E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO, "Ok" Shqipërisë e Kroacisë Shtyhet ftesa për Maqedoninë

  Vendimi për Maqedoninë në vjeshtë. Deri mbrëmë vonë nuk gjendet zgjidhja mes Greqisë dhe Maqedonisë

BUKURESHT- Ajo çka prej shumë vitesh pritej nga vendi ynë, sot do të bëhet realitet. Pas shumë përpjekjesh dhe angazhimesh në rrugën drejt anëtarësimit, ku detyrimi për përmbushjen e reformave dhe realizimi i standardeve ka mbizotëruar, Shqipëria do të marrë sot ftesën për t'u anëtarësuar në NATO. Në këtë mënyrë, 3 Prilli do të jetë një ditë historike për shqiptarët dhe Shqipërinë, pasi sot vendet anëtare të Aleancës do të vendosin që vendi ynë të marrë ftesën për t'u anëtarësuar në të. Në ditën e dytë të punimeve të tij, Samiti i Bukureshtit pritet të miratojë dërgimin e ftesës për Shqipërinë, për t'u anëtarësuar në NATO. Darka e nivelit më të lartë të vendeve anëtare të NATO-s i kanë thënë "po" mbrëmë marrjes së ftesës së Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ndërkohë që për Maqedoninë mbetet ende problemi bilateral që ka me Greqinë lidhur me emrin që duhet të mbajë. Mbrëmë pasdite, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Greke deklaroi se shanset për mundësinë e zgjidhjes së emrit të Maqedonisë janë shumë të pakta dhe se Greqia do të përdorte veton ndaj Maqedonisë. Megjithatë disa analistë të njohur të çështjeve të NATO-s u shprehën mbrëmë se NATO nuk do ta lejoje veton dhe se në rast se Greqia do të jetë kundër marrjes së ftesës për Maqedoninë, atëherë kjo e fundit (Maqedonia) nuk do të futet fare në votim, por vetëm Shqipëria dhe Kroacia. Drejtuesit e vendeve anëtare nuk kanë arritur deri mbrëmë vonë që të gjenin një zgjidhje për Maqedoninë. Madje mbrëmë agjencitë gjermane të lajmeve flisnin për mundësinë e shtyrjes se vendimit për Maqedoninë deri në vjeshtë të këtij viti. Edhe Ministri i Jashtëm Spanjoll Moratinos ka deklaruar se vetëm Shqipëria dhe Kroacia do të marrin ftesën. Megjithatë gjithçka pritet të vendoset sot, edhe pse deri mbrëmë vonë deri pas mesnate palët nuk kanë arritur që të gjenin një zgjidhje për Maqedoninë, për shkak të kundërshtimit të Greqisë. Ndërkohë që drejtuesit e Maqedonisë kanë kërkuar një mbledhje urgjente me delegacionet e vendeve të A3-shit. Po sot, rreth orës 11:30 të paradites, në Samitin e Bukureshtit do të votohet për zgjerimin e Aleancës së Atlantikut, ku secili prej 26 vendeve anëtare do të votojë për dërgimin e ftesave për anëtarësim për vendet e Kartës së Adriatikut. Votimi do të jetë individual, për secilin prej vendeve kandidate. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap Hop de Scheffer ka deklaruar dje në mesditë nga Bukureshti se, vendet e Kartës së Adriatikut duhet të hyjnë në Aleancë, ndërsa për konfliktin mes Greqisë dhe Maqedonisë ai tha se kjo nuk përbën një çështje për NATO-n. Edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bush është shprehur i bindur në vendimin për zgjerimin e Aleancës, duke thënë se tre vendet ballkanike e meritojnë ftesën për t'u anëtarësuar. Presidenti amerikan ka pohuar rrugën e vështirë të reformave që kanë përshkruar vendet e A3-it dhe theksoi se, ato janë ndërtuar shoqëri të lira dhe demokratike, duke thënë se ato do të japin kontributin e tyre në NATO. Përfaqësuesit e delegacionit shqiptar kanë shprehur gjithashtu besimin e sigurinë se përgjigja për vendin tonë nga Samiti i Bukureshtit do të jetë pozitive. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha deklaroi për mediat se Shqipëria është e sigurt për marrjen e ftesës.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe kryeministri Berisha do të mbajnë fjalime të veçanta

