Ndahen sot çmimet e letërsisë
Ceremonia
Një ceremoni e kthyer tashmë në të zakonshme, do të shpallë veprat më të mira të botuara gjatë vitit 2009. E shtyrë për në janar (specialistët u shprehën se kështu juria do të kishte mundësi të shqyrtonte edhe botimet e ditëve të fundit të 2009-s), këtë vit u vendos që të mos shpallej një listë e konkurruesve. Sot, në orën 11:00, në sallën “Tefta Tashko” të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të bëhen të ditura çmimet dhe fituesit përkatës. Juria e përbërë nga Mark Marku (kryetar), Bardhyl Londo, Parid Teferiçi, Agron Gjekmarkaj dhe Mirela Kumbaro i jep çmimin “Gjergj Fishta” për veprën më të mirë autorit që me esenë e tij ka ndikuar në mënyrë të veçantë në mendimin kombëtar shqiptar; çmimin “Faik Konica” autorit që me anë të studimit ose kritikës ka ofruar zbulime ose interpretime bashkëkohore në fushën e kritikës letrare; çmimin “Fan Noli” për përkthim nga gjuha e huaj në shqipe; çmimin “Mitrush Kuteli” për prozën e shkurtër; çmimin “Petro Marko” për romanin. çmimi “Migjeni” i jepet autorit që ka mundur të përcjellë te lexuesi modele të reja dhe një nivel të spikatur letrar; çmimi “Lasgush Poradeci” për vepër poetike; çmimi “Jusuf Vrioni” për përkthyesin në gjuhë të huaj; çmimi “At Donat Kurti” për shkrimtarin për fëmijë, si edhe një çmim karriere.
#