E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gloria Estefan: I këndoj dashurisë, por në fshehtësi

"Janë vetëm 90 milje, por mua më duken si 90 mijë". Ndërsa qëndron në tarracën e vilës së saj në Majami, Gloria Estefan admiron me ëndje horizontin. Pak kilometra larg shtëpisë së saj gjendet Kuba, ku nuk ka qenë më që kur ishte 16-muajshe. "Babai ishte truproja e gruas së Presidentit Fulgencio Batista. Menjëherë pas hyrjes së Fidel Kastros dhe revolucionarëve të tjerë në Havanë, më 1959-ën, u transferuam në Florida". Por ëndrra amerikane dhe "shifrat e larta" ia lehtësuan plagët e dëbimit me forcë: 22 albume, 90 milionë disqe të shitura dhe në trashëgimi disa restorante e hotele të cilat arrijnë vlerën e 300 milionë dollarëve dhe të gjitha këto falë suksesit të saj. "Kam përdorur metodën e Sinatrës: jeto sipas rregullave të tua dhe nuk do të kesh frikë të bëhesh e pasur", thotë Gloria, e cila po përgatitet për një turne në Evropë.

Nuk keni folur shumë për sa u përket darkave tuaja legjendare me "The voice"...

Jam shumë xheloze vetëm për një fakt: frymëzimi i Sinatrës vërehej metra larg dhe kur merrte fjalën, askush nuk guxonte ta ndërpriste. Ishte një burrë që në jetë nuk i ka kërkuar kurrë leje njeriu. Ndihej i plotfuqishëm dhe nuk kishte turp ta thoshte. Kur hante nuk i mbante kurrë sytë në pjatë. Ato fiksoheshin te personi që kishte përballë dhe dukej sikur dëshironte ta hipnotizonte e ta kthente në anën e tij.

Pra, pohoni se ju tërheqin ata meshkuj që nuk shohin në sy askënd?

Si bashkëshorti im Emilio. Ai, për të më dhënë puthjen e parë, më gënjeu për ditëlindjen e tij. Ishte 4 korrik (në Amerikë festohet shpallja e pavarësisë që prej 1776-ës) dhe gjendeshim në mes të një feste të madhe. M‘u afrua dhe më tha: "Nuk dua ta mohoj, por buzët e tua në ditën e ditëlindjes sime, nën këtë qiell blu, ndizen si zjarr artificial". Kjo ndodhi pikërisht në vitin 1973. Edhe pse kanë kaluar 33 vjet, duhemi si atëherë dhe e festojmë ditëlindjen më 4 mars, kur ai ka lindur vërtet.

Vazhdon ende të jetë gjallë ëndrra për një koncert në Havanë?

Më shumë se sa një ëndërr, është qëllimi i një jete. Por, mes meje dhe publikut tim qëndron regjimi, i cili nuk ndryshon kurrë: Dy vëllezërit Kastro biseduan me Barak Obamën dhe arritën të binin në ujdi, por një ditë më pas i mbylli të gjitha "portat" e hapura. Kështu, me trishtim në zemër do të mjaftohem me koncertet në pjesën tjetër të botës. Mezi pres të kthehem në Evropë.

Në vitin 1990 rrezikuat të mbeteshit e paralizuar. Ju ndihmoi fakti që ishit diplomuar në psikologji për ta kaluar traumën?

Është një fat i madh të kesh mjetet teorike për të kaluar depresionin dhe dhimbjen. Kisha thyer disa vertebra, ndërsa flija në autobusin me të cilin bëja turnetë kur ai u përplas me një kamion të madh. Terapia zgjati një vit dhe po ju them se ka qenë me të vërtetë një torturë. Po çmendesha nga dhimbjet e forta.

Kur e kuptuat se mund t‘ia dilnit mbanë?

Kur një i afërmi im hyri me forcë në dhomën ku isha shtruar dhe më tha: "Jam dakord që çmimet ‘Grammy‘ ua japin atyre që arrijnë të lënë drogën, alkoolin dhe që kanë sëmundje të rënda, por t‘i e ekzagjerove pak tani. Statuja e një gramafoni nuk vlen kur një këngëtar qëndron për një vit në spital". Fillova të qeshja me të madhe dhe kuptova se të keqen e kisha lënë pas.

Një vit më vonë i shkruat Kristofer Rive, aktori i "Superman", i cili ra nga kali dhe mbeti i paralizuar (vdiq në 2004-ën)...

I shkrova një letër të shoqes, ku i thosha se isha në dispozicion për gjithçka që kishte nevojë. M‘u copëtua zemra kur e takova në ceremoninë e ndarjes së çmimeve "Oskar". Gjatë mbrëmjes u hodhën edhe disa batuta për gjendjen e saj. Ishte katandisur si mos më keq. E mora me vete dhe shkuam në banjë. Mes lotësh i thashë se meshkujt si ai e bëjnë më të mirë botën.

Të ndërrojmë temë. Është e vërtetë që në shtëpi tekstet e këngëve tuaja i bëni shumë erotike?

Si çdo njeri edhe unë kam një anë të fshehtë. Ju nuk mund ta imagjinoni se çfarë jam e aftë të bëj kur shkruaj tekstet e mia.

Përveçse jeni mbretëresha e popit latin, ju kompozoni edhe për Shakirën dhe Xhenifer Lopez. Jeni kaq e sigurt sa mund t‘u dhuroni kolegeve vendet e para në hit-parade?

Nuk jam në garë me to dhe më pëlqen të shkruaj këngë për ato që dinë t‘i interpretojnë, me zë dhe trup. Edhe pse, përveç talentit vokal, kanë shumë karakteristika të tjera për të treguar.

Ju bezdis trupi i tyre debutues? Tregohuni e sinqertë...

E jetoj jetën si një 50-vjeçare e lumtur që nuk e ndjek bukurinë dhe nuk dëshiron të jetë patetike duke u veshur si "lolitë", të imagjinojë sikur koha ka mbetur në vend. Natyrisht do më pëlqente të kisha po atë trup që kam pasur kur isha 30 vjeçe dhe me mendimet e sotme. Por duke qenë se kjo gjë nuk është e mundur, atëherë mbaj mendjen.

Si mbahet në jetë një lidhje dashurie, e cila ka zgjatur më shumë se 30 vjet?

Me krijimtari dhe nuk po flas për muzikën, por për ato gjëra që bëhen në darkë në dhomën e gjumit. Përveç kësaj jemi shumë të domosdoshëm për njëri-tjetrin. Unë i kujtoj gjithmonë që puna e tepërt të vdes dhe ai më thotë: kam vetëm një armik për të luftuar, karbohidratet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›