Gjyqtarja Arnisa Këlliçi letër KLGJ-së: Kërkoj mbrojtje! Ndjehem e kërcënuar bashkë me familjen

Një gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, nëpërmjet një shkrese drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka kërkuar mbrojtje të posaçme, pasi, sipas saj, është vënë në dijeni nga Kancelari i kësaj Gjykate se në adresë të saj ka pasur kërcënim me jetë.
Gjyqtarja që është kërcënuar është, Arnisa Këlliçi, e cila në shkresën drejtuar KLGJ-së pretendon se kërcënimi i bërë ndaj saj nëpërmjet një letre anonime, lidhet me fëmijet dhe familjen.
“Para pak ditësh më është bërë me dije nga Kancelari i kësaj Gjykate që kundrejt meje, gjyqtares Amisa Këlliçi, ka patur një kërcënim me jetë. Për këtë fakt unë nuk kam prova, por më është bërë me dije se ka një kallëzim të depozituar nga ana e Kancelarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.”, shkruan Këlliçi në letrën drejtuar KLGJ-së.
Sipas saj, po sot më datë 20.01.2024, i ka ardhur edhe një letër kërcënuese, që, me aq sa mund ajo ta deshifroj “përmban kërcënime për mua, fëmijët e mi dhe familjen time”.
“Unë nuk mund të atestoj në asnjë moment për vërtetësinë e kësaj letre. Thënë kjo, për çdo eventualitet, unë kërkoj një mbrojtje të posaçme, për aq sa ju e shihni të nevojshme.”, përfundon letra që gjyqtarja i ka dërguar KLGJ-së.
(Letra e gjyqtares dërguar KLGJ-së)
/rtsh.al/