Godo: “Në NATO nuk po hyjmë për meritat tona”
Nesër (sot) pritet të marrim një ftesë për të qenë pjesë e NATO-s. Duhet vërtet të entuziazmohemi, apo është herët dhe do kalojë kohë derisa të jemi pjesë integrale e kësaj strukture?
Ftesa është praktikisht një pjesëmarrje në NATO. Sipas procedurave të saj kërkohen dy vite. Por, ka një eveniment që është 60-vjetori i NATO-s dhe ne mund të bëhemi anëtarë efektivë të saj brenda një viti. Shqipëria hyn në një fazë të re zhvillimi. Do të bëjmë pjesë në një grupim shumë të madh shtetesh. Për ne si Ballkan do të thotë që nuk do të ketë më konflikte të armatosura. NATO do sjellë zhvillim të madh edhe në aspektin ekonomik. Kjo do ndikojë shumë edhe tek investitorët e huaj. Atyre iu mjafton që ky vend ka hyrë në NATO dhe iu krijon një siguri të madhe. Kjo do të bëjë zap politikën tonë, që deri tani kanë ecur sipas prirjeve të saj. Ndërsa, tashmë duhet të jenë në konformitet me standardet europiane. Nëse shohin gabime në politikën shqiptare, ata do të ndikojnë që gabime të mëdha të mos ndodhin.
Shqipëria do të bëjë një hap të madh kur të integrohet në BE, por që të arrish këtë pikë duhet të kalosh nga NATO-ja. Ne kemi bërë të paktën gjysmën e rrugës, meqë arritëm në këtë pikë. Nuk ka vend për gëzim sa për të hedhur valle, pasi që nesër do të shohim detyrimet që duhet të zbatosh për të qenë anëtar i NATO-s. Janë rreth 1000 faqe me rregullat kryesore të kësaj strukture politiko-ushtarake.
Në gjykimin tuaj, ishte koha për të hyrë në NATO për hir të stabilitetit në rajon, apo realisht kishim realizuar standardet për të qenë pjesë e saj?
Ne duhet të jemi të vetëdijshëm. Sikur të shohim me vëmendje, ne nuk i plotësojmë kushtet për të qenë pjesë e NATO-s, jo për sa i përket pjesës ushtarake, pasi kjo është e dorës së dytë. NATO, fillimisht është një strukturë edhe politike. Nëse shikojme se çfarë ka mirë dhe çfarë ka keq, kandari do të jetë nga ana e dytë. Pra, do të thoshim që nuk është gati. Por, fati është këto kohë në rrugën e shqiptarëve. Janë interesa gjeopolitike të mëdha të rajonit. Ndoshta është kjo ndërhyrje e Rusisë që kërkon të kthehet në Europë e më tepër në Ballkan dhe këtë e ka parë edhe NATO-ja. Por, edhe stabiliteti në rajon.
Pra, janë disa arsye për këtë ftesë. Nuk dua që të tjerët të kuptojnë që Shqipëria po hyn nga dera e pasme e NATO-s, pasi edhe ne kemi meritat tona, por rrethanat na favorizuan kryesisht.
Ka një luftë për meritat e ftesës së NATO-s. Pjesa kryesore i takon Berishës, Mediut, qëndrimit opozitar apo situatës gjeopolitike?
Nëse ka persona që ia atribuojnë vetes e bëjnë për arsye politike, por jo se është ashtu. Individët kanë rolin e tyre. Kjo është meritë dhe vullnet i të gjithë shqiptarëve. Doemos, atij që e drejton i bie të përfaqësojë këtë vullnet të popullit, por të mos shkojnë me mendimin se ne po hyjmë NATO për shkak të zotësive të tyre. Nëse ndonjë thotë që këto dy vjet e gjysmë u bënë përpjekje maksimale, edhe pse ka patur një slogan, kjo nuk do të thotë që është vetëm meritë e këtij kabineti.
Si e përjetuat tragjedinë e Gërdecit?
