Rexhepi: Nuk ka autonomi për veriun

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka kundërshtuar mundësinë që veriu i Kosovës të fitoi autonominë, duke vlerësuar se si zgjidhje për çështjen e Kosovës do të mund të zbatohej modeli i dy Gjermanive.
Ai në një intervistë për gazetën austriake “Presse”, ka thënë se nuk është e vërtet që në raundin e ri të bisedimeve do të flitet për autonominë e Kosovës.
“Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se ndarja e veriut të Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë, por ajo nuk është reale”, ka porositur Rexhepi duke shtuar se bashkësia ndërkombëtare ka thënë qartë se ndarja e Kosovës nuk është zgjidhje.
Ka spekulime në Serbi se veriu i Kosovës do të fitoi status special, diçka ngjashëm me autonominë territoriale, por për këtë, sipas Rexhepit, Prishtina thotë “JO”.
Ai konsideron se tensionet dhe protestat në veri ekzistojnë, për shkak se individët- kontrabandistët nuk dëshirojnë të paguajnë doganën dhe refuzojnë t’i shfrytëzojnë vendkalimet legale kufitare.
Sipas ministrit të brendshëm kosovar, në veri të Kosovës janë prezentë forcat policore të Serbisë. Rexhepi thotë se ata janë rreth 400 persona. Bëhet fjalë për polic civil që janë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë. Po ashtu janë të pranishëm edhe edhe pjesëtarët e shërbimit sekret BIA, si dhe persona që punojnë në Policinë e Kosovës, ndërsa paguhen edhe nga Serbia edhe nga Kosova.
“Këtë nuk mund ta tolerojmë. Strukturat policore në Kosovë janë ilegale dhe duhet të shpërbëhen”, ka thënë Rexhepi, duke shtuar se “jo nuk mund të jetë temë e dialogut sepse asnjë vend nuk mund të toleroi struktura aktive policore në shtetin fqinj”./Indeksonline/