E Diel, 1 Nëntor 2026

Bush: Të zgjerohemi në Ballkan, si shenjë mirënjohjeje për këto vende

Presidenti amerikan, George Bush, deklaroi dje në Bukuresht se tre vendet e A3 do të ftohen për anëtarësim në NATO. Ai tha se do të rekomandojë që Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia të pranohen në aleancën me 26 vende, ndërsa Ukraina dhe Gjeorgjia të ftohen për t’u bashkuar me NATO-n.

Për demokracinë dhe Evropën

“Në qershor 2001, erdha në Evropë në udhëtimin tim të parë si president dhe fola me studentët në universitetin e Varshavës. Unë konfirmova angazhimin e Amerikës ndaj një Evrope të bashkuar që e afrojnë me Shtetet e Bashkuara lidhjet historike, tregtare dhe miqësore. Unë thashë se Evropa duhet ta hedhë pas trashëgiminë e hidhur të Jaltës dhe të heqë kufijtë falsë që e kanë ndarë kontinentin për një kohë kaq të gjatë. Dhe deklarova se të gjitha demokracitë e reja të Evropës, që nga Baltiku deri në Detin e Zi, duhet të kenë të njëjtin shans për siguri dhe liri dhe të njëjtin shans për t’u bashkuar me institucionet e Evropës”.

“I thashë këto fjalë në tokën e një vendi në Baltik. Sot, në tokën e një vendi të Detit të Zi, kam ardhur të shoh se këto fjalë janë përmbushur. Aleanca e NATO-s që është mbledhur këtu këtë javë i shtrin kufijtë e saj tashmë që nga brigjet e Klaipedas deri në plazhet e Neptunit. Ndërsa këtu në Bukuresht ne do ta shtrijmë më tej rrethin e lirisë, duke e zgjeruar NATO-n me vende të reja nga Ballkani”.

Për zgjerimin e NATO-s

“Dhjetë vjet më parë, Ballkani ishte një rajon i shkatërruar nga lufta, fanatizmi dhe spastrimet etnike. Sot është një rajon që zhvillohet në liri, tolerancë dhe paqe. Këto ndryshime janë rezultat i veprimeve të vendosura nga ana e NATO-s dhe alternativave të guximshme të liderëve të rinj të Ballkanit, që kanë punuar për të kapërcyer dhunën dhe ndarjet e së shkuarës. Si shenjë mirënjohjeje ndaj progresit të tyre, nesër NATO do të marrë një vendim historik lidhur me pranimin e tri shteteve të Ballkanit, Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë në Aleancën e Atlantikut. SHBA do të mbështesë fuqishëm ftesën e këtyre vendeve për t'u bashkuar me NATO-n. Këto vende kanë ecur me vështirësi në rrugën e reformave për ndërtimin e shoqërive të lira dhe të begata. Ato janë të gatshme të kontribuojnë në NATO dhe qytetarët e tyre e meritojnë sigurinë që NATO sjell.

Për shtrirjen e NATO-s

“Këtë javë, Aleanca jonë duhet të vendosë lidhur me përgjigjen ndaj kërkesës së Gjeorgjisë dhe Ukrainës për të marrë pjesë në Planin e Veprimit të Anëtarësimit të NATO-s. Këto dy vende frymëzuan botën me revolucionet e tyre të Trëndafiltë dhe Portokalli dhe tani po punojnë për të konsoliduar arritjet e tyre demokratike dhe për të çimentuar pavarësinë e tyre. Duke i mirëpritur në Planin e Veprimit për Anëtarësim, ne iu dërgojmë një sinjal qytetarëve të tyre se, nëse do të vazhdojnë në rrugën e demokracisë dhe reformave, ato do të mirëpriten në institucionet e Evropës, dhe do të dërgojnë një sinjal në të gjithë rajonin se këto dy vende janë dhe do të mbeten shtete sovrane dhe të pavarura. Këtu në Bukuresht, ne duhet ta bëjmë të qartë se NATO i mirëpret aspiratat e Gjeorgjisë dhe Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe iu ofron një rrugë të qartë drejt qëllimit të tyre. Kështu, pozicioni i vendit tim është i qartë. NATO duhet ta mirëpresë Gjeorgjinë dhe Ukrainën në Planin e Veprimit për Anëtarësim. Dhe anëtarësimi në NATO duhet të mbetet i hapur për të gjitha demokracitë e Evropës që e kërkojnë atë dhe janë gati të ndajnë përgjegjësinë e anëtarësimit në NATO”.