Samiti, Topi takime me homologë të tij

TIRANË- Para vendeve anëtare të NATO-s, ku pritet që Shqipëria të marrë ftesën për t'u anëtarësuar në Aleancë, presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha do t'i drejtohen Samitit të Bukureshtit me dy fjalime të veçanta. Si presidenti Topi, ashtu edhe kryeministri Berisha do të kenë secili tre minuta kohë, në sesione të veçanta, për të folur para vendeve anëtarë të NATO-s. Një ditë më parë, kryeministri Berisha ishte pyetur mbi çështjen se kush do ta mbante fjalimin para Samitit nga delegacioni shqiptar dhe është përgjigjur se, këtë e vendos protokolli i NATO-s. Ndërkohë, Berisha ka pohuar se presidenti Topi është kryetar i delegacionit. Ndërkohë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi është nisur dje drejt kryeqytetit të Rumanisë, Bukureshtit, për të marrë pjesë në Samitin e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Së bashku me bashkëshorten e tij, Teuta Topi, Presidenti ka udhëtuar dje drejt Bukureshtit, si kryesues i delegacionit të shtetit shqiptar. Në përbërje të delegacionit zyrtar të Republikës së Shqipërisë janë edhe kryeministri Sali Berisha, ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, krerët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike, Astrit Patozi dhe të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, etj. Siç bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të Presidencës, në axhendën e presidentit Bamir Topi parashikohet pjesëmarrja në sesionet e punimeve të Samitit të Bukureshtit dhe takime me homologët e tij. Samiti i Bukureshtit pritet të marrë vendime të rëndësishme, një prej të cilëve është ai i zgjerimit me anëtarë të rinj, ku vendi ynë bën pjesë në vendet e Kartës së Adriatikut që presin të marrin ftesën për t'u anëtarësuar në NATO. Gjatë pjesëmarrjes së tij në sesionet e punimeve të Samitit, presidenti Topi do të mbajë dhe një fjalë të shkurtër, pikërisht sot, kur do të merret vendimi për anëtarësimin e vendit tonë.

Analistet flasin se procesi i anëtarësimit të plotë për Shqipërinë do të zgjasë një vit. Kryefjala për Shqipërinë janë vetëm reformat

NATO, detyrat e Shqipërisë pas ftesës

Ftesa për të hyrë në NATO, për Shqipërinë nënkupton reforma dhe vetëm reforma

TIRANË- Marrja e ftesës së Shqipërisë për anëtarësim në NATO shënon edhe detyrimin e zbatimit të reformave të rëndësishme në vend, duke nisur nga ato politike, ligjore, të sigurisë etj. Ftesa për të hyrë në NATO, për Shqipërinë nënkupton reforma dhe vetëm reforma, duke filluar nga përmbushja e kuadrit ligjor për zgjedhje të lira e të ndershme e deri tek lufta kundër korrupsionit e forcimi i institucioneve qendrore. Pikërisht për këtë arsye, marrja e ftesës për Shqipërinë nënkupton një proces negociatash prej dy raundesh që janë sa politike, aq edhe teknike e ligjore. Aprovimi i këtij plani masash, që përmban në vetvete edhe afate për realizimin e tyre, do të hapë edhe rrugën e ratifikimit nga 26 vendet anëtarë të NATO-s, procedurë e cila normalisht zgjat dy ose tre vjet, por që në rastin e Shqipërisë dhe dy vendeve të tjera të A3-shit mund të zgjasë vetëm një vit, deri në Samitin e ardhshëm, ku do të festohet edhe 60-vjetori i krijimit të Aleancës së Atlantikut Verior. Të paktën kështu u shprehen dje analiste dhe njohës të mirë të NATO-s, se ekziston vullneti dhe dëshira e mirë e vendeve anëtare, që procedura përvendet aspirante të zgjasë vetëm një vit (nëse edhe Shqipëria do të zbatojë më përpikmëri reformat). Megjithatë kësaj çështjeje, përfaqësuesit e shtetit shqiptar gjatë intervistave të dhëna dje për mediat vizive i janë përgjigjur me shumë rezerva. Për pasojë, Shqipërisë do t'i duhet që të vazhdojë të ruajë stabilitetin politik në vend, të çojë deri në fund reformat e ndërmarra, si në gjyqësor ashtu edhe ato për zgjedhjet, të përmirësojë rendin dhe ekonominë e tregut, duke i kushtuar vëmendje të veçantë përmirësimit të rendit dhe luftës kundër korrupsionit, të inkurajojë dhe zhvillojë (ashtu si edhe 8 vite më parë) respektin për të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat e minoriteteve; të forcojë kontrollin civil demokratik mbi Forcat e Armatosura; të ruajë rezultatet e arritura vitet e fundit në rritjen ekonomike dhe të vazhdojë reformat e saj ekonomike, veçanërisht në fushën e privatizimit; të modifikojë legjislacionin përkatës, me qëllim që ta harmonizojë atë me sistemet standarde të Aleancës etj. Marrja e ftesës së Shqipërisë për në NATO i hap rrugën një cikli tërësisht të ri të zhvillimit ekonomik dhe politik të vendit. Ndërkohe që për marrjen e kësaj ftese, Shqipëria tashmë ka pranuar plotësimin e disa detyrimeve të rëndësishme, siç ishte edhe parashikimi në buxhetin e shtetit të 2.01% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, për Forcat e Armatosura, një kriter ky i vendosur për vendet anëtare. Po kështu, në vitin 2010, pritet transformimi i plotë i Forcave të Armatosura në një forcë tërësisht profesionale, e paguar nga Buxheti i Shtetit. Me marrjen e ftesës, Shqipëria pritet të kontribuojë (krahas Afganistanit apo Bosnjës) edhe në vende të tjera të operacioneve paqeruajtëse, ku aleanca është e pranishme.

