Globalizimi dhe shoqëria jonë aktuale
Av. Irvin Faniko
-Duke arsyetuar mbi bazamentin themeltar të të drejtave të njeriut më vjen ndërmend në kujtesë një shprehje filozofike e Norberto Bobbios, një prej filozofëve aktualë – i cili ka shkruar që… ‘problemi në bazën themeltare përsa i përket të drejtave të njeriut, nuk është sot për sot ai i të justifikuarit te tyre, por ai i mbrojtjes së tyre. Ky nuk është një problem filozofik, por politik”. Eksperienca e këtyre dy shekujve të fundit është e karakterizuar, veçanërisht në Perëndim, nga njohja e garantimi i mbrojtjes së të drejtës në zonën e Shtet-Kombit, aq shumë, saqë mund të diskutojmë për ‘të drejtat e qytetarëve”, në sensin e përfaqësimit të tyre në një rend shtetëror; duke i konfiguruar kështu këto të drejta si të ‘përjashtuara’, vetëm pse ndërthurin lidhjen midis qytetarit dhe të huajit. Në të kundërt, konfirmojnë njohjen e mbrojtjes dhe ruajtjes së atyre që mund t’i klasifikojmë si ‘të drejtat e njeriut’; kjo sjell një punë kolosale dhe radikale në mendimin tim, e mbi të gjitha në mendimin politik, tamam sepse, duke qenë këto të drejta të “përfshira”, imponohet në mënyrë urgjente ndërtimi i organizmave juridike të mbrojtjes gjyqësore. Unifikimi planetar që po realizohet me nivelin ekonomik dhe financiar që sot për sot të gjithë po e quajnë ‘globalizmi’, ka nevoje për afirmime të proceseve analoge të unifikimit të së drejtës përmes institucionalizimit të organizmave mbishtetërorë, që të jenë në gjendje të formojnë dhe sigurojnë një ‘shtet të së drejtës planetare’. Ideja bazë e një ‘demokracie kozmopolitike’ lindi me shpresën që unifikimi juridik i planetit, nën formën e një lex mundialis (ligji botëror), i kushtëzuar ndaj të gjithëve, mund të buronte nga aplikimi në nivel botëror i po atyre principeve të njëjta kushtetuese, që janë afirmuar në shumë shtete demokratike. Por sfida për shtetin dhe për njerëzimin në përgjithësi, qëndron tamam këtu: në faktin se kështu siç nuk ekziston, akoma sot, një ‘shoqeri civile botërore’, e tillë për të shprehur një bashkësi solidariteti kozmopolitik, nuk ekziston njëkohësisht një Urdhër juridik universal i një shteti Universal. I aftë për t’i bërë ballë situatave e për të marrë vendime të finalizuara në të drejtën e njerëzimit, që të gëzojnë një legjitimitet të fortë ndërkombëtar. Përsa i përket problemit midis globalizimit dhe demokracisë, në kohët tona i bëhet thirrje organeve, pikësëpari të Shteteve perëndimorë, e midis tyre një rol të rëndësishëm luajnë edhe vendet anëtare të Komunitetit Europian, që të jenë në lartësinë për të treguar jo vetëm fytyrën e fuqisë, e cila ka qenë maska e saj në këto tre shekujt e zhvillimit, por edhe fuqinë e fytyrës , asaj fytyre të lirë, të falur e mirënjohëse, për t’i dhënë fund situatave të mosbarazisë, varfërisë, moszhvillimit, që ndalojnë afirmimin e atyre të drejtave njerëzore, me vlera patrimoniale të pasura nga tradita e konsoliduar e Shtet-Kombit perëndimor.