Më në fund, drejtësi në Drejtësi
Më në fund një lajm i mirë, shpresëdhënës. Në sistemin e drejtësisë ka nisur të lëvizë funksionimi i ingranazheve të drejtësisë, pra po tentohet të bëhet drejtësi edhe për përfaqësuesit e saj plot imunitet. Vetëm pak ditë pasi Prokurorja e Përgjithshme i kërkoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë procedim disiplinor për tre gjyqtarë, forumi më i lartë reagoi si rrallëherë: i hoqi imunitetin një gjyqtari, ndërkohë që pritet që së shpejti të njëjtin fat të kenë edhe shumë toga të zeza të tjera. Gjyqtari Hasa akuzohet "tullë fare" nga prokuroria, me fakte për korrupsion dhe ryshfet, jo për paaftësi. Akuzohet pikërisht për atë gjë që pretendojnë me dëshpërim "poshtë e përpjetë" dhe nëpër media të gjithë qytetarët që kanë pasur rast, qoftë edhe njëherë, të futen në ingranazhet e sistemit tonë të drejtësisë. Sistem ky që, në vend të vajit lubrifikant (ligjit), përdor eurot, dollarët e lekët. Tashmë e dinë të gjithë, sepse edhe vetë aktorët nuk e fshehin, se gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët shqiptarë janë të "aftë" të krijojnë pasuri më shpejt se homologët e tyre jo vetëm në Ballkan, por edhe në vende të zhvilluara të Europës, ku pagesat dhe beneficet i kanë shumë herë më të larta. Pikërisht për këtë arsye veçanërisht, pra falë instalimit të korrupsionit në Drejtësi, realizuar në formën më antiqytetare, arrogante dhe "të përjetshme" për hir të imunitetit, ne jemi gjithmonë larg aspiratës për të na futur në gjirin e tyre europianët. Sepse ata e dinë më së miri edhe nga përvojat e veta qindravjeçare, se çfarë do të thotë të kesh një sistem drejtësie të korruptuar dhe aq më tepër të inkriminuar. Kjo monstër e gjysmë demokracive, jo vetëm që mbron vetveten, por edhe shumëfishohet në mënyrë malinje pambarimisht, duke mbytur çdo gjë: lirinë e njeriut, pronës... madje edhe të jetës.
Ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona Meklluham, edhe pse përfaqëson një nga vendet mike më të fuqishëm në botë, nuk para shfaqet dendur në publikun shqiptar. Por kur flet, "i vë pikat mbi i", pa retorikë. Javën që shkoi, ajo deklaroi se hetimet për korrupsion duhet të shtrihen edhe mbi vetë sistemin e drejtësisë. Vetëm pak ditë përpara këtij prononcimi, Kryeprokurorja Ina Rama kishte lëshuar një deklaratë disfatiste: Nuk mund të hetojmë dot gjyqtarët edhe kur kemi të dhëna të mjaftueshme për korrupsion, sepse kanë imunitet! Kryediplomatja britanike, për të "kthjelluar" jo edhe aq Ramën, sesa institucionet që kanë në dorë imunitetet e togave të zeza, duke shfrytëzuar një aktivitet ku raportohej për deklarimin e zyrtarëve të shtetit, tha: "Imuniteti është për të mbrojtur institucionet dhe vlerat që ato mbartin dhe jo individët. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Ne duhet të punojmë për të forcuar llogaridhënien e zyrtarëve publikë këtu në Shqipëri". Askush nuk mund të jetë mbi ligjin... Sa shpresëdhënëse në këto kohë të zymta!