E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo: Si zgjidhet kriza politike shqiptare

Kriza politike? Ajo nuk mund të zgjidhet për sa kohë palët po luftojnë për interesat e tyre.


Rama dhe Berisha duhet të bëjnë tërheqjen e tyre dhe të takohen në mesin e rrugës.

Nëse zgjidhja vjen nga ndërkombëtarët, do jetë një njollë e zezë për historinë e Shqipërisë


Presidenti i nderit i Partisë Republikane dhe politikani i vjetër, Sabri Godo, e ka cilësuar dje krizën politike si një bllokim të madh që po i bëhet vendit. Sipas tij, kriza zgjidhet shumë lehtë, nëse ka vullnet, por kjo gjë nuk po ndodh.


"Këtu mjafton vullneti për të dalë nga kjo situatë dhe për ta zgjidhur atë. Këtë mund ta arrijnë për një gjysmë ore vetëm Rama dhe Berisha dhe nëse duan vërtet ta zgjidhin dhe duke u nisur nga parimi që secila palë duhet të atakojë tjetrën në mesin e rrugës", - tha Godo në një intervistë për "Shekullin".


Ndërkohë, në lidhje me dekretet e presidentit, Godo pohoi se më e mira është që ato të bëhen me votim të fshehtë dhe jo me votim të hapur, siç kërkon mazhoranca.


Z. Godo, po bëhet rreth një vit nga kriza politike, dhe me gjithë ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, negociatat e shumta, mazhoranca dhe opozita sërish kanë dështuar për të zgjidhur situatën politike. Si e gjykoni këtë zgjatje të ngërçit politik, si dhe qëndrimin e opozitës dhe shumicës në gjetjen e një marrëveshjeje midis tyre?


Së pari, është e dëmshme. Është e dëmshme në çdo aspekt të jetës politike shqiptare, për marrëdhëniet me Europën, por edhe për zhvillimet e brendshme, për ekonominë, për qeverisjen, për çdo gjë. Kriza të tilla kanë fuqi paralizuese, pavarësisht sesa duken në sipërfaqe.


Nga debatet dhe zhvillimet e ditëve të fundit, unë nuk shoh një prirje për të shkuar drejt marrëveshjes. Duket sikur palët po acarohen më tej në pozitat e tyre. Nuk po japin mesazhin se do të përdorin një gjuhë më të butë dhe do të shkojnë drejt marrëveshjes. Zhvillimet e ardhshme më krijojnë një lloj pesimizmi.


Megjithatë, nuk mund të flas me siguri për atë që mund të ndodhë më tej, pasi një pjesë e veprimtarisë së vet në bisedimet që janë bërë në Strasburg, komuniteti europian i ka mbajtur disi të mbyllura. Janë bërë thirrje për marrëveshje, por nuk është thënë realisht nëse Europa ka ofruar një draft-marrëveshjeje apo jo.


Ndoshta do të ishte mirë që komisioneri Fyle dhe kryetarët e grupeve politike në Parlamentin Europian, të kishin qartësuar më mirë se çfarë është biseduar dhe në çfarë përfundimi është arritur apo ku ka ngecur kjo marrëveshje.


Në negociatat e pak ditëve më parë në Bruksel, midis përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitës, kanë mbetur tek procedura e transparencës së zgjedhjeve.


Si e konsideroni dështimin e këtyre negociatave, ku opozita dhe mazhoranca nuk kanë arritur sërish në një marrëveshje konkrete për të zgjidhur situatën politike?


Këtu kemi të bëjmë me një gjë serioze. Unë kam përshtypjen se Europa ka bërë të gjitha hetimet e duhura për të kuptuar situatën politike në Shqipëri dhe ndoshta ka arritur në një konkluzion sesi zgjidhet kjo situatë.


Megjithatë, deri më tani kanë ardhur buzë kufirit, kanë thënë zgjidhni mosmarrëveshjet. Por, nuk kam dëgjuar asnjëherë prej tyre të thonë sesi zgjidhet kjo mosmarrëveshje.


Pas dështimit të këtyre negociatave, a mendoni se mund të ketë një riaktivizim të faktorit ndërkombëtar për të zgjidhur këtë çështje?


