Godo: Kutitë të mos hapen, mund të çojnë në zgjedhje

“Rama do të thotë se qeveria nuk është legjitime”
Sabri Godo, politikani veteran, jep këshillat për negociatat e pritshme mes Berishës dhe Ramës. Gjatë një interviste me Adi Krastën në emisionin “E Diell”, në “Top Channel”, presidenti i nderit i Asamblesë së Partisë Republikane deklaroi se fjala kyçe për zgjidhjen e krizës është “bisedime”, ndërsa limiti i tyre është “të mos hapen kutitë”. Godo deklaroi se negociatat janë të domosdoshme për të nisur një stinë paqeje mes politikës, pasi sipas tij “çdo krizë e gjen zgjidhjen nëpërmjet politikanëve”. Nëse ata janë të vetëdijshëm se çdo të thotë politikë, vijon Godo, duhet ta dinë se sipas Aristotelit ajo është marrëveshje qytetare për të qeverisur. “Nëse ke dëshirën për t’u marrë vesh, do të gjendet zgjidhje për çdo rrethanë”, vlerëson ai. Megjithatë Godo ka vendosur një limit për bisedimet e pritshme mes mazhorancës dhe opozitës. Sipas tij, nuk duhet në asnjë mënyrë të hapen kutitë e votimit, pasi do të gjendeshim para një precedenti apo pasojash të rrezikshme. Politikani veteran mendon se nëse do të hapeshin kutitë, atëherë sipas tij do të dilnin në shesh problemet e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. “Ka shumë mundësi që në kuti të ketë parregullsi apo hile dhe ne do të ndodhemi para dy fakteve: problemit të ndërkombëtarëve që i kanë cilësuar këto zgjedhje si më të mirat e 20 viteve të fundit dhe ka mundësi që Rama dhe njerëzit e tij të deklarojnë se Parlamenti dhe qeveria nuk është legjitime, ndaj duhet të zhvillohen zgjedhje të parakohshme”, mendon Godo. Pikërisht kjo mundësi mund të jetë “vrastare”, sipas themeluesve të republikanëve shqiptarë. Godo deklaroi se “zgjedhjet e parakohshme mund të shkaktojnë një traumë politike dhe ekonomike në vend, duke larguar dhe shtyrë axhendat ndërkombëtare”. “Ka shumë investitorë të huaj që i kanë shtyrë apo anuluar projektet e tyre në Shqipëri pikërisht nga mungesa e stabilitetit politik në vend dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për negociatat me Bashkimin Europian”, nënvizon ai. Megjithatë, Godo theksoi se nuk ka zgjidhje tjetër për krizën aktuale veç “bisedimeve”. Gjatë intervistës së djeshme me Adi Krastën në emisionin “E Diell” në “Top Channel”, nuk ka lënë pa u komentuar edhe vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e marrëveshjes për kufijtë ujorë me Greqinë dhe reagimet që e kanë pasuar atë. Godo, i cili ka qenë një nga më skeptikët, por padyshim i ekuilibruar në çdo dalje të tij, deklaroi dje se vendimi i Kushtetueses është i qartë dhe nuk mund të komentohet. Ndërkaq, duke iu referuar reagimeve nga Athina Zyrtare, ai ka shprehur habinë në lidhje me deklaratat e ish-ministres së Jashtme, Dora Bakojanis, dhe ministrit plotësues të Punëve të Jashtme, Dimitris Dukras. Sabri Godo deklaroi se zyrtarët e Athinës nuk mund ta komentojnë vendimin e Kushtetueses, por ata duhet të nisin rinegocimin e marrëveshjes. Ish-bashkëkryetari i komisionit për hartimin e Kushtetueses theksoi se negociatat për rinegocimin e marrëveshjes ujore do të duhet të bëhen me asistencën dhe mbikëqyrjen teknike të ekspertëve më të njohur të NATO-s.
#