Historia e përpjekjeve të Shqipërisë, për të qenë anëtare e aleancës më të fuqishme ushtarake

Shqipëria dhe aleancat ushtarake, nga neutraliteti tek NATO

TIRANË- Shqipëria qe një nga vendet e pakta të Europës që njihet si neutral gjatë Luftës së Parë Botërore, sido që neutraliteti i saj nuk u respektua nga palët ndërluftuese. Por fakti që nuk hyri në aleancë me askënd, nuk krijoi një traditë neutraliteti, megjithëse shumë të huaj e imagjinonin Shqipërinë si një lloj Zvicre neutrale në Ballkan. Në vitin 1926, me nënshkrimin e Paktit të Dytë të Tiranës, Shqipëria dhe Italia nënshkruan një Marrëveshje Mbrojtjeje të përbashkët, gjë që në shumë kuptime, siguroi paprekshmërinë territoriale të vendit nga fqinjët mes dy Luftërave Botërore. Nga viti 1945 deri në themelimin e Traktatit të Varshavës, më 1955, Shqipëria nuk qe anëtare e asnjë aleance. Në fakt, Pakti i Varshavës është deri më sot zyrtarisht aleanca e vetme ku Shqipëria ka aderuar në historinë e vet. Anëtarësimi në Bllokun e Lindjes u ndërpre në vitin 1968, kur Brezhnjevi deklaroi doktrinën ushtarake që mban emrin e tij. Doktrina Brezhnjev thotë se Bashkimi Sovjetik kishte të drejtë të pushtonte ushtarakisht një vend anëtar të Paktit të Varshavës, konkretisht Çekosllovakinë. Pas vitit 1968 e deri më sot, (teknikisht, deri kur të anëtarësohemi zyrtarisht në NATO), Shqipëria konsiderohet si një vend jashtë aleancave të mëdha. Ndonëse gjatë 95 viteve ekzistencë si shtet, vetëm në 13 vite Shqipëria bëri pjesë në një aleancë ushtarake, sërish, neutraliteti nuk hodhi kurrë rrënjë në ndërgjegjen e shqiptarëve. Përgjatë historisë, Shqipëria ka njohur gjithashtu shumë flirte ushtarake. Në vitin 1935, gjatë krizës së marrëdhënieve me Romën, Mbreti Zog tentoi të anëtarësonte Shqipërinë në një aleancë Ballkanike, e cila në fakt nuk funksionoi kurrë. Pas vitit 1968, Pekini u përpoq të bindte Tiranën se një aleancë Tiranë - Beograd = Bukuresht, qe e domosdoshme për t'iu kundërvënë doktrinës së Brezhnjevit për mbajtjen me dhunë në aleancë të vendeve anëtare të Paktit të Varshavës. Pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Kinën, Shqipëria thjesht nuk bëri pjesë në asnjë aleancë, deri në vitin 1992, kur shpalli se dëshiron të integrohet në NATO. Të gjitha vendet e lindjes, që sot janë anëtare të NATO-s, kishin dilema për perspektivën Atlantike. Shumë nga këto vende, si Hungaria apo Sllovakia, ishin refuzuese. Opinioni publik në Kroaci, vijon të jetë mosbesues. Shqipëria nuk i pati kurrë këto dilema, megjithatë, është nga vendet e fundit në listë që anëtarësohen.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›