Ky do të ishte tani aktivizimi i fundit i komunitetit ndërkombëtar, që do të ishte një gjë e keqe dhe do të mbetej një njollë në histori, që të vijë një dokument i shkruar nga Europa, për t'u marrë vesh shqiptarët me njëri-tjetrin, në çfarë gjuhe duhet të flasin dhe në çfarë pikash duhet të bihet në ujdi, sepse e kërkon Europa.


Por, mesa duket kjo do të bëhet në fund fare dhe kjo do të ishte me të vërtetë një gjë e keqe, sepse do ta vendoste vendin tonë në një pozicion dhe në një dritë krejt të papranueshme.

Deri në këtë pikë ku kanë arritur palët politike, sipas jush, cila nga forcat politike duhet të lëshojë, për të arritur në një marrëveshje politike që do t'i jepte fund krizës politike?


Që të mund të thuash se cila palë duhet të lëshojë duhet të shpjegohet qartë se çfarë pozicionesh mbajnë secila nga palët. Kur më pyesin sesi zgjidhet kjo krizë kam gjetur mënyrën më të thjeshtë për t'u përgjigjur dhe ajo tek e cila besoj dhe që është kjo: sesi zgjidhet kjo krizë e dinë ata të dy nëse duan ta zgjidhin.


Nuk kërkohet të vijë këtu ndonjë "mendje e ndritur" për të zgjidhur një nyje gordiane, as me shpatë, as me ide. Këtu mjafton vullneti për të dalë nga kjo situatë dhe për ta zgjidhur atë.


Këtë mund ta arrijnë për një gjysmë ore vetëm Rama dhe Berisha dhe nëse duan vërtet ta zgjidhin dhe duke u nisur nga parimi që secila palë duhet të atakojë tjetrën në mesin e rrugës. Në një situatë normale të një vendi, duhet të ishin qartësuar deri tani për qytetarët e këtij vendi platformat e secilës palë.


Meqenëse gjërat lihen paksa në hije, si këtu brenda ashtu edhe jashtë, unë nuk ndihem në terren të sigurt për të thënë se si qëndron realisht problemi. Deklaratat po bëhen mjaft kontradiktore, kur sot thonë diçka dhe të nesërmen pohojnë të kundërtën e asaj që kanë thënë. Për mua, ka një paqartësi të përgjithshme lidhur me këtë konflikt. Thelbi i konfliktit për mua në këtë rast nuk është i qartë.


Po ajo që kuptoj unë është se Rama kërkon hapjen e kutive, ndërsa Berisha nuk e pranon hapjen e kutive. Nëse kjo është esenca dhe të gjitha deklaratat apo kërkesat e tjera janë anësore, mund edhe të mënjanohen në diskutim e sipër. Po të kemi vetëm këto qëndrime, atëherë nuk do të arrihet ndonjë marrëveshje.


Për sa i përket çështjes së kutive, Rama duhet të heqë dorë nga hapja e kutive të votimit, sepse kjo nuk të çon asgjëkund. Edhe në rast se Berisha do të binte parimisht dakord që të hapte kutitë, do të fillonte një grindje tjetër e pafund, sesa kuti do të hapen, ku do të hapen, kush do t'i hapë, si do të rinumërohen etj.


Domethënë, secila palë do të përpiqej ta transferonte konfliktin në një terren tjetër me synimin që të mos arrihet në asnjë vend.


Prandaj kam thënë edhe më parë se duhet hequr dorë nga hapja e kutive, e cila në realitet ndjek një logjikë të sajën, sepse nga njëra anë thuhet që njoh zgjedhjet, njoh qeverinë, njoh Parlamentin, por prapë duhen hapur kutitë për të vërtetuar se deri ku këta janë legjitimë. Kjo do të thotë rihapësh grindjet. Është një logjikë politike që unë nuk arrij ta kuptoj.


A prisni një takim të dytë Berisha-Rama, për të zgjidhur krizën politike?


Në vendet e tjera të Europës ka antagonizma ndërmjet forcave politike, edhe për arsye politike, ndërsa këtu janë vetëm për interesa pushteti. Këtu duket sikur do të arrihet diçka historike, nëse takohet lideri i mazhorancës me atë të opozitës. Kjo më duket një situatë anormale.


