E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, Strasburgu bën gati axhendën e negociatave në Tiranë

Misioni
Strategjia e bisedimeve me Berishën dhe Ramën. “Kutitë” do të lihen për në fund

Delegacioni i Këshillit të Europës nuk do të largohet nga Tirana pa mbledhur tryezën politike nën kryesimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, pavarësisht se dikush mund të mungojë në këtë takim. Burime diplomatike bëjnë të ditur se skema e negociatave të misionit të Strasburgut është tepër agresive dhe ka përgatitur një plan bisedimesh intensive. Sot në Strasburg do të mblidhet grupi që do të udhëtojë në Shqipëri, i cili përbëhet nga: kryetari i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, turku Mevlut çavusoglu, kreu i grupit parlamentar të Partive Popullore, belgu Luc Van den Brande, kryetari i grupit socialist, zvicerani Andreas Gross. Grupin e demokratëve europianë pritet ta përfaqësojë nënkryetari, rusi Konstantin Kosachev, pasi kryetari është reporter për Shqipërinë, kreu i Aleancës së Liberalëve, deputetja nga Luksemburgu Anne Brasseur, si edhe kreu i të majtëve të Europës, holandezi Tiny Cox. Gjithashtu, si pjesë shumë e rëndësishme e delegacionit janë edhe reporterët për Shqipërinë, britaniku David Wilshire dhe finlandezi Jaakko Lakkso. Në takimin e sotëm do të caktohet data e nisjes së misionit në Tiranë dhe përcaktimi i një qëndrimi unik. Edhe pse përfaqësojnë grupe të ndryshme parlamentare, pjesëtarët e delegacionit të PACE, siç quhet Asambleja Parlamentare e KiE-së, do të jenë besnikë në zbatimin e rezolutës që u miratua me shumicë votash në seancën e 28 janarit në Strasburg. Dokument që përcakton në mënyrë të qartë se Shqipëria ndodhet në krizë politike dhe kjo situatë po dëmton rëndë institucionet e vendit.
Axhenda
Gjatë qëndrimit në Tiranë, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës do të takohet me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministrin Sali Berisha, kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, kryetarët e grupeve të tjera parlamentare, zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. Ndërkaq, misioni nga Strasburgu do të zhvillojë takime shumë të rëndësishme, edhe pse ndoshta jo shumë formale me ambasadorët më të rëndësishëm të akredituar në Tiranë, si p.sh. diplomatët që përfaqësojnë Bashkimin Europian, ambasadorin e SHBA-së, kreun e prezencës së OSBE-së etj.
Strategjia
Edhe pse gama e protokollit të misionit të PACE-s është tepër e gjerë, dy personat kyç që përbëjnë edhe qëllimin e këtij misioni, janë Sali Berisha, Kryeministër e njëkohësisht kreu i mazhorancës dhe Edi Rama, lider i opozitës shqiptare. Nga burime diplomatike mësohet se strategjia e bisedimeve do të jetë “agresive”, ku misioni nuk do të dalë nga takimet me Berishën dhe Ramën pa marrë “fjalën e dhënë” për të nisur dialogun. Te Kryeministri ata do të marrin konfirmimin për pjesëmarrjen në tryezën e Topit dhe vendimin e tij për nisjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërsa tek Rama, përveç konfirmimit (që mund të quhet i marrë) për tryezën e Presidentit, do të marrin edhe konfirmimin e hyrjes në Kuvend, pas vendimit për ngritjen e komisionit hetimor. Ndërsa thelbi i negociatave që është fjala “kutitë”, do të zgjidhet brenda seancave të negociatave, ku është paraparë edhe një takim i nivelit të lartë Rama-Berisha, ku përveç Presidentit do të marrin pjesë edhe përfaqësues mjaft të lartë të Bashkimit Europian. Por kjo pikë është lënë që të azhornohet edhe gjatë qëndrimit në Shqipëri.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›