Godo: Jo më ndërhyrje në Kodin Zgjedhor
Republikani Sabri Godo gjykon se Kodi Zgjedhor i kthyer nga Presidenti Topi duhet të kalojë në Kuvend me ndryshimet e kërkuara brenda javës në qoftë se politika nuk do që të cenohen zgjedhjet e ardhshme. Sipas Godos, koha e mbetur nga qershori, afati i përcaktuar për mbajtjen e tyre, i bën pothuajse të pamundura ndërhyrjet e tjera të kërkuara prej kohësh nga LSI-ja dhe PDK-ja. Godo sheh si të vetmen zgjidhje për të kaluar këtë pengesë, dialogun mes Presidencës dhe Kuvendit, duke lënë mënjanë fërkimet e deritanishme personale. Sfida e momentit sipas presidentit të nderit të asamblesë të PR-së, është mbajtja e zgjedhjeve dhe bindja e ndërkombëtarëve se durimi i tyre për të parë zgjedhje të lira në Shqipëri nuk ishte i padobishëm. Saktësimi i afateve në Kodin e ri Zgjedhor për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme, është e vetmja çështje që do të rimerret në shqyrtim nga ana e Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore. Pikërisht, ky moment ishte dhe pika e kritikuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për të cilin ai nuk e dekretoi këtë ligj, të miratuar në Parlament më 18 nëntor. Rregullorja e Kuvendit e parashikon qartë që "komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës". Kjo procedurë në njëfarë mënyre nuk lejon të merren parasysh pretendimet e ngritura së fundi nga parti të vogla parlamentare, të cilat shprehen për rishikim të Kodit Zgjedhor edhe në pika të tjera të tij. Mosdekretimi i këtij ligji nga ana e kreut të shtetit shpjegohet në një letër zyrtare që ai i drejton Kuvendit më 3 dhjetor. Duke publikuar arsyet që e shtynë të marrë këtë vendim, ai bën vërejtje për nenin 9, pika 2 të ligjit ku flitet për dekretimin nga ana e Presidentit të Republikës të datës së zgjedhjeve parlamentare.