Secila palë nuk niset nga mendimi që do të takohen dhe do ta zgjidhin këtë çështje, por secila forcë politike përpiqet të mbrojë pozicionin e saj dhe të arrijë përfitime në dëm të tjetrit. Për sa kohë do të vazhdojë kështu, nuk do ketë zgjidhje dhe nuk do të lejohet që ky vend të ecë përpara.


A mendoni se krijimi i një qeverie teknike për të shkuar më pas në zgjedhjet e parakohshme është rruga për daljen nga kjo gjendje politike?


Opozita gjithnjë atë duhet të bëjë, të kërkojë dorëheqjen e qeverisë, por duhet të dijë se kur e kërkon.


Kjo qeveria ka mazhorancën legjitime për të qeverisur dhe ka shumicën në Parlament dhe do të ishte e pamundur të imagjinoje që ajo të jepte vullnetarisht dorëheqjen dhe të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.


Kjo edhe mund të ndodhë në rastet kur partia që është në pushtet shikon se mund të fitojë terren nga sa ka.


Vetëm në atë rast mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Berishën nuk e shtrëngon asgjë që të japë dorëheqjen, por është një ide që nuk mund të funksionojë.


Përveç debatit për transparencën e zgjedhjeve, shumica dhe opozita janë përplasur së fundmi edhe për mënyrën e votimit të dekreteve të Presidentit për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, ku mazhoranca kërkon të aplikojë votimin e hapur, duke e cilësuar këtë si një proces më transparent, ndërsa opozita e kundërshton atë duke e konsideruar si cenim të parlamentarizmit.


Sipas jush, si duhet të kryhet votimi i dekreteve të kreut të shtetit, me votim të hapur apo të fshehtë?


Unë them se opozita ka të drejtë të thotë se dekretet për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese duhet të kalojnë me votim të fshehtë ose me votim elektronik.


Ka ide që opozita duhet t'i mbrojë dhe të luftojë për to, ashtu sikundër ka njëqind arsye të tjera për të kritikuar qeverinë për të metat e saj. Këtu transparencës i bëhet më mirë nëse anëtarët do të zgjidhen me votim të fshehtë. Për çdo emërim që është nominal duhet të bëhet me votim të fshehtë.


Për votimin e dekreteve të Presidentit:


"Unë them se opozita ka të drejtë të thotë se dekretet për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese duhet të kalojnë me votim të fshehtë ose me votim elektronik.


Ka ide që opozita duhet t'i mbrojë dhe të luftojë për to, ashtu sikundër ka njëqind arsye të tjera për të kritikuar qeverinë për të metat e saj. Këtu transparencës i bëhet më mirë nëse anëtarët do të zgjidhen me votim të fshehtë. Për çdo emërim që është nominal duhet të bëhet me votim të fshehtë."


Zgjidhja e krizës politike:


"Nuk kërkohet të vijë këtu ndonjë 'mendje e ndritur' për të zgjidhur një nyje gordiane, as me shpatë, as me ide. Këtu mjafton vullneti për të dalë nga kjo situatë dhe për ta zgjidhur atë.


Këtë mund ta arrijnë për një gjysmë ore vetëm Rama dhe Berisha dhe nëse duan vërtet ta zgjidhin dhe duke u nisur nga parimi që secila palë duhet të atakojë tjetrën në mesin e rrugës."


Pasojat e krizës:


"Ky do të ishte tani aktivizimi i fundit i komunitetit ndërkombëtar, që do të ishte një gjë e keqe dhe do të mbetej një njollë në histori, që të vijë një dokument i shkruar nga Europa, për t'u marrë vesh shqiptarët me njëri-tjetrin, në çfarë gjuhe duhet të flasin dhe në çfarë pikash duhet të bihet në ujdi, sepse e kërkon Europa.


Por, mesa duket, kjo do të bëhet në fund fare dhe kjo do të ishte me të vërtetë një gjë e keqe, sepse do ta vendoste vendin tonë në një pozicion dhe në një dritë krejt të papranueshme."

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›