Për trupat e NATO-s që luftojnë në Afganistan

“Falë kurajës së tyre dhe aftësive të personelit të NATO-s, një komb që dikur ishte strehë e sigurt për al-Kaedën, është aktualisht një demokraci, ku djemtë dhe vajzat po shkojnë në shkollë, ku po ndërtohen rrugë dhe spitale të reja dhe ku njerëzit e shohin të ardhmen e tyre me shpresë”.

“Por, Afganistani po përballet me shumë sfida të vështira. Armiku ka lënë bastionet e tij dhe nuk kontrollon asnjë qytet afgan. Sidoqoftë, ndërkohë që ky armik është mundur në të gjitha fushat e betejës, ai po iu kthehet taktikave terroriste si sulmet kamikaze dhe vendosjen e bombave. Kështu që, nëse do të ulnim vigjilencën, atëherë ekstremistët do të rimerrnin bastionet e tyre dhe do t'i përdornin për të terrorizuar popullin afgan dhe për të na kërcënuar edhe neve”.

“Pikërisht dy javë më parë, Osama Bin Laden bëri publike një kasetë ku kërcënonte Evropën me sulme të reja. Ne duhet t'i marrim seriozisht fjalët e armikut tonë. Kërcënimi terrorist është real, është vdekjeprurës dhe fitorja kundër këtij armiku duhet të jetë prioriteti kryesor i aleancës së NATO-s”.

“Aleanca jonë duhet të zgjidhë dhe t'iu japë fund luftimeve në Afganistan”.

“Lufta në Afganistan nuk mund të fitohet vetëm me forcën e armëve. Ne duhet të ndihmojmë qeverinë afgane për forcimin e institucioneve demokratike, të sigurojmë shërbimet kryesore, të krijojmë vende pune dhe mundësi, si edhe t'iu tregojmë afganëve se liria të çon në një jetë më të mirë. Por, derisa kjo të ndodhë, Afganistani ka nevojë për siguri dhe kjo është ajo që NATO po ndihmon të sigurojë”.

Për ndërmarrjen nga NATO të misioneve të tjera të rëndësishme në botë

“Ndërkohë që aleatët e NATO-s luftojnë terrorizmin dhe nxisin progresin në Irak dhe Afganistan, Aleanca jonë po ndërmerr misione të tjera të rëndësishme në të gjithë botën. Në Mesdhe, trupat e NATO-s po patrullojnë detrat për të luftuar terrorizmin si pjesë e operacionit aktiv “Endeavor”. Në Kosovë, trupat e NATO-s po garantojnë siguri dhe po ndihmojnë që një demokraci e re të hedhë rrënjë në Ballkan. Në Darfur, NATO ka siguruar urën ajrore të paqeruajtësve të Bashkimit Afrikan dhe iu ka siguruar atyre trajnim për mbrojtjen e popullsisë të këtij rajoni të trazuar. Aleanca mbetet e gatshme për sigurimin e ndihmës së mëtejshme për trupat e OKB dhe Bashkimit Afrikan. Të gjitha këto misione nënvizojnë natyrën e ndryshme të aleancës së NATO-s. NATO nuk është më një aleancë statike e përqendruar për të mbrojtur Evropën nga invazioni i tankeve sovjetike. Ajo është tani një aleancë dërgesash që çon trupat e saj në të gjithë botën për të siguruar një të ardhme në liri dhe paqe për miliona njerëz”.