Gërdeci ishte një tronditje e madhe. Si ishte e mundur të ndodhte kjo në një shtet që ka një qeveri dhe një parlament. Në Kushtetutë thuhet se në këtë shtet ruhet jeta e njeriut dhe ne kuptojme se nuk është e vërtetë. Do ishte gabim të mendohej se përgjegjës për këtë ishte vetëm një njeri. Janë një radhë njerëzish përgjegjës. Nuk dua të përjashtoj nga kjo Fatmir Mediun, por ai bëri xhestin e parë që duhej dhe bëri edhe diçka më tepër, u vu në dispozicion të prokurorisë.
A ishte Gërdeci një dështim i Mediut, apo një dështim i të gjithë qeverisë?
Ishte një katastrofë për shtetin shqiptar dhe një dështim për të. Përgjegjësia duhet gjetur edhe te administrata publike.
Duke folur për moralin politik, a ka vend për një dorëheqje të kryeministrit pas kësaj ngjarjeje tepër të rëndë?
Përgjigjja është jo. Edhe kjo na duhej, të mbeteshim pa qeveri dhe të hynte vendi në anarki. Nuk e imagjinoj si do të hynim në NATO pa një qeveri. Koha që gjetën socialistët për të kërkuar dorëheqjen nuk ishte e duhur. Edhe koalicioni i djathtë duhet të shohë vetveten, si ka funksionuar, a vazhdohet me kështu? A duhet të ketë ndarje të qeverisë nëpërmjet tyre si forca poltike? Si duhet të zhvillohen më tej reformat? Duhet të përpiqen të zgjidhen urgjent pas NATO-s. Do ta kenë të vështirë ta çojnë përpara këtë qeveri dhe të fitojnë në zgjedhjet e 2009-ës.
A është e vërtetë që segmente brenda mazhorancës kanë përdorur Gërdecin për të sulmuar Mediun?
Nuk e di se në ç’anë mund të sulmohet Mediu. Shoh një tendencë të prokurorisë për ta paragjykuar Mediun. Këtë e vura re në deklaratat e saj, kur tha se ndoshta Mediu ka shpërdoruar detyrën. Ai është një institucion që duhet të flasë në mënyrë ekzakte. Ai ishte një lloj nxitimi. Prokuroria duhet të bëjë më tepër kujdes në komunikimin me publikun. Ajo që kërkojmë ne është që kjo çështje të mos kalojë në mënyrë të heshtur me komisione parlamentare apo të tilla manovra, pasi në këtë mënyrë nuk dënohet asnjë.
A ka një lëvizje për të përmirësuar imazhin e Mediut në bazë?
Jo.
Në këndvështrimin tuaj, ku çalon ky kabinet?
Është e vertëtë që kjo tani është bërë një qeveri e diskutueshme dhe është përshtypja që nuk po arrin të përmbushë detyrimet e veta. Nuk është puna vetëm të ndryshohen dy-tre ministra. Unë jam për një ndryshim më të thellë në qeveri. Duhet edhe një ndryshime total në konceptin e punonjësve të administratës publike që është e korruptuar dhe nuk funksionon aspak.
A do ta konsideronit faktin që të merrnit përgjegjësitë e një posti ministror, nëse vetë kryesia e PR-së ua kërkon?
Jo, nuk e shikoj veten në një rol të tillë për shumë arsye. Mund të them shkurtimisht që unë përjashtohem kategorikisht.
A ka në këtë qeveri sërish vend për Mediun?
Edhe Mediu do të qëndrojë larg, pasi ai nuk ka dhënë dorëheqjen thjesht si akt politik.
Pakënaqësitë e republikanëve ndaj PD-së?
Në shumë gjera i kemi gëlltitur, disa qëndrime të PD-së, sidomos te pronat. Ne po humbim pikë me këtë, pasi jemi në mazhorancë prej dy vitesh e gjysmë dhe akoma ka probleme kardinale me pronat.