E Diel, 1 Nëntor 2026

Letër editorit!

Në lidhje me artikullin e botuar në Gazetën "Shqip" të titulluar "Pronat, tensioni zhvendoset nga Orikumi në Borsh" saktësojmë për lexuesin se spekulimet që përmenden në këtë artikull për mundësinë e një konflikti të radhës me banorët e fshatit "Qazim Pali" nuk qëndrojnë, por janë thjesht një trillim dashakeqës dhe abuziv. Familja Husi është familje e vjetër autoktone në fshatin Borsh dhe pjesëtarët e kësaj familjeje janë pronarë të hershëm në këtë zonë dhe në zona të tjera të rrethit të Sarandës. Pas vendosjes së demokracisë, pjesëtarë të kësaj familje kanë përfituar tokë në mënyrë të ligjshme, disa prej tyre në bazë të Ligjit 7501 "Për tokën" si bashkëthemelues të kooperativës bujqësore në Borsh dhe banues të këtij fshati në vitin 1991, kurse pjesëtarëve të tjerë të kësaj familjeje u është njohur dhe në rastet kur ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave e parashikon u është kthyer prona e vjetër e trashëguar, të cilën ata e posedojnë në mënyrë të qetë dhe pa konflikte. Në këtë kontekst, dëshirojmë të saktësojmë se shprehja e përdorur nga artikulli për "ish-pronarë" është shprehje e gabuar dhe i sugjerojmë çdo të interesuari të njihet më thellësisht me ligjet e shtetit shqiptar, në veçanti për pronësinë mbi tokat në zonat me përparësi turizmin. Z. Glori Husi, si një nga pjesëtarët e familjes Husi, denoncon me forcë çdo lloj përpjekje që kërkon të bëjë pre të spekulimeve të radhës të drejtat e pronësisë të familjes Husi, të cilat mbrohen nga shteti i së drejtës, si të çdo qytetari tjetër të Republikës së Shqipërisë. Duke ju falënderuar paraprakisht për mirëkuptimin dhe për saktësimin e mësipërm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›