta.


Kur po vazhdoja rrugën për në Korçë, mendova se kështu bërë me gjithë territorin: e kemi futur në hell dhe po e pjekim, sigurisht për ta ngrënë.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›