Për mbrojtjen antiraketë

“Një nga hapat më të rëndësishme që ne mund të ndërmarrim për të mbrojtur qytetarët tanë është edhe dislokimi i kapaciteteve të reja për t'u mbrojtur nga sulmet me raketa balistike. Më 11 Shtator, ne pamë dëmet që mund të shkaktojë armiku ynë duke rrëmbyer avionë dhe duke i shndërruar në raketa për të vrarë njerëz të pafajshëm. Sot, regjimet e rrezikshme po zgjerojnë kapacitetet dhe po ndërtojnë raketa balistike që do t'iu lejojë atyre dërgimin e armëve më të rrezikshme të botës në kryeqytetet e vendeve të lira.”

“Nevoja për mbrojtjen antiraketore në Evropë është reale dhe urgjente. Irani po ndërton teknologji që mund të përdoret për prodhimin e armëve bërthamore dhe raketave balistike me rreze në rritje e sipër që mund t'i shpërndajnë ato. Në vitin 2006, Irani kreu manovra ushtarake, ku lëshoi raketa balistike që ishin në gjendje të godisnin Izraelin dhe Turqinë. Zyrtarët iranianë kanë deklaruar se po provojnë ndërtimin e raketave me rreze rreth 1 900 kilometra, çka do t'u japë mundësinë për të na arritur ne, pikërisht këtu ku jemi, në Rumani. Dhe, shërbimet tona sekrete thonë se, me ndihmën e vazhdueshme të huaj, Irani mund të testojë një raketë balistike interkontinentale e aftë të arrijë në SHBA dhe në të gjithë Evropën, nëse do të zgjidhte ta bënte këtë gjë”.

“Sot, ne nuk kemi mënyrë për të mbrojtur Evropën kundër këtij kërcënimi në rritje - kështu që ne duhet të dislokojmë këtu mbrojtje kundër-raketore. SHBA po punon me Poloninë dhe me Republikën e Çekisë për dislokimin e një sistemi që mund të mbrojë vendet evropiane nga një sulm me raketa me rreze të gjatë veprimi nga Lindja e Mesme. Ne po punojmë me NATO-n mbi zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta për t'u mbrojtur ndaj sulmeve edhe me raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi nga Lindja e Mesme. Dhe, ndërkohë që po e bëjmë, ne ftojmë Rusinë që të na bashkohet në këtë përpjekje të përbashkët për të mbrojtur Rusinë, Evropën dhe SHBA kundër një kërcënimi në rritje që mund të na prekë të gjithëve”

“Këtë javë, presidenti Putin ka planifikuar për të marrë pjesë për herë të parë në samitin e NATO-s dhe në fund të javës kam planifikuar të shkoj në Soçi, Rusi, për bisedime të mëtejshme për këtë çështje dhe për çështje të tjera. Në diskutimet tona, unë do të përsëris me forcë se kapacitetet e mbrojtjes antiraketë që ne po zhvillojmë nuk janë bërë për t'u mbrojtur nga Rusia, pasi edhe NATO e re që ne po kërkojmë të ndërtojmë nuk po bëhet për t'u mbrojtur nga Rusia. Lufta e Ftohtë ka marrë fund. Rusia nuk është armiku ynë. Ne po punojmë për një marrëdhënie të re sigurie me Rusinë, bazat e së cilës nuk qëndrojnë në perspektivën e asgjësimit të ndërsjellë”.

Për kurajon e popullit rumun

“Kam besimin se NATO është e gatshme për sfidat e shekullit XXI, sepse besoj në kurajën e aleatëve si Rumania. Populli rumun e ka njohur të keqen dhe e ka mundur atë. Ai e vlerëson lirinë, pasi ka jetuar edhe pa të. Dhe kjo përvojë e vështirë e ka frymëzuar të luftojë dhe të sakrifikojë për lirinë e të tjerëve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›