Komuna e Ismaili nuk pajtohen për “Newborn”

Rrafsh 1 muaj nga sot Republika e Kosovës feston 5-vjetorin e pavarësisë. U tha se do të vinte edhe këngëtarja Rita Ora, ndërsa Komuna e Prishtinës sikur çdo vit do të përkujdeset për muzikën e jehonshme gjatë tërë ditës, afër sheshit “Nëna Terezë” në kryeqytet, krahas festimeve e tupanëve kudo.
Megjithatë, festimet që do të vijnë nga shteti e komuna për këtë përvjetor, dikujt i duken me plot gjymysh, duke anashkaluar një prej objekteve publike që shënon datën e 17 shkurtit 2008 në mënyrën më të mirë, shkruan gazeta Zëri.
Obelisku “Newborn” (i sapolinduri), në qendër të qytetit, thuhet të jetë objekti më i fotografuar ndonjëherë në Kosovë. Kështu mendon Fisnik Ismaili, krijuesi i saj. Ai, sikundër, prapë nuk pajtohet me trajtimin që për pesë vite i është bërë objektit të verdhë e të shënuar me turlifarë ngjyrash, në zemër të Prishtinës. Sipas Ismailit, edhe pse ideja fillestare konsistonte në ngjyrosjen e “Newborn”-it vit për vit, qeveria lokale dhe qendrore e ka refuzuar disa herë kërkesën e tij për mirëmbajtjen e monumentit.
“Ishte e pamundur të ruhen nënshkrimet e 17 shkurtit 2008, sepse qytetarët kanë dëshirë të vazhdueshme të shkruajnë mbi të duke e shndërruar kështu ndoshta në monumentin e parë në botë që ruan formën, por çdo vit ndryshon pamjen. Me mirëmbajtje Komuna e Prishtinës nuk do të shpenzonte asnjë cent të parasë publike”, thotë Ismaili. Përvjetorin e parë të pavarësisë Ismaili thotë t`ia kenë refuzuar kërkesën nga vetë Qeveria e Kosovës, ndërsa tentimet tjera i ka pasur vitet vijuese vetëm me Komunën e Prishtinës.
“Një grua e cila ka punuar në Planifikimin Hapësinor asokohe, para 2 ose 3 vitesh, ka thënë se obelisku duhet të zhvendoset për bashkimin e platosë së ‘Grandit’ dhe asaj të ‘Bororamizit’. Kjo ide është që 30 vjet dhe është pronë e kontestueshme mes Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Komunës, që po e luftojnë njëra-tjetrën për ta marrë Pallatin e Rinisë në pronësi të veten”, thotë Ismaili.
Ai pati menduar edhe një bazament të thjeshtë nga çimento 30 metra më lart, me një pllakë shpjeguese e ndriçuese dhe një kioskë të vogël afër bankomateve, ku do të shiteshin suvenirë nga të cilat do të financohej mirëmbajtja e obeliskut. E pajtimit nuk është Vlora Dumoshi, drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës. Sipas saj, Komuna është pajtuar me çdo kërkesë të Ismailit, bile edhe ka marrë pjesë ne hartimin e disa prej ideve që më pas do të zbatoheshin me objektin.
“Ne e patëm miratuar edhe projektin për bazament dhe për ndërrimin e ngjyrave vit pas viti”, thotë Dumoshi. Ajo e ka fajësuar palën e tretë, Qeverinë.
“Qeveria nuk e ka lejuar Ismailin dhe nuk i ka pranuar kërkesat e tij. Me sa di unë, disa njerëz nga Qeveria nuk kanë dashur t`ia largojnë origjinalitetin objektit, përfshirë natyrisht edhe nënshkrimet origjinale të ditës së 17 shkurtit. Megjithatë, sot në ‘Newborn’ ato shkrime origjinale janë asimiluar dhe shpesh ka edhe reklama të koncerteve”, thotë Dumoshi. Ajo thotë të ketë pasur raport normal me Ismailin në punën e kërkesave, por pa miratimin e qeverisë institucioni i komunës nuk ka mundur të ndërmarrë asgjë. Ismaili megjithatë thotë se “Newborn” mbetet i neglizhuar nga institucionet ngase nga ai nuk kanë përfitime as personale e as politike.
“Newborn shpesh përdoret si vendparkim ose hapësirë promocionesh, sikur në rastin e turpshëm kur një maune (shleper) me çaj nga Turqia e kishte zënë pamjen për t’i reklamuar produktet e tyre. Kjo tregon se sa të padijshëm janë pushtetarët qendrorë e lokalë, të cilët as idenë më të vogël nuk e kanë se çfarë vlere mund të ketë një monument, si për promovimin e vendit ashtu edhe për nxitjen e turizmit të jashtëm dhe të brendshëm”, pohon Ismaili. Çdo vit, 10 ditë para 17 shkurtit, Ismaili kishte planifikuar që obeliskut t’i gërryhej ngjyra dhe ndryshku, që me datën e madhe “Newborn” të vinte me pamje të re. /Indeksonline/