BERLIN – Christian Buck do të përfaqësojë Gjermaninë në takimin e Bordit të Paqes të Trump

BERLIN, 18 shkurt /ATSH-DPA/- Gjermania do të dërgojë zyrtarin e lartë të Ministrisë së Jashtme, Christian Buck, në takimin inaugurues të Bordit të Paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Trump nesër në Uashington.
Ministria e Jashtme Gjermane konfirmoi sot pjesëmarrjen në takimin ku do të diskutohet ndihma për rindërtimin e Rripit të Gazës.
Christian Buck, drejtori i përgjithshëm për çështjet politike në Ministrinë e Jashtme, do të përfaqësojë Berlinin.
Gjermania nuk e ka pranuar ftesën e Trump për t’u bashkuar me Bordin e Paqes, të cilin kritikët e shohin si një përpjekje të presidentit amerikan për të krijuar një rivalitet ndaj Kombeve të Bashkuara.
Qeveria gjermane tha se ende beson se OKB-ja është mekanizmi kryesor për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Ky qëndrim nuk pritet të ndryshojë pavarësisht pjesëmarrjes së Buck në bisedimet që lidhen me Gazën.
Trump tha se Bordi i tij i Paqes do të paraqesë një paketë të ndihmës humanitare dhe rindërtimit me vlerë miliarda dollarësh për Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta.
“Vendet anëtare kanë premtuar tashmë më shumë se 5 miliardë dollarë për këtë përpjekje”, shkroi Trump të dielën në “Truth Social”.
“Vendet gjithashtu do të kontribuojnë me një forcë stabilizimi”, tha ai.
“Bordi i Paqes do të dëshmojë se është organi ndërkombëtar më i rëndësishëm në histori dhe është nderi im të shërbej si kryetar i tij”, shkroi ai në “Truth Social”.
Rreth 24 vende janë anëtare, përfshirë Hungarinë, Izraelin, Bjellorusinë, Katarin, Arabinë Saudite dhe Turqinë. //a.i/