Godo, Berishës: Bëj kujdes me pronat
Çështja e pronave vazhdon të ngelet "thembra e Akilit" për qeverinë "Berisha". Kërkesa për t‘i dhënë sa më shpejt zgjidhje kësaj çështje vjen nga një aleat i ngushtë i Partisë Demokratike. Presidenti i nderit të Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo, thotë se qeveria duhet të tregohet e kujdesshme me pronat, pasi në të kundërt vendi do të ketë probleme me faktorin ndërkombëtar. Rasti i Orikumit dhe konflikti në qendër të kryeqytetit për të ndërtuar një lulishte mbi një pronë private, janë komentuar nga republikani Sabri Godo si konflikte që nuk do të shterin asnjëherë në Shqipëri, derisa qeveria të mos e zgjidhë përfundimisht çështjen e pronës. Godo pohon se kjo do të jetë e vështirë, në kushtet kur Kushtetuta e vendit nuk përcakton se çfarë është prona private. Ai e këshillon qeverinë të ketë kujdes me zgjidhjen e çështjes së pronës, pasi në të kundërt, vendi do të ketë probleme me ndërkombëtarët. Sa u përket konflikteve më të fundit, ku pushteti qendror cenoi një pronë private, Sabri Godo thotë se ky konflikt tashmë duhet të zgjidhet në gjykatë. Zgjidhja e çështjes së pronës nuk duhet konceptuar si monopol i asnjë aktori politik. Republikanët kërkuan rishikimin e abuzimeve që janë bërë me Ligjin 7501, rishikimin e abuzimeve me ish-tokat bujqësore. Godo nuk i kursen tonet e ashpra edhe në drejtim të vendosjes në eficensë të plotë të institucioneve të kompensimit dhe kthimit të pronave. Ai këmbëngul se kjo zgjidhje nuk mund të kërkohet më brenda kabineteve qeveritare, por me një konsultim të gjerë dhe serioz të të gjitha palëve të interesuara.
Orikumi është rikthyer në qendër të debateve pas skandalit më të fundit të lejeve të ndërtimit, ndërsa njihet si zonë turistike, ku po lulëzon ngritja e pallateve shumëkatëshe. Konfliktet mes pretendentëve për pronësi të një trualli të vetëm, kanë sjellë jo vetëm ankesa të shumta, por edhe konfrontime mes pronarëve dhe policisë.
Orikumi është rikthyer në qendër të debateve pas skandalit më të fundit të lejeve të ndërtimit, ndërsa njihet si zonë turistike, ku po lulëzon ngritja e pallateve shumëkatëshe. Konfliktet mes pretendentëve për pronësi të një trualli të vetëm, kanë sjellë jo vetëm ankesa të shumta, por edhe konfrontime mes pronarëve dhe policisë.