E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Goditja e Berishës/ Këlliçi: Uroj që pas ngjarjes të mos fshihet Rama! Do i shkojmë deri në fund

Kandidati i Rithemelimit për zgjedhjet vendore të 14 Majit, Belind Këlliçi, pas ngjarjes së paprecedentë që ndodhi në protestën e PD, ku Sali Berisha u godit me grusht nga një qytetar, hodhi dyshime se pas incidentit fshihet Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij gjatë protestës, Këlliçi paralajmëroi se opozita do i shkojë deri në fund ngjarjes së rëndë që ndodhi këtë të martë. Këlliçi thekson se Rama është turpi i qeverisë shqiptare.

“Është momenti ta dëgjojnë evropianët që janë në samit “Rama Ik”. Dua ta nis me një fjalë të drejtpërdrejtë me Edi Ramën. Uroj  që pas incidentit të sotëm të mos jesh ti. Uroj që pas incidentit të sotëm të mos jesh as ti as ndonjë nga levat e tua dhe bastardët që ke në Bashkinë e Tiranës. Do i shkojmë deri në fund asaj që ndodhi sot”, tha Këlliçi.

Në një kohë që protesta mbahet në të njëjtën ditë kur liderët e BE dhe Ballkanit Perëndimor kanë mbërritur në Tiranë, Këlliçi deklaron se europianët kanë ardhur në Shqipëri për të parë standartet dhe liritë e shqiptarëve, që sipas tij janë lindore. Për masat e rrepta të sigurisë të marra nga Policia e Shtetit në kuadër të samitit, Këlliçi shprehet se Tirana ndodhet në kushtet e një shtet-rrethimi.

“Sikundër paraardhësit tanë, rinia e Shqipërisë me në krye Sali Berishën rrëzuan diktaturën, sistemin monist, atë fund të garantojmë edhe ty Rama. Sot miqtë evropianë janë të mirëpritur. Por jam i bindur se europianët nuk kanë ardhur për qeverinë, por për të parë standardet dhe liritë tona që janë lindore dhe jo evropiane.

Sot Edi Rama është turpi i qeverisë shqiptare. Ka mbuluar me turp PS, veten e tij dhe këdo që e mbështet. Jam në një betejë për standardet e BE dhe jam krenar që jam pjesë e PD që sot lufton me akte dhe jo propagandë për tu integruar në BE. Edhe pse ndodhemi në kushtet e një shtet-rrethimi. Sot takova qindra qytetarë që janë penguar dhe kanë ecur me kilometra në këmbë për t’u derdhur këtu në shesh për t’i treguar BE dhe KE se ju jeni Shqipëria e vërtetë”, tha Këlliçi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›